Të premten çeli dyert edicioni i 5-të mbarëkombëtar i shpërblimeve në teknologji, Albanian ICT Awards - Business Magazine Albania

Të premten çeli dyert edicioni i 5-të mbarëkombëtar i shpërblimeve në teknologji, Albanian ICT Awards


Të Premten Albanian ICT Awards çeli edicionin e 5-të të shpërblimeve në fushën e teknologjisë së informacionit një traditë tashmë disa vjeçare e shtëpisë botuese ICTSmedia si organizatore e këtij aktiviteti.

Me kandidatë që vijnë nga Tirana, Prishtina, Shkodra, Tetova, Durrësi, Gjakova e mbarë trevat shqipfolëse, kjo garë mbarëkombëtare prej 5 vitesh ka vlerësuar mbi 500 projekte të ndryshme individuale apo institucionale duke tërhequr vëmendjen e aktorëve shqiptarë të rëndësishëm.

Duke filluar nga dita 27 Janar deri më 31 Mars të gjithë të apasionuarit, studentët, akademikët, institucionet publike dhe inovatorët mund të aplikojnë online në faqen e Albanian ICT Awards. Aktivitetit dedikuar kësaj ngjarje iu bashkuan personazhe dhe figura të rëndësishme nga bota e teknologjisë, biznesit, akademisë, administratës publike, medias si: Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, Dekani i Fakultetit të Shkencave Natyrore z. Spiro Drushku, Drejtori i AITA Dritan Mezini, zv Rektori i Universitetit të New York në Tiranë Kostas Giakumis, Drejtori i AUK në Kosovë Enis Vehapi dhe Përfaqësuesi i Parkut Teknologjik në Universitetin e Europës Juglindore Visar Demiri.

Me mbështetjen tradicionale të Fondacionit Dritan Hoxha, Bankës Raiffeisen, Albvision, Microsoft, UNYT, AUK, SEU Tetovo, ky eveniment unik çdo vit ka për qëllim identifikimin dhe shpërblimin e inovatorëve, profesionistëve, akademikëve, entuziastëve dhe udhëheqësve të suksesshëm.

“Jemi dëshmitar i frikës se revolucioni i 4-tërt industrial do të rrisë papunësinë. ICT Awards është në mesin tonë për të thënë se kjo nuk ka për të ndodhur. Kemi arritur të ngjallim frymën e garës në teknologji dhe kemi bërë përpjekje për promovimin e femrave në sektorin e IT-së. Kandidatët tanë nuk janë vetëm heronj të ICT Awards, por edhe të kohëve moderne,” u shpreh bashkëorganizatori Kushtrim Shala në fjalën e tij hapëse të aktivitetit.

“Nuk ndodh që evenimentet të tilla të kenë jetë të gjatë në Shqipëri. Mund të them se ICT Awards është në një maratonë. Dixhitalizimi i ka kursyer buxhetit të shtetit miliona Euro. Këtë vit, për të tretin me radhë, do të aplikojmë me projekt tjetër atë të pagesës së parkingjeve, të cilat do të bëhen përmes një aplikacioni celular duke filluar nga muaji Shkurt,” tha z. Veliaj i pranishëm në sallë.

DSC_1423

Veliaj tha se përveç inkurajimit që jep ICT Awards ekziston një hendek i madh, mungesa e elementit të financimit afatgjatë të startupe-ve. “Është për të ardhur keq se shumë prej startup-eve apo iniciativave në vendin tonë bëjnë sukses jashtë Shqipërisë,” vijoi ai.

Juria e Albanian ICT Awards e përbërë nga personalitetet më të spikatura të sektorit të teknologjisë së informacionit në Shqipëri dhe Kosovë u përfaqësua në këtë aktivitet nga Altin Petre i cili u shpreh me fjalët:

“Kam patur nderin të jem pjesë e ICT Awards prej tre vitesh me mundësi për të takuar të rinj, të apasionuar dhe profesionistë. Ajo që dua t’u them të interesuarve është që ta përdorin ICT Awards si një platformë ku mund të masin aftësitë e tyre dhe për të tërhequr vëmendjen e bizneseve pse jo edhe qeverive drejt zhvillimit të ideve të tyre. E them me plot bindje se është eventi më i rëndësishëm për të zbuluar ekselencën në IT.”

Ajo funksionon në mënyrë të pavarur dhe e bazuar në mënyrë strikte në rregullat dhe kriteret e vlerësimit të vendosura me profesionalizëm të lartë, të cilat kanë në fokus vlerat më të spikatura të sektorit të IT-së, komunikimit, biznesit dhe të shoqërisë.

Krahas shtatë kategorive tradicionale Innovation of the Year, Mobility of the Year, Diploma of the Year, Rising Star of the Year, Public Service of the Year, Academic of the Year dhe Women in ICT, ky edicion sjell çmimin e ri Cyber Security of the Year.

Ardian Alaj, koordinator i ICT Awards për Kosovën dhe Maqedoninë, tha se ky çmim do të shpërblejë profesionistët e rrjetit, IT, bazave të të dhënave dhe aplikacionet që kanë dhënë kontribut në rritjen e nivelit të sigurisë. Kjo kategori përbëhet nga tre nën kategori të tjera: Profesional, Company, Team.

Këtij aktiviteti iu bashkëngjiten disa prej historive të suksesit në edicionin e kaluar si Baboon, Dentem, jCoders dhe Formon ku njëzëri ata vunë theksin tek fjalët e z. Veliaj në lidhje me investimet e munguara në drejtim të startup-eve.

DSC_1503

Të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e Albanian ICT Awards me kontributin e tyre do të kenë në dispozicion një formular online.

Një trashëgimi e një shpirti të madh, por një vendi të vogël, Albanian ICT Awards është shndërruar në një ndër evenimentet më të dashura për komunitetin ICT në çdo trevë shqipfolëse. Prej vitesh ky eveniment ka qenë porta e suksesit për fitues e kandidatë, të cilët shkruajnë çdo vit historinë e Albanian ICT Awards. (ICTSmedia)

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0