Nga Eni Muça
Si lind një ide që kthehet në një projekt që prek komunitetin? Shpesh, thjesht nga një nevojë e përditshme. Kështu nisi edhe rrugëtimi i Sportisti AL, një platformë që synon të lidhë sportdashësit me njëri-tjetrin dhe të thjeshtojë organizimin e aktiviteteve sportive. Në këtë bisedë me BusinessMag.al, Taulant Sinani, bashkëthemelues i Sportisti.al, ndan historinë pas iniciativës, sfidat që u desh të përballonin dhe vizionin që i shtyn përpara.
Si lindi ideja për të krijuar Sportisti.al? A ishte një problem personal që deshe të zgjidhje?
Faleminderit fillimisht për promovimin që i bëni sipërmarrësve të rinj dhe ideve inovative. Unë jam Taulant Sinani, një nga bashkëthemeluesit e platformës. Së pari dua të theksoj se Sportisti Al është një projekt që ka nisur prej meje dhe partneres time, Erjona Bregu. Ideja e mori fillesën në vitin 2018, në një periudhë kur sapo isha njohur me Erjonën. Shpesh herë Erjona organizonte lojëra sportive mes miqsh dhe ishte shumë e aftë për këtë gjë, por ndonjëherë përballej me vështirësi për shkak se komuniteti i të njohurve spordashës ishte i limituar .Kjo më bëri të mendoj se një komunitet më i gjerë sportdashësish do ta lehtësonte shumë këtë proces. Kështu, i propozova Erjonës që ta kthenim këtë në një ide biznesi – një lloj “agjencie udhëtimesh”, por për aktivitete sportive.
E nisëm me një platformë të thjeshtë web, ku lojtarët regjistroheshin me të dhënat e tyre (si grupmosha, niveli, etj.). Hapëm gjithashtu rrjete sociale, përmes të cilave gjeneronim kontaktet me lojtarët. Fillimi ishte i vështirë – koncepti ishte i ri – por me ndihmën e miqve tanë arritëm të krijonim grupet e para të “Komunitetit Sportiv” dhe e lançuam projektin në dhjetor të vitit 2019.
Fillimisht, organizimin e bënim vetë, dhe pjesëmarrësit paguanin një tarifë shtesë përveç kostos së fushës. Por kuptuam shpejt se kjo ide biznesi nuk ishte e qëndrueshme: impenjimi ishte shumë i madh, fitimet të vogla, dhe lojtarët kishin preferenca të veçanta që ne nuk arrinim t’i përmbushnim në këtë format.
Kështu, lindi ideja për të krijuar një platformë më të avancuar, ku njerëzit të organizoheshin vetë, të gjenin lojtarë të ngjashëm dhe të kishin mundësinë të gjenin apo të rezervonin komplekset sportive.
Filluam kërkimet, pamë që kishte platforma të ngjashme në shtete të tjera europiane dhe kuptuam që ishte një ide biznesi që, në disa vende, kishte pasur sukses. Kjo ishte një shenjë e mirë për ne, pasi na jepte besim se mund të funksiononte. Por, nga ana tjetër, Shqipëria ishte një realitet shumë ndryshe dhe kërkonte një platformë të përshtatur për tregun tonë.”
Na trego pak më shumë për veten. Cili është sfondi yt profesional dhe marrëdhënia me sportin?
Unë, Taulanti, kam lindur dhe jetuar deri në moshën 14-vjeçare në një fshat pranë Tiranës. Kujtimet më të bukura nga fëmijëria janë pikërisht aktivitetet sportive me shokët e lagjes. “Si 99% e çunave në fëmijëri, doja të bëhesha futbollist. Nuk e provova kurrë — mbeti një ëndërr, pasi kushtet ekonomike dhe izolimi i fshatit nuk ma mundësonin. Në moshën 14-vjeçare fillova gjimnazin “Ismail Qemali” në Tiranë. Për shkak të largësisë nga shokët e rinj, aktivitetet fizike u kufizuan ndjeshëm. Kam qenë një nxënës i apasionuar pas shkencave ekzakte, por dëshira për të ndjekur juridikun më privoi nga rruga e inxhinierisë ose ekonomisë. U diplomova për Drejtësi në vitin 2011, por kuptova që nuk ishte zgjedhja e duhur. Për arsye ekonomike nuk mund të përballoja një diplomë të dytë, ndaj shumë shpejt u orientova drejt sipërmarrjes dhe fushës së shitjeve. Kam punuar si konsulent shitjesh dhe ndërmjetësimesh, si dhe kam menaxhuar për disa vite një bibliotekë private. E pezulllova këtë aktivitet për t’iu përkushtuar plotësisht Sportistit. Erjona ka provuar gjithashtu të hapë një agjenci udhëtimesh, por për shkak të përqendrimit te projekti Sportisti, iu desh ta pezullonte atë iniciativë. Sot, ajo operon në fushën e konsulencës dhe shitjeve në sektorin e Real Estate. Ka përfunduar studimet për Financë dhe Ekonomi dhe është rritur nga një baba i apasionuar pas sportit, prej të cilit kemi marrë edhe sugjerimin për emrin e platformës. Erjonën do ta përshkruaja si një vajzë me energji të pashtershme dhe si një person që çdo gjë që merr përsipër e realizon me pasion dhe përkushtim maksimal. Ajo ka një aftësi të jashtëzakonshme për të komunikuar, si dhe për të krijuar dhe ruajtur lidhje afatgjata me njerëzit.
