Si suksesi i TikTok ndezi garën për videot e shkurtra? - Business Magazine Albania

Si suksesi i TikTok ndezi garën për videot e shkurtra?

Si suksesi i TikTok ndezi garën për videot e shkurtra?

Dominimi i TikTok në tregun e videove të shkurtra po forcohet gjithnjë e më shumë, duke nxitur platformat më të mëdha teknologjike në botë të garojnë për të kapur hapin. Që nga lançimi global në vitin 2016, TikTok, në pronësi të ByteDance, ka arritur të grumbullojë mbi 1.12 miliardë përdorues aktivë mujorë në të gjithë botën, sipas të dhënave të Backlinko. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, përdoruesit kalojnë mesatarisht 108 minuta në ditë në aplikacion, sipas Apptopia.

Suksesi i TikTok ka riformësuar peizazhin e mediave sociale, duke detyruar konkurrentë si Meta dhe Google të përshtatin strategjitë e tyre rreth videos së shkurtër. Megjithatë, sipas ekspertëve, asnjë prej tyre nuk ka arritur të barazojë saktësinë algoritmike të TikTok. “Është qendra e internetit për të rinjtë,” u shpreh Jasmine Enberg, zv.presidente dhe analiste kryesore në Emarketer. “Aty shkojnë për argëtim, lajme, trende, madje edhe për blerje. TikTok vendos ritmin për të gjithë të tjerët.”

Përpjekjet e platformave rivale

Platforma si Instagram Reels i Meta-s dhe YouTube Shorts i Google kanë zgjeruar agresivisht ofertat e tyre, duke prezantuar veçori të reja, mjete për krijuesit dhe madje duke konsideruar aplikacione të veçanta vetëm për të konkurruar. Edhe LinkedIn, në pronësi të Microsoft, tradicionalisht një rrjet profesional, ka nisur eksperimentimin me flukse në stilin e TikTok. Ndërkohë, TikTok vazhdon të evoluojë, duke shtuar veçori si integrimet e-commerce dhe video më të gjata, duke shtuar presion mbi rivalët nëse mund ta ndjekin ritmin. “Unë bëj ‘doom scrolling’ çdo ditë,” tha Alyssa McKay, krijuese përmbajtjesh në TikTok.

Lexo edhe:Një aplikacion që mund të organizosh evente sportive? Po, quhet “Sportisti AL”!

Ana tjetër e medaljes

Megjithatë, rritja marramendëse e konsumimit të përmbajtjes së shkurtër ka ngritur shqetësime për shkurtimin e vëmendjes dhe problemet e shëndetit mendor, veçanërisht tek të rinjtë. Sipas Dr. Yann Poncin, profesor në Qendrën e Studimeve të Fëmijëve në Universitetin Yale, përdorimi i tepruar i scrollimit të pafund ka ndikuar në çrregullimin e gjumit dhe rritjen e nivelit të ankthit. “Scrollimi i pafund dhe videot e shkurtra janë dizajnuar për të kapur vëmendjen në shpërthime të shkurtra,” shpjegon Dr. Poncin. “Dikur, argëtimi të merrte në një udhëtim përmes një historie. Sot, synohet të të mbajnë të lidhur vetëm për disa sekonda, për të të servirur më pas përmbajtjen tjetër që algoritmi e di se do të të pëlqejë.”

Sfidat e monetizimit

Pavarësisht angazhimit të jashtëzakonshëm të përdoruesve, monetizimi i videove të shkurtra mbetet një sfidë. Në ndryshim nga përmbajtja e gjatë në YouTube, ku mund të vendosen reklama të shumta gjatë videos, videot e shkurtra ofrojnë hapësirë të kufizuar për reklamuesit. Edhe krijuesit ndihen të prekur nga kjo situatë. “Nuk ka qenë kurrë më e lehtë të bëhesh viral,” tha Enberg. “Por nuk ka qenë asnjëherë më e vështirë ta kthesh viralitetin në një biznes të qëndrueshëm.” Në vitin e kaluar, TikTok gjeneroi një total prej 23.6 miliardë dollarësh të ardhura nga reklamat, sipas Oberlo. Megjithatë, shumë krijues arrijnë të fitojnë vetëm disa dollarë për miliona shikime. YouTube Shorts paguan rreth katër cent për 1,000 shikime, shumë më pak sesa përmbajtja e gjatë në YouTube. Në anën tjetër, Instagram ka investuar më shumë në partneritete me marka dhe veçori të reja si “Trial Reels,” që u mundëson krijuesve të testojnë përmbajtje me një grup të kufizuar përdoruesish përpara se ta ndajnë me të gjithë ndjekësit. Meta i tha CNBC-së se monetizimi i Reels mbetet ende një proces në zhvillim.

Një dritare mundësie për rivalët?

Ndërsa ligjvënësit në SHBA shqyrtojnë mundësinë e ndalimit të TikTok për shkak të pronësisë kineze, konkurrentët shohin një dritare mundësie. Sipas Emarketer, Meta dhe YouTube mund të kapin deri në 50% të buxhetit të reklamave të rishpërndara, nëse TikTok përballet me kufizime në tregun amerikan.

 

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0