Si mashtrohen të rinjtë shqiptarë, aludohet për skemën "Ponzi" - Business Magazine Albania

Si mashtrohen të rinjtë shqiptarë, aludohet për skemën “Ponzi”


Dy djem të rinj, të pashëm dhe të veshur me marka, vetëm në pak ditë kanë arritur të arkëtojnë vlera të mëdha parash ndër studentë të Universitetit të Vlorës nëpërmjet prezantimit të një skeme për të cilën agjencitë shtetërore dyshojnë se ngjan me modelin e famshëm piramidal “Ponzi”.

Të prezantuar si trajnues të një kompanie turke, ata iu kanë kërkuar studentëve të bëhen pjesë e grupit duke paguar 1000 lekë, ku më pas ata do të krijonin një adresë në portalin e tyre dhe do të kishin një program të sofistikuar që t’i duhet të shpërndante 10 postime në ditë për të fituar 4 dollarë. Këto para mund të tërhiqeshin kur të bëheshin 300 dollarë, por kur arrije një shumë të caktuar, ata të zeronin llogarinë dhe të dërgonin një mesazh që kishe vepruar gabim në sistem.

Skemat funksionin kështu edhe me produkte të tjera, trajnerët shesin ndër të rinj paketa domain, me vlerë 70-75 mijë lekë (rreth 600-700 dollarë) disa herë më shumë se vlera reale e tregut. Çdo blerës duhet të gjejë dy blerës të rinj e kështu me radhë.

Sipas ofertës, konsumatori përfiton 5% të shumës prej 600 USD për çdo referim të drejtpërdrejtë që do të arrijë të realizojë, të cilat kalojnë në Bonus Point Statement.

Fitimi i parë për konsumatorin arrihet kur plotësohen dy çiftet e para, nga të cilat 150 USD kalojnë në Bonus Point Statement dhe 50 USD në Voucher Statement. Fitimet në vazhdimësi për konsumatorin arrihen atëherë kur të plotësohen 3 çifte të tjera, shumë e cila ndahet në 225 USD në Bonus Point Statement dhe 75 USD në Voucher Statement.

Me këtë ofertë janë mashtruar qindra të rinj në vend, të cilët edhe pse kanë arritur të realizojnë referimet dhe të kapin bonuset nuk kanë marrë asnjë para mbrapsht. Trajnerët janë zhdukur duke lënë pas jo vetëm paratë e humbura, por edhe konflikte të shumta sociale.

Me një kërkim të thjeshtë në internet sheh se çmimet e këtyre produkteve janë shumë më të lira. Një shitës britanik i produkteve të web-eve dhe hosteve “godaddy.com” e shet një domain me 11.9 euro dhe një host me 3.9 euro.

Kjo skemë e eksperimentuar në masë në Universitetin e Vlorës pasi është strukturuar mirë edhe në nivel menaxherësh, pasi ka grumbulluar shumat, ka përhapur lajmin te kreditorët se organizata ka falimentuar, ndërkohë që aktiviteti i saj vijon edhe sot në qendër të Tiranës dhe në të gjitha rrethet kryesore.

Tri skema të tilla që shesin produkte virtuale me çmime marramendëse po përhapen në masë, sidomos në qytetet e Fierit dhe Vlorës.

Burimet pranë kompanive pohojnë se janë përfshirë në këto skema rreth 4000 të rinj. Burimet policore kanë pohuar zyrtarisht për “Monitor” se janë në dijeni të aktivitetit të kompanisë, por nuk kanë zbardhur shumë detaje për shkak të konfidencialitetit.

Si po mashtrohen të rinjtë

20-vjeçarët e sotëm nuk i kanë të qarta përmasat negative që patën skemat piramidale të vitit 1997. Ekonomia e Shqipërisë dhe jeta sociale e vendit ka përjetuar dimensione të tjera pas atyre ngjarjeve ku mbi 205 mijë shqiptarë humbën 1.2 miliardë dollarë kursime në 24 firma piramidale. Vendi për pak shkoi në luftë civile dhe pas këtyre ngjarjeve, një pjesë e madhe e vlerave kombëtare dhe sidomos dokumentacionit, u zhdukën. Teksa për shumë familje shqiptare këto plagë janë ende të hapura, 20-vjeçarët e sotëm duket se janë pak të informuar për këtë tragjedi dhe pasojat e saj.