Si funksionon aplikacioni për një përdorues të ri?
Çdo i apasionuar pas sporteve ka mundësi të krijojë profilin e tij, ashtu si në çdo rrjet social, me fokus te sportet që i pëlqen të luajë dhe aftësitë për secilin prej tyre. Përmes Sportisti.al, përdoruesi mund të organizojë një lojë duke ftuar persona të ngjashëm sipas grupmoshës, nivelit dhe shumë filtrave të tjerë që e ndihmojnë të gjejë lojtarë me interesa të përbashkëta. Loja mund të organizohet mes miqsh si një event privat, ose si event publik me ftesë të hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë. Brenda aplikacionit ofrohet edhe mundësia e komunikimit përmes chat-it, si individualisht, ashtu edhe në grup. Gjithashtu, çdo përdorues që ka ekipin e tij, mund të krijojë një profil të posaçëm për ekipin dhe të kërkojë sfida me ekipe të tjera. Përveç kësaj, aplikacioni u mundëson përdoruesve të gjejnë komplekset sportive dhe të bëjnë prenotimin e fushave në mënyrë të thjeshtë dhe të shpejtë. Në fund të çdo eventi sportiv, pjesëmarrësit kanë mundësinë të vendosin rezultatin e lojës dhe të japin vlerësime për lojtarët e tjerë, duke krijuar kështu një ndjesi gare dhe komuniteti mes sportdashësve që përdorin aplikacionin.
Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha gjatë zhvillimit të aplikacionit?
Vështirësia e parë me të cilën u përballëm ishte mungesa e informacionit dhe përvojës sonë në fushën e teknologjisë. Nga ana tjetër, edhe vetë tregu vendas në vitin 2020, kur ne e nisëm projektin, nuk ofronte profesionistet që mund t’i gjesh sot. Ishte një projekt kompleks që kërkonte ekspertë të fushës, dhe kjo e bënte sfidën akoma më të madhe. Hera e parë që provuam bashkëpunimin me një kompani zhvillimi rezultoi e pasuksesshme. Humbëm një vit kohë. Megjithatë, nuk u dorëzuam. Filluan kontaktet me shumë kompani, vendase dhe të huaja, dhe zhvilluam negociata me dhjetëra prej tyre për të gjetur një marrëveshje të përshtatshme. Na u desh gati një vit për të marrë një vendim, pasi kostot shkonin përtej çdo parashikimi fillestar, dhe projekti u financua vetëm nga të ardhurat tona personale, të siguruara përmes punës sonë. Gjatë kësaj periudhe njëvjeçare të negociatave, humbëm shumë kohë, por fituam një eksperiencë të vlefshme mbi tregun dhe teknologjitë në fushë. Në të njëjtën kohë, çdo aktivitet sportiv që organizonim na ndihmoi të analizonim më në detaj proceset dhe nevojat e përdoruesve, në mënyrë që aplikacioni të ofronte zgjidhjet më efikase të mundshme si për sportdashësit, ashtu edhe për komplekset sportive. Kompania me të cilën nënshkruam marrëveshjen për zhvillimin e aplikacionit na premtoi një afat prej 4 deri në 6 muaj për realizimin, por në realitet aplikacioni u lançua në Play Store dhe App Store vetëm pas një viti. Ishte një rrugëtim me shumë sfida, por jemi krenarë që nuk u dorëzuam dhe arritëm ta çonim deri në fund. Pasi aplikacioni ‘Sportisti’ u publikua në Play Store dhe App Store, kemi kaluar muaj të tërë testimesh me shumë miq dhe bashkëpunëtorë që kemi njohur gjatë rrugëtimit tonë në ndërtimin e komunitetit sportdashës. Sot, ata janë jo vetëm përdoruesit tanë të parë, por edhe mbështetja jonë më e madhe – familja jonë e dytë.Kjo platformë nuk është thjesht një aplikacion, por një hapësirë ku pasioni për sportin bashkon njerëz, krijon miqësi dhe ndërton një komunitet që rritet së bashku përmes lojës. Po aq sfiduese ishte edhe pjesa e mirëmbajtjes dhe menaxhimit të mëtejshëm të platformës. Në përfundim të zhvillimit nuk arritëm të gjenim një marrëveshje të qëndrueshme me palën zhvilluese për mirëmbajtjen, ndaj u detyruam të rifillonim kërkimet për të ndërtuar një ekip të ri. Sot mund të themi me bindje se kemi arritur të sigurojmë stafin e duhur, dhe kemi njerëzit e nevojshëm për të zhvilluar më tej platformën. Ashtu si çdo risi, sfida më e madhe mbetet fitimi i besimit të përdoruesve, si dhe edukimi i tregut për të kuptuar vlerat dhe mundësitë që ofron Sportisti.al.
