Nga Martín Guzmán dhe Joseph E. Stiglitz*
Me ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, bota humbi një udhëheqës të jashtëzakonshëm. Por trashëgimia e tij do të jetojë – jo vetëm në zemrat e atyre që i frymëzoi, por edhe në përpjekjet konkrete që ai nisi për të ndërtuar një ekonomi globale më të drejtë, më humane dhe më të qëndrueshme. I lindur si Jorge Bergoglio në Argjentinë, Papa Françesku përjetoi vetë padrejtësitë ekonomike në një nga ekonomitë më të paqëndrueshme të botës. Ai pa pasojat e sistemeve që i shërbejnë interesave të ngushta: pabarazi të thella, komunitete të copëtuara dhe fenomene sociale shqetësuese si kriminaliteti, varësitë dhe pasiguria.
Në skenën globale, Françesku u shndërrua në një nga zërat më të fuqishëm moralë, duke sfiduar strukturat institucionale që mohojnë dinjitetin e miliarda njerëzve. Si anëtarë të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore në Vatikan, patëm privilegjin të zhvillonim dialog të rregullt me të.
Ai e shihte ekonominë aktuale si një sistem që shpesh i jep përparësi fitimit para njerëzve dhe egoizmit para bashkëpunimit. Në enciklikën e tij Laudato Si’, ai paralajmëroi se mungesa e një busulle morale dhe e ndjenjës së solidaritetit do ta kthente tregun nga një burim pasurie në një mjet shkatërrimi, duke kontribuar edhe në krizën më të madhe të kohës sonë: shkatërrimin e mjedisit, “shtëpisë sonë të përbashkët”.
Françesku foli hapur kundër rregullave globale që favorizonin monopolët, sidomos në fushën e pronësisë intelektuale, ku mbrojtjet ligjore shpesh pengojnë qasjen në teknologji shpëtuese. Gjatë pandemisë COVID-19, ai i bëri thirrje Presidentit Biden të mbështeste pezullimin e të drejtave të pronësisë intelektuale për vaksinat, duke theksuar se jeta njerëzore duhet të ketë përparësi ndaj fitimit korporativ.
Lexo edhe: Takimi i pazakontë/ Trump dhe Zelensky bisedojnë për paqen në Lamtumirën e Papës
Në të njëjtën linjë, Papa ishte thellësisht i shqetësuar për vendet në zhvillim që ishin bllokuar në ciklin e borxhit sovran, duke penguar investimet në shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë. Kjo nuk ishte thjesht krizë borxhi, por edhe krizë zhvillimi dhe shenjë e humbjes së kompasit moral të sistemit ekonomik global.
Për këtë arsye, ai kërkoi krijimin e Komisionit të Jubileut për të hartuar propozime mbi zgjidhjen e krizës së thelluar të borxhit dhe zhvillimit. Duke u mbështetur në traditën biblike të Jubileut – një periudhë faljeje borxhesh dhe rivendosjeje ekuilibri – Papa kërkonte drejtësi, jo bamirësi.
Derisa mbylli sytë, ai vazhdoi të ndjekë nga afër punën e Komisionit, i shqetësuar për rolin e institucioneve multilaterale, që në vend të solidaritetit, shpesh shfaqin indiferencë.
Raporti i Komisionit të Jubileut do të prezantohet këtë verë në Vatikan, duke synuar reforma që krijojnë më shumë hapësirë fiskale dhe duke kërkuar përgjegjësi nga të gjithë aktorët: qeveritë e vendeve debitore, vendet kreditore, institucionet financiare dhe kreditorët privatë.
Me kurajë morale, Papa Françesku na kujtoi se ekonomia duhet të ketë në qendër njeriun, dinjitetin dhe të ardhmen tonë të përbashkët. Nuk ka homazh më të mirë për trashëgiminë e tij sesa ndërtimi i një sistemi financiar global që i shërben drejtësisë dhe mirëqenies për të gjithë.
*Martín Guzmán, ish-ministër i Ekonomisë së Argjentinës, është aktualisht profesor në Shkollën e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike në Universitetin Columbia.
Joseph E. Stiglitz, ish-kryeekonomist i Bankës Botërore dhe ish-kryetar i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, është profesor universitar në Universitetin Columbia, fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi dhe autor i librit më të fundit “Rruga drejt Lirisë: Ekonomia dhe Shoqëria e Mirë” (W. W. Norton & Company, Allen Lane, 2024).
E drejta e autorit: Project Syndicate, 2025.
Më shumë në: www.project-syndicate.org
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.