Në një botë që ndryshon shumë shpejt, industria automotive, është një nga industritë më të prekura. Nissan Leaf, është një prej makinave të para elektrike të tregut masiv. Aktualisht në gjeneratën e 2 të saj, ajo doli në shitje për herë të parë në vitin 2010.
Si pjesë e grupit Renault-Nissan-Mitsubishi, edhe fokusi i Nissan është së tepërmi tek makinat elektrike. Japonezët, përveç Leaf, e cila është makina elektrike më e shitur në botë, kanë prodhuar gjithashtu edhe një furgon elektrik të quajtur eNV200 Evalia për tregun masiv. Ndonëse me një gamë shumë të vogël produktesh, Nissan ka vazhduar e sigurtë rrugën e saj.
Në vitin 2017, u prezantua Nissan Leaf i ri, i cili pak nga pak po “pushton” tregjet e vendeve të ndryshme. Me një autonomi prej rreth 250 kilometrash, ajo po fillon të bëhet një nga zgjedhjet më të preferuara të klientëve të ndryshëm.
Ndonëse thuajse të gjitha kompanitë kanë prezantuar modele elektrike, Nissan dhe Renault, e kanë këtë prioritetin e tyre kryesor.
Por, që e gjithë kjo të funksionojë, kërkon që i gjithë sistemi aktual të ndryshojë. Dhe ky ndryshim ka filluar tashmë, me vende si Norvegjia, të cilat duket se janë shumë vite përpara pjesës tjetër. Në Norvegji, mund të gjesh pika karikimi kudo. Imagjinoni, të gjeni një pikë karikimi (mundësisht fast-charger) në Çajup, ose në Tamarë.
Shqipëria nga ana tjetër, ndonëse larg mesatares, ka filluar përpjekjet e saj. Në fakt, Tirana, është një nga ato vende e cila dëshpërimisht ka shumë nevojë për më pak makina që ngjajnë me një tren me qymyr. E gjithë kjo, paradoksale nga njëra anë me problemet e vendit, por nga ana tjetër, një nga ato probleme të cilat flenë për vite dhe kur zgjohen, për fat të keq, kthehen edhe në tragjedi.
Ne patëm rastin të provojmë për disa ditë një nga makinat e flotës së SayTaxi, pjesë e projektit Tirana Last Mile. Pikërisht një Nissan Leaf S të vitit 2015.
Diferenca midis saj të fikur dhe të ndezur, është vetëm ekrani në dashboard. Ajo është aq e heshtur sa njerëzit që ndodhen jashtë, kurrë nuk do të mund t’a kuptojnë nëse makina është e ndezur. Madje nëse kalon në ndonjë rrugicë me të, duhet patjetër të përdorësh borinë. Ndryshe, askush nuk do ta kuptojë që ti je aty. Gjithashtu, edhe dridhjet që shkaktohen zakonisht nga motorri me djegie të brendshme nuk egzistojnë. Të ngarit të saj është gjëja më e lehtë në planet. Përveç pedalit të gazit. Por, nëse je i kujdesshëm me të dhe nuk e përdor makinën si një adoleshent ende në ekstazë nga marrja e patentës, gjithçka është në rregull.
Ajo është e madhe sa një Renault Clio 4 thuajse, kamera e saj e pasme, e bën të parkuarit të saj tepër të lehtë.
U frikësuat nga fakti që makina përshpejton shpejt? Nuk ka nevojë në fakt. Çfarë sensi do kishte e gjithë kjo atëherë? Mjafton që me të njëjtin kujdes që tregojmë tek një makinë me kambio automatike dhe me motorr me djegie të brendhsme të heqim këmbën nga frenat me xhentilesë, dhe me besim të plotë e them: Eshtë shumë më e lehtë të kontrollosh lëvizjet në momente delikate si parkimi apo vendet e ngushta ku duhet të kontrollojmë mirë se mos makina gërvishtet.
A e bëjnë këto cilësi këtë Nissan Leaf një makinë perfekte për përdorim qytetas? Absolutisht që po. Udhëtimi me të është tepër relaksues. ekonomik, dhe miqësor me natyrën. Por a mund të jetë një makinë e tillë, po aq e përshtatshme edhe për udhëtimet ndër-qytetase?
Kështu vendosëm që të udhëtonim drejt Durrësit. Ekzaktësisht, sipër në kodër mbi Vollgën, tek Vila e Mbretit Zog. Gjithashtu me ndihmën e një mbajtëse të dedikuar, morëm edhe biçikletën me vete. Udhëtimi? Super i qetë.