Cilat janë funksionalitetet kryesore të aplikacionit?
Sportisti Al është konceptuar si një rrjet social që bashkon njerëzit përmes sportit, por njëkohësisht u ofron atyre mundësinë të gjejnë ambientet sportive ku dëshirojnë të luajnë. Platforma i ndan përdoruesit në dy kategori kryesore: nga njëra anë janë lojtarët, dhe nga ana tjetër janë menaxhuesit e komplekseve sportive. Përdoruesi që është lojtar mund të krijojë evente sportive, të bashkohet në aktivitete të organizuara nga të tjerë, të ftojë persona me interesa dhe aftësi të ngjashme për të luajtur, të kërkojë dhe të gjejë komplekse sportive apo fusha, si dhe të bëjë prenotimin e fushës nëpërmjet aplikacionit.Ndërkohë, përdoruesit që janë menaxhues të komplekseve sportive kanë mundësinë të krijojnë profilin e kompleksit të tyre, të menaxhojnë axhendën e prenotimeve, dhe të marrin kërkesa për rezervime në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes aplikacionit.
Si e shikon të ardhmen e Sportisti.al? A ka plane për një version të ri, zgjerim jashtë Shqipërisë, ose funksione të reja?
Aktualisht jemi ende në fazën fillestare dhe po punojmë çdo ditë për të përmirësuar cilësinë e aplikacionit, si dhe për të integruar funksionalitete të reja, në mënyrë që të jetë sa më efikas si për lojtarët, ashtu edhe për komplekset sportive. Eshtë ende herët por zgjerimi i ‘Sportisti’ jashtë kufijve të Shqipërisë është padyshim pjesë e vizionit tonë. Pasioni për sportin nuk njeh kufij, dhe as ne.
Çfarë do t’u këshilloje të rinjve që kanë ide, por hezitojnë të ndërmarrin një iniciativë?
Çdo ide, sado e menduar, nuk është kurrë e përsosur, dhe gjithmonë do të dalin probleme gjatë rrugës që nuk i kishe parashikuar. Unë dhe Erjona jemi krenare që nuk u dorëzuam përballë çdo vështirësie që hasëm gjatë këtyre viteve për të arritur ta çojmë idenë tonë deri në këtë pikë. Megjithatë, ne jemi ende në fillimet tona, dhe është ende herët për të dhënë këshilla të plota, por ajo që kemi mësuar është se duhet të nisesh dhe të mos dorëzohesh përballë sfidave ose opinioneve të të tjerëve që thonë “nuk bëhet”. Nëse ajo ide që ke, ofron një shërbim për shoqërinë ku jetojmë, është një ide e mirë, herët apo vonë do të vijnë dhe frutat e punës dhe përpjekjes që ke dedikuar.
Në një fjalë – si do doje që të kujtohet Sportisti.al në fushën ku operoni?
Motoja jonë që prej fillimit ka qenë: “Sporti nuk është vetëm për t’u parë, luaj dhe ti.” Shpeshherë, kur isha fëmijë, dëgjoja gjyshin të komplimentonte dikë duke thënë: “Je një djalë sportist.” E pyeta çfarë do të thotë ky kompliment, dhe përgjigja ishte se një sportist është një individ me trup të bukur, të shëndetshëm, një njeri social dhe i disiplinuar në marrëdhëniet me të tjerët.
Dëshira jonë është që, përmes platformës Sportisti, të ndikojmë që këto vlera të jenë të pranishme tek çdo qytetar i Tiranës si fillim, por edhe tek i gjithë populli shqiptar në të ardhmen. Do të dëshironim shumë që të rinjtë dhe të rejat të kishin si pikë takimi të përditshëm jo vetëm baret apo klubet, por edhe terrenet sportive. Dëshira jonë është që, përmes Sportisti Al , sporti një ditë të kthehej në një trend dhe pasion të të gjithëve, jo vetëm të profesionistëve.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.