Shkruar nga Anila Bashllari
Si coach dhe mentore, shpesh kam takime dhe diskutime me CEO dhe drejtues ekipesh në koorporata, biznese dhe institucione të ndryshme. Ajo që konstatoj vazhdimisht gjatë bisedave është disbalanca midis aftësive teknike të drejtuesve të ekipit dhe aftësive të tyre ndërpersonale dhe udhëheqëse, pavarësisht nga investimi në trajnime që këto korporata bëjnë çdo vit për t’i zhvilluar ata si udhëheqës.
Kjo tregon se tek ne lidershipi ende kuptohet si status dhe privilegj në raport me modelin e ri të përgjegjësive dhe sakrificës.
Ndërsa punoj për më shumë se 30 vjet me korporata, institucione qeveritare dhe biznese, kam vënë re, vit pas viti, se në këto institucione promovohen individë në pozicione drejtuese bazuar më shumë në aftësitë teknike e ambiciet e tyre në krahasim me aftësitë ndërpersonale dhe të punës me njerëzit. Ky është një fenomen mbarëbotëror dhe natyrisht si pasojë do të ndihet mungesa më e madhe e drejtuesve në ditët e sotme.
Nëse kthehem në vitet e para të karrierës si drejtuese ekipi, mund të shoh qartë dështimet dhe të metat e mia, jo sepse më mungonin aftësitë dhe njohuritë teknike, por aftësitë e punës me njerëzit.
Artikulli u publikua më parë në faqen 82 të numrit 30 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Regjistroheni Këtu për të shkarkuar nr. 30 të saj.
Kjo është arsyeja pse më pëlqen puna që bëj tani: Të ndihmoj drejtuesit e ekipeve që të rriten personalisht dhe të zhvillojnë aftësitë e punës me njerëzit, po aq sa kanë investuar në aftësitë teknike. Udhëheqja e një ekipi ose një organizate kërkon që të përshtaten mirë aftësitë e punës me njerëzit, duke kuptuar psikologjinë që drejton sjelljen, zgjedhjet, veprimet dhe rezultatet e tyre.
Liderët e ardhshëm duhet të kuptojnë se në thelb të çdo organizate njerëzit janë aseti më i rëndësishëm. Kjo është arsyeja pse ata duhet të përqëndrohen në bazat e sjelljes njerëzore, nevojat e plotësuara ose të paplotësuara të punonjësve të tyre, çfarë i shtyn, motivon dhe frymëzon ata të shpalosin talentet e tyre dhe të performojnë në një nivel të lartë.
Pas vitesh debati mbi ndryshimin midis një menaxheri dhe një lideri, tashmë është dakortësuar se roli i liderit lidhet më shumë me aftësitë e punës me njerezit, sesa me aftësitë teknike. Një lider kërkon, siguron dhe krijon të gjitha parakushtet për angazhim, kënaqësinë në punë dhe performancën e dëshiruar. Pra, fokusohet në këto pesë aspekte kryesore:
- Mjedis pune i sigurt
Sipas Dr. Evian Gordon, një ndër pionierët në fushën e neuroshkencës integruese, një nga funksionet kryesore të trurit të njeriut është të na mbajë të sigurt. Në momentin që nuk ndihemi të sigurt aktivizohet automatikisht modaliteti lufto-mbathja-ngrij, duke na kufizuar të jemi racionalë dhe të llogjikshëm dhe, natyrisht, duke ulur përformancën dhe produktivitetin në punë.
Duke e kuptuar këtë, udhëheqësit kujdesen për punonjësit që sapo i bashkohen organizatës, gjatë ndryshimit dhe tranzicionit, bashkimit apo zgjerimit të saj. Ata ndajnë me punonjësit situatën ku ndodhet kompania, pozicioni i tyre në vecanti, vizionin për të ardhmen dhe drejtimin që duhet marrë. Ata e bëjnë këtë përmes empatisë dhe një qëndrimi pozitiv, vlerësimit të punës dhe kontributit të punonjësve, duke krijuar një kulturë besimi dhe guximi.
- Njohja, vlerësimi i punës dhe arritjeve
Ne i përdorim shumë këto fjalë për të njëjtin kuptim, pa i kushtuar vëmendje të mjaftueshme dallimit midis tyre. Dhe për drejtuesit që duan që ekipet e tyre të lulëzojnë dhe të krijojnë një kulturë të angazhimit të lartë të punonjësve, besnikërisë dhe performancës së lartë, është e rëndësishme të kuptojnë dallimin midis njohjes dhe vlerësimit.