E vetmja gjë që të bezdis, janë “krateret” e rrugës Tiranë-Durrës të cilat të bëjnë të ndihesh sikur je duke bërë “off-road”.
Me një shpejtësi mesatare prej rreth 85km/h, makina shpenzon 25% të kapacitetit të saj për një rrugë të tillë rreth 45 km.
Kështu, kthehemi në Tiranë me rreth 30% bateri, dhe 42 kilometra të mbetura.
Një nga pikëpyetjet më të mëdha të të gjithëve, është se si do të mund ta karikojmë makinën. Alternativat janë të ndryshme në fakt. Me t’u kthyer nga qyteti i Durrësit, vendosëm të përdorim pikën e karikimit tek parkimi i Sheshit “Skënderbej”. Kjo pikë, është e ofruar nga Telekom dhe është tërësisht falas. Ajo që duhet të paguani, është vetëm parkimi, ashtu si gjithë përdoruesit e tjerë të ambjentit.
Një karikim i plotë nga 0 në 100% me një prizë të tillë, kërkon rreth 10 orë. Ajo çka është më e sugjeruar, është përdorimi i një garazhi personal. Gjatë natës, makinën mund t’a vendosin në karikim, dhe ajo ndërkohë bëhet gati për ditën tjetër. Për dikë i cili do t’a përdorë atë si një makinë të përditshme, autonomia prej rreth 140km e Nissan Leaf në fjalë, është mëse e mjaftueshme. Ajo çka duhet të bëjmë është të ecim brenda rregullave të qarkullimit, dhe të mos abuzojmë me përdorimin e gazit.
Por nuk është vetëm kjo mënyra e vetme. Me një karikues fast-charger, makina mund të karikohet shumë më shpejt, duke na lënë kohë të konsumojmë një kafe apo një ushqim të shpejtë ndërkohë që makina karikohet. Një i tillë, ndodhet tek Spitali Hygeia.
Më konkretisht, u deshën vetëm 25 minuta, që makina të karikohej nga 30 në 80%. Përdorimi i fast-charger, bëhet i mundur me anë të një karte, në formë abonimi, nga kompania poseduese e makinës.
Kështu pasi na u desh të kryenim dis detyra, vendosëm që t’i ngjitemi malit të Dajtit. Makina, patjetër, konsumon më shumë energji në rrugët malore për shkak të pjerrësisë. Por, që prej vitit 2013, Nissan Leaf është i paisur edhe me një opsion B (breaking) përveç D (drive) klasik që ka çdo makinë. Nëse e zgjedhim atë, do të ndjejmë që makina do të frenojë lehtë vetë teksa ne heqim këmbën nga pedali i gazit.
I shihni 4 rrathët jeshil?
Ato tregojnë se sistemi ështu duke mbledhur mbrapsht maksimumin e energjisë. Kjo bën bën që pas pak ne të shohim që niveli i baterisë do të rritet. Nga 37%, ajo do të shkojë në 38% e në vazhdim. E gjithë kjo, e varur nga rruga. Shpesh, makina nuk ka nevojë që ne të përdorim gazin dhe frenat. Në një pjerrësi të caktuar ajo ruan një shpejtësi e cila është optimale dhe nuk ka nevojë që të përdorim më shume se vetëm timonin.
Kurrë më parë nuk na ka shkuar mendja se do mund të furnizoheshim me karburant ndërkohë që ecim me makinë. Por sot, është e mundur.
Tirana gjithashtu pak nga pak po arrin në nivelin kur të kesh një makinë elektrike nuk është më problem. Ato janë tepër ekonomike për t’u mbajtur sepse nuk kanë nevojë për vaj apo filtra për t’u ndërruar. Ferrotat ndërrohen më rrallë. Gjithashtu diagnostikimi në disa vende të botës bëhet nga vetë kompania. Kështu, ata monitorojnë mbarvajtjen e makinës, me ne, që e përdorim rregullisht.
Skepticizmi është i madh. Dhe do të marrë edhe pak kohë që shumë cliché të marrin një formë tjetër. Ato janë alternativa më e mirë për përdorim qyteas për shumë arsye. Dhe Nissan Leaf, është një zgjedhjet më të mira për këtë. Si një entuziast dhe i dashuruar me të vjetrën, dhe konkretisht, me mekanikën, nuk e mendoja se do t’a thoja kaq shpejt këtë.
Por, a nuk është mirë teksa ruajmë ambjentin, kursejmë para, dhe njëkohësisht kryejmë punët tona të përditshme?
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.