Universiteti i Prishtinës mirënjohje Albanian ICT Awards dhe kandidatëve të saj për promovimin e këtij institucioni të arsimit të lartë
Dje në Universitetin e Prishtinës u mbajt një ceremoni e shpërndarjes së mirënjohjeve për disa prej finalistëve të edicionit të katërt në shenjë vlerësimi për pjesëmarrje dhe promovim të vlerave të këtij institucionit të arsimit të lartë.
Më datë 7 Korrik 2016, në një ceremoni solemne të organizuar në zyrat e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, Rektori Marjan Demaj, shpërndau mirënjohje për Prof. Dr. Blerim Rexha, Shef i Departamentit të Informatikës pranë FIEK dhe fitues i çmimit ICT Akademiku i Vitit 2015, Arta Shehu Zaimi finaliste në Kategorinë ICT Femra e Vitit me projektin jCoders, Arlinda Sheholli finaliste në kategorinë ICT Diploma e Vitit me projektin e-Health për iOS dhe Ilir Murturi finalist i kategorisë ICT Diploma e Vitit me projektin Improving Quality of Election Process using Crowdsourcing Techniques.
Gjatë kësaj ceremonie nderuan me pjesëmarrjen e tyre, Rektori i Universitetit të Prishtinës Prof. Dr. Marjan Demaj, Prof. Ass. Teuta Pustina Krasniqi Prorektore për Zhvillim dhe Cilësi dhe Prof.Asoc.Dr. Naser Sahiti Prorektor për Mësimdhënie dhe Çështje Akademike.
Rektori i UP-së falënderoi profesorët dhe studentët të cilët përfaqësuan Universitetin e Prishtinës në edicionin e katërt të Albanian ICT Awards dhe njëkohësisht u shpreh i gatshëm për të mbështetur dhe shpërblyer të gjithë akademikët dhe studentët të cilët përfaqësojnë dhe promovojnë Universitetin e Prishtinës.
Mirënjohjet për katër kandidatët e Albanian ICT Awards shkuan në shenjë vlerësimi për kontributin dhe arritjet e tyre të dalluara në fushën e teknologjisë së informacionit dhe promovimin e Universitetit të Prishtinës.
Duke vlerësuar arritjet e Albanian ICT Awards dhe duke dhënë garanci për një bashkëpunim më të ngushtë në edicionet e ardhshme, z. Demaj foli edhe për reformat në UP dhe ngritjen e cilësisë në arsim.
Rektori shpërbleu me mirënjohje edhe organizatorët e Albanian ICT Awards për kontribut në ngritjen e imazhit pozitiv të Universitetit të Prishtinës në hapësirën mbarëshqiptare.
/Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto




