Si të bëhesh një regjizor i mirë i jetës tënde - Business Magazine Albania

Si të bëhesh një regjizor i mirë i jetës tënde



Albert Gjoka, menaxher i  Bukinist

Shënim rreth librit “Shihemi në maj” të biznesmenit Kosta Petrov, i botuar në shqip nga shtëpia botuese “Toena”

Secili prej nesh ka historinë e tij. Por, sfida më e madhe nis atëherë kur dikush të kërkon ta tregosh historinë tënde; të tregosh atë histori natyrshëm, me të vërtetat e thjeshta, me sukseset dhe dështimet, me majat e larta dhe me humnerat e thella. Në këtë kërkesë sfiduese pakkush arrin që ta rrëfejë vetveten pa ego, dhe janë të rrallë ata që arrijnë të fitojnë besim duke hyrë në zemrën dhe mendjen e të tjerëve përmes rrëfimit të historisë së tyre.

Historia e Kosta Petrov është e tillë; sepse është e sinqertë, është e vërtetë, është reflektive dhe e sheh botën ashtu siç është.

Për këto dhe shumë arsye të tjera, libri i tij “Shihemi në maj” ia vlen të lexohet. Ai është një tërësi leksionesh të vlerta në rrugëtimin tonë drejt një jete më të mirë. Ky nuk është libër autobiografik, por një model për të kapërcyer kufijtë që i vendos secili prej nesh vetvetes. Shumëkush e pranon veten si pjesë të fatit të vendit ku ka lindur. E bashkë me të paracaktohet edhe fati: “Kam lindur në këtë vend të varfër dhe unë nuk mund të bëj gjëra të mëdha!! Këtë destin fatalist e kapërcen mjeshtrisht Kosta Petrov.

Kosta Petrov është një biznesmen maqedonas, i lindur në Gostivar, familja e të cilit u zhvendos në Shkup kur ai ishte i vogël. I ati e kishte provuar emigracionin, gjë që ndikoi edhe në jetën dhe natyrën e Kostës. Që në moshë të re provoi të realizonte dëshirat, si për shembull të udhëtonte në Amerikë, të bëhej regjizor, apo të kishte një diplomë universitare jashtë Maqedonisë.

Kur kanë kaluar shumë vite jete dhe që sot ai drejton një kompani me qendër në Shkup, me rrjet aktivitetesh në disa shtete të botës, përvojat vijnë si leksione jete me shumë vlerë: Nismat në biznes, dështimet, puna me koorporatat, partneritetet, zhgënjimet dhe sukseset janë pjesë e pandashme e Petrovit, të cilat ai do dhe di përse t’’i ndajë me ne.

Petrov nuk është ballkanasi tipik, me ego dhe identitet të fortë lokal apo nacional, – përkundrazi, ai është individi që kërkon të shkojë tek thelbi i qenies dhe të kuptojë mekanizmat universalë që udhëheqin shoqërinë tonë.

Ndonëse autori rrëfen vetë jetën e tij, ulje-ngritjet, frikën, ankthin, dështimin, kurajon, sukseset dhe sfidat, – të gjitha këto vijnë si ngjarje dhe ndjesi që janë apo mund të jenë pjesë e secilit prej nesh. Pra, nuk kemi të bëjmë me një rrëfim personal, por me një model jete që ofron plot këshilla me vlerë që i shërbejnë secilit prej nesh.

Në këtë libër, Petrov na jep disa leksione jete, shumicën e të cilave i ka përjetuar apo vuajtur mbi kurriz gjatë viteve të jetës dhe punës së tij. Mjafton të ndajmë vetëm disa prej tyre, të cilat mund të kenë vlerë edhe për ju: “Gjërat negative në jetë janë gjërat më të mira që ju kanë ndodhur ndonjëherë!” apo “mos e paragjyko të kaluarën tënde, dhe mos e ndëshko veten për shkak të saj, por pranoje atë si diçka që do të duhej të ndodhte ashtu”.

Lexo: 4 librat më të kërkuar të biznesit dhe zhvillimit personal në Panairin e Librit 2018, Tiranë

Në rrugën drejt majës na duhen aleatë, prandaj autori propozon që t’i mbajmë sa më afër njerëzit tanë të dashur, pjesëtarët e familjes, dhe miqtë “sepse ata janë mbrojtja më e mirë kur ne jemi në rrënim”;

“Universi ka një plan për ty, prandaj ti duhet të jesh i lumtur atëherë kur universi të jep atë që të duhet, e jo atë që do”. Marrëdhënia jonë me universin është një lojë që luhet çdo çast të jetës tonë, ku herë humbet dhe herë fiton. Qenia njerëzore vjen në botë për të sjell diçka të re, për të ndryshuar realitetin; Rruga drejt suksesit nuk është kurrësesi një fushë me lule; Ji i sigurt dhe mbushe veten me emocion, – “Çdo ditë që shkoj në zyrë më duket si të ishte dita e parë”, – thotë Petrov.

Sipas tij, “dallimi mes njerëzve të suksesshëm dhe atyre jo të suksesshëm është tek vetbesimi. Nuk janë as paratë edhe as pamja”. Që të shihemi në majë, mirëmenaxhimi i kohës dhe ndarja e kohës me ata që kanë të njëjtat qëllime me ato tuajat, janë disa masa për të arritur atë që doni. Plani drejt suksesit bëhet nëse ne ndërrojmë perceptimin për gjërat pasi perceptimi është shumë më i rëndësishëm sesa realiteti. Kurrë nuk duhet të lejoni që dikush ta kuptojë frikën tuaj, apo mungesën e përvojës”.

Maja do të jenë pjesë e jona nëse kemi siguri në vetvete, besojmë tek suksesi, ëndërrojmë gjëra të mëdha, marrim përgjegjësi për veprimet tona dhe krijojmë perceptimin se jemi mbreti i botës. “Më besoni se atëherë universi do t’jua japë gjithë atë që e keni merituar”, – thotë biznesmeni Kosta Petrov. Ai pohon se ne jemi menaxherë të fatit tonë. Bëhuni ai individi i shquar, i cili do të tregojë se në jetë të gjithë kemi talent të caktuar që e posedojmë me një arsye!

Lexo: TVSH bën rrëmujë në tregtinë e librit

Në rrugën drejt suksesit Petrov thotë se duhen admiruar njerëzit e mëdhenj por nuk duhen t’i shohim si idhuj. “Zbuloni se ç’i bën ata të suksesshëm dhe përpiquni që të merrni mësim nga suksesi i tyre”. Një prej leksioneve më të rëndësishme është ta njohësh frikën brenda teje. A e dini që, sipas shumë hulumtimeve, 78 për qind prej nesh, 8 orë në ditë i kalojmë duke u marrë me frikën që ndiejmë! Sapo të keni edhe dyshimin më të vogël në suksesin tuaj, e gjithë ajo shtëpi do të shembet dhe do t’ju duhet ta ndërtoni çdo gjë nga fillimi. Mes gjërave të çmuara që ndan me ne autori është edhe leximi i mesazheve që na vijnë në përditshmëri dhe lufta që bëjmë me kaosin.

“Në të gjitha situatat universi më ka dërguar mesazhe, mirëpo është fakt se jam unë ai që i kam tërhequr ato gjëra në jetën time. Me energjinë tonë ne tërheqim suksesin dhe kaosin. Në këtë moment, më e rëndësishme është ta shikoni kaosin që keni në jetën tuaj dhe t’i lokalizoni veprimet tuaja që ju kanë sjellë deri te ky kaos. Kur ta bëni këtë, atëherë do ta fitoni forcën me të cilën do të mund ta eliminoni këtë kaos”.

Këto janë vetëm disa prej leksioneve të jetës që na rrëfen një ballkanas i mirë që i kapërcen kufijtë fizikë dhe mendorë të vetes dhe vendit të tij dhe jo një europian, amerikan apo aziatik i ditur. Kjo është një arsye më shumë për ta dëgjuar dhe lexuar Kosta Petrovin.

Nëse do ta lexoni këtë libër, me siguri një ditë do të jeni regjizor më i mirë i jetës tuaj!

Librin e gjeni tek linku KETU

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
1
1