Teknologjia dhe avancimi i saj nga njëra anë dhe papunësia e lartë ndër të rinj (32%) nga ana tjetër po joshin gjithnjë e më shumë skema të sofistikuara të mashtrimit. Pikërisht këta 20-vjeçarë që janë njohësit më të mirë të teknologjisë, në kushtet e mungesës së tregut serioz të punës dhe me etjen për të siguruar të ardhura shpejt dhe pa lodhje, po bien çdo ditë e më shumë pre e mashtrimeve.

Kompanitë që po grumbullojnë me shpejtësi vlerat financiare kanë zgjedhur një mënyrë të sofistikuar me marketing të drejtpërdrejtë, duke i kontaktuar personat jo nga telefoni, po direkt. Janë përzgjedhur përgjithësisht disa punonjës të rinj që bëjnë ofertat për të rinj. Ata prezantohen si modele të rreme të personave që fitojnë mijëra euro në muaj nga klikimet në internet. Takimet kryhen në ambiente universitetesh dhe në zona që popullohen nga të rinjtë. Bëjnë disa prezantime në ‘power point’ dhe në këtë mënyrë arrijnë të krijojnë besueshmëri të mjaftueshme. Aq sa shumë të rinj kanë hyrë në borxhe për të investuar në këto skema.

Hetimet në Turqi dhe hapat e parë të policisë shqiptare

Në vitin 2014, shteti turk do të vihej në lëvizje për të parë anën mashtruese të “Mega Holding”, por sipas mediave vendase, shteti atje është përshirë edhe në plotësimin e mungesave ligjore për të frenuar mashtrimin e kompanisë. Gazeta “Hyrriet”, ndër mediat më të mëdha print në Turqi, raporton se organet e hetimit atje kanë zbuluar një shumë parash të barabartë me 70 milionë paund të grumbulluara nga kompania. Lista e të dyshuarve në kompaninë Mega përshin 160 persona me akuzën “Mashtrim i rëndë në progres”.

Policia shqiptare është në dijeni të aktivitetit të “Mega Holding”. Burimet policore pohuan se kanë dijeni për kompaninë, pa dhënë shumë detaje për çështjen, për shkak të elementeve të konfidencialitetit. Siç duket, hetimet janë ende në fazën e grumbullimit të të dhënave, teksa ekspertët ligjorë nuk janë të qartë rreth funksionimit të skemës.

Tregtia online dhe abuzimi me anë të saj ende nuk është e rregulluar shumë mirë ligjërisht. Teknologjia ka avancuar më shpejt se ligjet, ndaj dhe mashtrimet duket se janë të pashmangshme. Nga ana tjetër, autoritetet që merren me mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet financiare monitorojnë më së shumti subjektet ligjore që janë të ligjëruara, si bankat, kompanitë e sigurimit, fondet e pensionet dhe subjektet financiare jobanka.

Çfarë është një skemë “Ponzi”

Një skemë “Ponzi” është një operacion mashtrues i investimeve, ku operatori zakonisht tërheq investitorë të rinj, duke ofruar përfitime shumë më të mëdha se investimet.

Charles Ponzi, një nëpunës në Boston, e pati orkestruar një skemë të tillë në vitin 1919.

Një skemë “Ponzi” është e ngjashme me një skemë piramidale, të cilat janë të bazuara në përdorimin e fondeve të investitorëve të rinj për të paguar mbështetësit e parë. Një dallim nga skemat e mirëfillta piramidale, organizatori Ponzi mbledh të gjitha fondet përkatëse nga investitorët e rinj dhe më pas i shpërndan ato. Skema piramidale lejon çdo investitor të përfitojë direkt në varësi se sa investitorët e rinj janë rekrutuar.

Megjithatë, për të dy skemat, në fund nuk ka para të mjaftueshme për të kthyer shumat.

Skemat “Ponzi”, herë pas here, nisin si biznese legjitime, deri sa biznesi dështon për të arritur kthimet e pritura.

Biznesi bëhet një skemë “Ponzi” në qoftë se më pas vazhdon me kushte mashtruese. Sido që të jetë gjendja fillestare, përjetësimi i kthimit të lartë kërkon arkëtime gjithnjë e më të larta të parave nga investitorët e rinj për të mbështetur skemën. Një skemë “Ponzi” krijon një besim të gabuar në një realitet që nuk ekziston, duke injektuar shpresën për kthimin e investimit në shkallë shumë të lartë.

Sakaq edhe vendet mjaft të zhvilluara janë të shqetësuar se skemat “Ponzi” po gjejnë përhapje të madhe me zhvillimin e shpejtë të teknologjisë.

 

/Shekulli

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0