8-18 qershor provimet e maturantëve të shkollave profesionale, pas 3 javëve mësim në shkollë

8-18 qershor provimet e maturantëve të shkollave profesionale, pas 3 javëve mësim në shkollë


35 shkollat profesionale në vend do të hapen për maturantët nga data 18 maj deri në datën 5 qershor, në bazë të vendimit të marrë nga Ministria e Arsimit, duke u nisur nga vendimet e Task Forcës për përballimin e situatës së pandemisë së COVID-19 në Shqipëri dhe mbështetur në vlerësimin e modeleve të vendeve të tjera që kanë filluar hapjen graduale të shkollave.

Nëpërmjet një deklarate, zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Dajna Sorensen, ka informuar nxënësit, prindërit dhe drejtuesit e shkollave mbi procedurat që do të ndiqen për mbylljen e vitit shkollor 2019-2020, duke vënë theksin në katër elementë të rëndësishëm:

Së pari, viti shkollor do të mbyllet në qershor 2020 për të gjithë nxënësit, sipas planifikimit në udhëzimet e deritanishme;

Së dyti, provimet e Maturës Shtetërore do të mbahen, sipas planifikimit, mes datave 8 dhe 18 qershor 2020, gjë që jep mjaftueshëm kohë që të përgatiten edhe diplomat për të gjithë maturantët që planifikojnë të studiojnë jashtë vendit dhe i duhen ato në korrik;

Së treti, në mënyrë që provimi i maturës të jetë sa më i drejtë për maturantët dhe ata të kenë mundësinë për t’u përgatitur, është vendosur hapja e shkollave vetëm për nxënësit e klasave e 13-ta, pra për maturantët, në periudhën 18 qershor deri në 5 maj, gjatë së cilës do të punohet vetëm për lëndët e Maturës Shtetërore dhe me plan-programet e reja që nuk përmbajnë temat e zhvilluara në kushte shtëpie.

Së katërti, mësimi nga shtëpia do të vazhdojë për të gjithë nxënësit e klasave 10-12 deri në fund të majit, duke planifikuar të mbyllet dy javë më herët se sa parashikimet në mënyrë që të krijohet mundësia që mësuesit të shkojnë nëpër shkolla dhe të bëjnë të gjithë punën administrative të hedhjes së notave dhe kalkulimit të vlerësimeve përfundimtare.

Zv.ministrja Sorensen informoi gjithashtu se hapja e pjesshme e shkollave do të realizohet duke zbatuar rigorozisht të gjitha rregullat e distancimit social dhe kushtet higjieno-sanitare nëpër shkolla, për 4200 maturantë në 35 shkolla. Do të sigurohet minimumi 1.5 m largësi mes nxënësve, ashtu siç parashihet nga rregullat e institucioneve shtetërore, dhe numri i nxënësve për klasë të mos jetë më shumë se 10-12 nxënës (apo maksimumi 15 nxënës për klasë, në rastet kur klasa ofron hapësirë të mjaftueshme).

Duke konsideruar situatën e krijuar nga pandemia e shkaktuar nga COVID-19, për të mbështetur proçesin e vijimit të mësimit online dhe realizimin e Provimeve të Maturës Shtetërore Profesionale dhe të Provimeve të Niveleve në shkollat profesionale, udhëzimet janë si më poshtë:

-Mësimi në kushtet e shtëpisë do të vazhdojë në përputhje me udhëzimet e mëparshme duke synuar një pjesemarrje sa më të madhe dhe sa më aktive të nxënësve. Nga data 4 maj, duke filluar me mësim nga shtëpia dhe pastaj në shkollë me datë 18 maj, puna me maturantët do të fokusohet në provimet e Maturës Shtetërore.

-Për nxënësit Maturantë, parapërgatitja, për vitin shkollor në vijim, nuk do të përfshijë temat mësimore të trajtuara gjatë mësimit në kushtet e shtëpisë.

-Për periudhën e mbetur deri në datat e provimeve të Maturës Shtetërore Profesionale do të synohet përfshirja dhe mbështetja sa më e madhe e nxënësve maturantë që kanë patur vështirësi dhe pamundësi për tu angazhuar në mësimin në kushtet e shtëpisë.

-Modalitetet e realizimit të provimeve të Maturës Shtetërore Profesionale do të jenë sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë.

-Provimi i Praktikës Profesionale të Integruar i Nivelit nuk do të zhvillohet në vitin shkollor 2019. Për të gjithë nxënësit (përfshirë dhe nxënësit maturantë), nota e këtij provimi praktik do të llogaritet si mesatare e thjeshtë, e rrumbullakosur, e notave të moduleve praktike që nxënësi ka përmbushur në nivelin përkatës.

-Provimi i Teorisë Profesionale të Integruar i Nivelit, për vitin shkollor në vijim, do të zhvillohet online. Përgatitja e testeve teorike, realizimi i provimit, korigjimi dhe nxjerrja e rezultateve do të kryhen nga vetë shkollat, bazuar në Programet Orientuese përkatëse dhe sipas udhëzimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe të Agjencisë Kombëtare të AFP dhe Kualifikimeve.

-Nota përfundimtare e Provimit të Teorisë Profesionale të Integruar të Nivelit për çdo nxënës do të llogaritet duke marrë në konsideratë jo vetëm rezultatet e provimit të teorisë profesionale online, por edhe mesataren e notave në lëndët profesionale të përfshira në Programin Orientues përkatës.

-Për nxënësit që do ta kenë të pamundur të marrin pjesë në provimin e teorisë profesionale online, në përshtatje me rrethanat dhe kushtet që do të krijohen në vijim, do të jepen udhëzime të mëtejshme për të mundësuar edhe realizimin e këtij provimi dhe nxjerrjen e notës përfundimtare përkatëse.

Në përfundim të deklaratës së saj, zv.ministrja Sorensen ritheksoi se të gjitha shkollat profesionale do të vijonë mësimin online dhe përgatitjet për provimet përfundimtare sipas udhëzimeve të mësipërme.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0