Banka e Shqipërisë, në mbledhjen e saj të fundit, ka miratuar Deklaratën e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e parë të vitit.
Në deklaratën paraprake, Banka e Shqipërisë vlerëson se në 6-mujorin e parë të vitit 2020, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht sfidave që paraqiti situata e pandemisë në vend.
Sektori bankar nuk u prek nga kriza ekonomike e koronavirusit, për shkak të masave të marra nga banka qendrore.
“Masat operacionale të marra nga bankat për sigurimin e vijueshmërisë së funksioneve kritike mundësuan që veprimtaria e ndërmjetësimit financiar të vijojë në mënyrë të përshtatshme dhe treguesit financiarë të sektorit bankar të mbeten në nivele të mira”, sqaron në faqen e saj zyrtare, Banka e Shqipërisë.
Lexoni: Trajnim për Procedurat e Prokurimit Publik
Pasiguria për zhvillimet ekonomike në kushtet e pranisë së pandemisë mbetet e pranishme dhe të tilla mbeten edhe sfidat për veprimtarinë bankare e financiare.
Banka e Shqipërisë, mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe për të kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar.

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji “Për Bankën e Shqipërisë”.
Raporti do të publikohet i plotë në ditët në vijim, në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.