Serena Leka, shqiptarja që po trajnon ekselentët në mbarë globin - Business Magazine Albania

Serena Leka, shqiptarja që po trajnon ekselentët në mbarë globin


Nuk i ka mbushur ende të 24-at, por ka udhëtuar në 15 shtete të botës, ka qenë drejtoreshë ekzekutive e rrjetit të studentëve ekselentë në Tiranë, senatore klase, presidente e shkollës, kryetare e aktiviteteve jashtëshkollore, është e vetmja studente shqiptare që ka fituar një bursë prej 50.000 euro nga mbretëria daneze dhe aktualisht është pjesë e grupit bërthamë të studentëve ekselentë nga mbarë bota.

Serena Leka, vajza nga Fushë – Arrëzi që në fillore e cilësonin “nerd”, arriti të mposhtë paragjykimet e të qenit nga veriu (filloren e kreu tek “Skënder Luarasi” dhe “Shkolla e Kuqe”, në Tiranë) dhe shkëlqeu në mësime. Tani ajo është gjithmonë në ndjekje të mundësive për të udhëtuar, por çdo herë me projekte.

Muzika që dëgjon në kufje apo libri i fundit që ka lexuar? “Varet shumë nga udhëtimi i fundit që mund të kem pasur. Për shembull, në fund prilli isha në Bogota të Kolumbisë, e tani dëgjoj vetëm ritme latine. Sa i përket leximit, përgjithësisht sillem rreth fushës ku po specializohem. Libri i fundit ishte: “The Second Machine Age: Work, Progress, and Prosperity in a Time of Brilliant Technologies” nga Erik Brynjolfsson dhe Andrew McAfee”, meqë semestrin e kaluar u zgjodha mes 16 studentëve të talentuar në fushën e dixhitalizimit. Mezi po pres këtë verë të kem diçka artisitike në dorë”, – na tregon Serena.

Pavarësisht se jeta e saj është më e vrullshme se e bashkëmoshatarëve të saj, me udhëtime nga një njëri cep i botës në tjetrin (në fund prilli ishte në Kolumbi, ndërsa së shpejti do të udhëtojë drejt Koresë), Serenës i mungon shumë familja. “Më mungon shumë loja 500 (me letra), që e luaja me babin që ndoshta 10 vjeç”.

Me vetëm një 9-të gjatë gjithë viteve të gjimnazit, me mesatare 9.2 në fund të ciklit të studimeve për Financë e Kontabilitet në Fakultetin e Ekonomisë në UT, me 10 në temën e diplomës, Serena nuk ka gjithmonë gati një pyetje, përgjigje apo koment në sallën e leksionit, por ajo ka gjithmonë edhe një batutë, barcaletë apo shaka në xhep.

E ashtu si çdo moshatar edhe Serena ka momente kur lë mënjanë librat dhe argëtohet. “Kam pasur miq të mirë në çdo kohë dhe argëttimi s’ka munguar. Çmenduria më e madhe?! Ka plot të siguroj”, – na thotë Serena.

E si për të mbajtur larg mitin e të qenit “peshkope”, Serena na siguron se kohën e lirë e mbush me volejboll, me miqtë dhe me not. E këtu sjell ndërmend se sa shumë ka notuar në Tale të Lezhës, ku gjatë verës ndihmonte familjen në mbarëvajtjen e lokalit modest.

“Çdo gjë që kam bërë ka pasur një rezultat diku dhe dikur, jo gjithmonë në kohë, por më është kthyer në forma të ndryshme. Ta zëmë pas përfundimit të maturës, fillova të ndihmoj familjen në lokalin në Tale. Madje nuk shkova as në ballo. Kjo gjë vijoi dhe për 3 vitet e tjera, gjatë sezonit të verës sigurisht. Më e mira e të punuarit “hamallëk” është trajnimi që merr në shërbimin ndaj klientit. Sigurisht për mua kishte edhe një të mirë tjetër, se kështu paguaja “faturat” e makinës, për pjesën tjetër të vitit”, – na përgjigjet me sportivitet Serena.

Aktualisht po përmbyll temën e diplomës pranë universitetit të Aarhus-it. Dhe sigurisht edhe në këtë pikë Serena ka një mal me plane dhe është shumë ambicizoe në atë që do të arrijë. “Temën e diplomës po e shkruaj në bashkëpunim me një nga firmat më të fuqishme për industrinë inxhinierike, me më shumë se 25.000 punonjës në mbi 100 shtete në bote, Danfoss A/S. Unë po vlëresoj për ta mundësitë e krijimit të një fushe biznesi në Sistemet e Dedektimit të Rrjedhjes së Ujit për ndërtesa e banesa. Po ashtu, kam më shumë se 1 vit si menaxhere e rajonit për organizatën më të madhe e më të vjetër të Sipërmarrjeve të vogla që vijnë nga studentë të universiteteve. Kam një ekip me 10 studentë, ndër to dhe një studente tjetër Shqiptare – Besjana Sholla, me të cilët trajnojmë, zhvillojmë e përgatisim startup-e për të qenë gati në kompeticione apo për t’u rritur në treg. Së fundmi, jam pjesë e grupit bërthamë të Global Citizenship Youth Network, ku punojmë mbi parimet e UN Sustainable Goals 2030 dhe financohemi nga APCEIU. Brenda 1 jave do jem sërish në një event në Korenë e Jugut, ku shërbej si facilitatore dhe trajnere për procese advokimi e lobimi”, – thotë Serena.

E në këtë vrull të madh angazhimesh, ajo është me këmbë në tokë. Nuk e di nëse do të kthehet apo jo në Shqipëri, por ajo që di me siguri është që do të donte të shikonte vëllain dhe motrën të shkollohet në kushte më të mira se ajo.

“Kur je jashtë, shanset për të pasur plane stabël nuk janë gjithmonë të sigurta. Do preferoja të punoja dhe disa vite të tjera jashtë, jo patjetër në Danimarkë, e me shpresë të kthehem në Shqipëri më vonë për disa investime me ndikim social në grupime të ndryshme atje. Uroj deri atëherë, të mos më shijojë shumë rehatia e të qenit jashtë e të ndryshoj mendje. E nëse vendos të kthehem në Shqipëri, do të preferoja mësimdhënien në universitet. Do doja nga ana tjetër, të shikoja sërish ngjalljen e frymës së komunitetit dhe dëshirës për të ndihmuar pa pritur diçka në këmbim. E nuk diskutohet, do doja të shikoja motrën e vëllain e vogël të shkolloheshin në kushte më të mira se ato më herët”, na sqaron Serena.

CV-së së saj të gjatë, së fundmi ajo i ka “shtuar”, siç edhe thotë vetë me shaka, një foto me princin e danimarkës. “Princi i Danimarkës, Joachim ishte i ftuar në konferencën përmbyllëse të rrjetit të studentëve ndërkombëtare të talentuar në Danimarkë. Unë pata mundëis t’i bëja një pyetje. Me të qeshur, bëra dhe një foto me të, duke i thënë që kisha vënë bast që do mund të kisha një foto me të”, – na thotë me të qeshur Serena.

E kur e pyesim nëse ka shpresë ajo na përgjigjet me një batutë të fëmijërisë. “Kur ishim të vogla me kushurirat në Fushë-Arrëz, bënim shaka dhe thonim “Shpresa jeton tek kati I-rë”. D.m,th. ka shpresë. Ajo është më e sigurtë dhe e afërt nëse të rinjtë u qëndrojnë besimeve të tyre dhe principeve bazë”, – e mbyll këtë rrëfim interesant Serena.

burimi: Citizens Channel

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0