Shumica e drejtuesve fokusohen tek njohja e arritjeve dhe performances, duke lënë pas dore vlerësimin ose duke supozuar që e kanë “mbuluar” edhe atë. Por, këto dy koncepte në fakt shërbejnë për qëllime të ndryshme. Ndërsa njohja ka të bëjë me shprehjen e mirënjohjes për veprimet e ndërmarra dhe rezultatet e arritura, VLERESIMI tregon mirënjohje për karakterin, personalitetin dhe vlerat e personit. Ai ndërton themelet që anëtarët e ekipit tuaj të ndihen më të vlerësuar si individë. Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm për të rritur nivelin e angazhimit të punonjësve, për të ndërtuar marrëdhënie dhe kohezion të ekipit dhe për t’i motivuar ata të bëjnë më të mirën.
- Dëgjimi aktiv që rrit besimin dhe sigurinë
Gjatë trajnimeve të mia me drejtuesit e ekipeve, veçanërisht kur tema është për komunikimin efektiv, ndaj shpeshherë këtë thënie të Dalai Lamës: “Kur flet, përsërit atë që ti di. Kur dëgjon, mëson diçka të re”. Është një “truk” për të tërhequr vëmendjen e audiencës menjëherë, por në të njëjtën kohë për t’i ndihmuar ata të depërtojnë brenda vetes të dhe gjejnë përgjigjet.
Komunikimi i shëndetshëm midis drejtuesve dhe ekipit të tyre krijon themelet për besim dhe respekt. Kur anëtarët e ekipit tuaj mendojnë se dëgjohen, kjo krijon hapësirën për angazhimin e tyre, ndajnë idetë dhe japin reagime të sinqerta. Për të mos përmendur që sjell rezultate më të mira, rritje të efikasitetit, kreativitetit dhe inovacionit.
- Përafrimi i vlerave personale dhe atyre të punës
Ne si qenie njerëzore vlerësojmë atë që është e rëndësishme për ne. E njëjta gjë është e vërtetë për çdo korporatë, biznes apo organizatë dhe gjëja më e mirë si udhëheqës është të ndani shpesh vlerat e organizatës me anëtarët e ekipit tuaj.
“Përmendini këto vlera sa më shpesh që të jetë e mundur, në çdo takim, diskutim, projekt ose në çdo moment të vetëm që punonjësit tuaj duhet t’u kujtohen”, thotë Bill George, autori i “Zbuloni veriun tuaj të vërtetë – duke u bërë një udhëheqës autentik”. Shpjegojuni atyre rëndësinë e vlerave dhe sigurohuni që ato të kuptohen plotësisht dhe të zbatohen çdo ditë. Lavdëroni punonjësit tuaj për demonstrimin e këtyre vlerave në veprimet dhe performancën e tyre të përditshme.
Kur anëtarët e ekipit tuaj janë të vetëdijshëm për vlerat e tyre, vlerat e korporatës dhe përafrimin e tyre, kjo rrit nivelin e angazhimit, kënaqësisë dhe performancës.
- Komunikimi efektiv
Kur u pyetën se cili është faktori më i rëndësishëm i mbijetesës si qenie njerëzore, shumica e pjesëmarrësve u përgjigjën ushqimi, strehimi, ajri etj. Dhe ata kishin të drejtë. Por, për habinë e tyre (dhe timen gjithashtu kur lexova për studimin) një faktor tjetër, po aq i rëndësishëm sa ushqimi dhe strehimi, ishte lidhja shoqërore. Duket e çuditshme të besosh, por ne jemi të lindur për marrëdhënie me njëri-tjetrin dhe jetojmë në komunitet në mënyrë që të mbijetojmë dhe të ndihemi të plotë.
Sipas studimit të 60,000 drejtuesve nga Neuroshkencëtari i UCLA University, Lieberman, më pak se 5% arrijnë rezultate të larta në punë si dhe në ndërtimin e marrëdhënieve shoqërore, duke krijuar një mjedis të shëndetshëm për ekipin e tyre, duke promovuar ndjenjën e përkatësisë dhe lidhjes midis anëtarëve të ekipit.
“Jo shumë njerëz i kombinojnë të dyja në mënyrë efektive,” tha Lieberman.
Lajmi i keq është se më pak se 5% janë në gjendje të kombinojnë të dyja. Lajmi i mirë është se ka 95% hapësirë “të virgjër” për të mësuar, për të jetuar sipas parimeve të lidershipit dhe për të udhëhequr nëpërmjet tyre.
Udhëheqja është një aftësi që mund të mësohet dhe shumë shpërblyese për ju personalisht dhe organizatën me të cilën punoni.
Artikulli u publikua më parë në faqen 82 të numrit 30 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë digjitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 30 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.