Investimet e huaja në Shqipëri! ''Ky projekt mund të sigurojë 5-10.... - Business Magazine Albania

Shqipëria në fokusin e SHBA-së: Gati investimet në teknologji dhe lidhja hekurudhore me Kosovën

Nga Adelina Onuzi

Ekonomia është padyshim një nga hallkat më të rëndësishme të zhvillimit të një vendi. Megjithë luhatjet e herëpashershme, Shqipëria vitet e fundit po shënon momente të rëndësishme në këtë aspekt, duke arritur të jetë tërheqëse e premtuese edhe për investimet e huaja. Interesi ndërkombëtar me kalimin e kohës po bëhet dhe më i ndjeshëm, teksa harta e të huajve që zgjedhin Shqipërinë për të investuar dhe bërë biznes shkon përtej vendeve fqinje dhe Evropës.

Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë rritje të qartë të investimeve të huaja. Nëse i përkthejmë në shifra, flasim për 2023-shin me 1.49 miliardë euro dhe për 2024-ën me 1.58 miliardë euro.

Përtej shifrave premtuese, pyetja që lind është, a po përfiton vendi nga i gjithë potenciali i tij dhe cilat sektore po preken më së shumti në këtë zhvillim?

Sipas Bankës së Shqipërisë, ndër sektorët që po prekin më shumë investime të huaja gjejmë pasuritë e paluajtshme në krye të listës me plot 379 milionë euro. Për të vijuar më pas me aktivitetet financiare që arrijnë në 286 milionë euro. Industria nxjerrëse renditet e treta me 213 milionë euro dhe e katërta është industria përpunuese me plot 173 milionë euro.

Shifra të tilla na tregojnë jo vetëm interesin e vazhdueshëm të investitorëve, por dhe një ndryshim të strukturës ekonomike, me sektorë të rinj që po tërheqin kapital të huaj.

Jo vetëm evropianët, por edhe amerikanët po investojnë në Shqipëri

Europa vijon të mbetet partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë, falë afërsisë gjeografike dhe lidhjeve historike të biznesit. Italia, Gjermania, Franca, Austria dhe Holanda janë ndër investitorët më aktivë, me përfshirje në sektorët e prodhimit, financave dhe pasurive të paluajtshme.

Por ajo që është më interesante është ndryshimi i peizazhit gjeografikë të investimeve. SHBA, e cila tradicionalisht ka qenë një aktor më i rezervuar në tregun shqiptar, po përgatitet për një angazhim shumë më të madh.

Në një intervistë për Business Magazine, Grant Van Cleve, President i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, shprehet i bindur mbi potencialin e pashfrytëzuar të vendit dhe flet për një projekt madhor që mund të ndryshojë ekonominë shqiptare. Por pavarësisht kësaj ai beson se vendi është në prag të një faze të re investimesh, ku aktorët amerikanë mund të luajnë një rol kyç. Deri tani, vëmendja është përqendruar te projektet e pasurive të paluajtshme si resortet e familjes Kushner, por sipas tij, ndikimi më i madh mund të vijë nga investimet në infrastrukturë dhe teknologji.

‘‘Mediat kanë folur për marrëveshje të profilit të lartë të pasurive të paluajtshme, si resortet Kushner. Ato janë të dobishme. Por lajmi i vërtetë është se konsorciumi po bashkohet për të siguruar nevojat kritike të infrastrukturës në Shqipëri dhe Kosovë. Për të ndihmuar në ndërtimin e hekurudhës që lidh Shqipërinë me Kosovën, për të përshpejtuar zhvillimin e portit dhe për të nisur një seri qendrash të dhënash (dhe projektet e energjisë për të mbështetur atë llogaritje të konsumit të lartë të energjisë). Kur qeveria flet për 1.6 miliardë euro IHD në vitin 2024, ky projekt mund të sigurojë 5-10 miliardë euro në vit.’’

Nëse ky projekt merr mbështetjen e duhur, ai do të shënojë një hap të madh përpara për Shqipërinë, duke e kthyer atë në një pikë kyçe për tregtinë dhe teknologjinë në rajon.

Kryeministri Edi Rama, gjatë aktivitetit “Match-Maker Albania 2025”, i bëri thirrje investitorëve të huaj të përfitojnë tani nga këto mundësi.

“Është koha për të blerë qoftë edhe një gur në Shqipëri, sepse nesër do të jetë vonë. Nesër të gjithë do të duan të vijnë, do të duan të blejnë dhe do të jetë shumë e shtrenjtë për shumicën prej jush.”

Ky mesazh përforcon idenë se Shqipëria është në një moment kyç, ku vendimet e marra sot do të përcaktojnë drejtimin e ekonomisë në dekadat e ardhshme.

Investimet e huaja në Shqipëri janë në një moment deciziv të zhvillimit të tyre. Me një rritje të ndjeshme në vitin 2024 dhe projekte miliarda eurosh në horizont, vendi ka një mundësi të artë për t’u pozicionuar si një lojtar i rëndësishëm në rajon.

Megjithatë, suksesi i kësaj faze do të varet nga aftësia e qeverisë për të krijuar kushte të favorshme për bizneset, për të ulur burokracinë dhe për të garantuar një klimë të qëndrueshme investimi. Nëse këto kushte plotësohen, Shqipëria nuk do të jetë më thjesht një treg në rritje, por një qendër strategjike për kapitalin ndërkombëtar.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

✨ Thënia e ditës
“Suksesi arrihet më shpesh nga ata që nuk e dinë se dështimi është i pashmangshëm.”
— Coco Chanel
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0