Sa lodra blejnë shqiptarët çdo vit? - Business Magazine Albania

Sa lodra blejnë shqiptarët çdo vit?

1 Qershori, dita e fëmijëve, padiskutim që ka në qendër të saj lodrat, si dhurata më e dëshiruar për ata që festojnë. Por, sa lodra blejnë shqiptarët në një vit? “Scan Intel” ka bërë një përllogaritje të përafërt të vlerës së këtij tregu në vendin tonë, për të kuptuar jo vetëm përmasat e tregut, por sidomos shpenzimet për një fëmijë sa i përket lodrave si një prej njësive të argëtimit, pasi ka edhe shumë argëtime të tjera për fëmijët, të cilat kanë padiskutim kosto të tjera.

Duke qenë se lodrat në Shqipëri janë produkt importi, do t`i referohemi për këtë përllogaritje pikërisht shifrave të tregtisë së jashtme. Këto të fundit tregojnë në gjatë dy viteve të kaluara, 2021 dhe 2022 importi i lodrave në vlerë ka prekur nivele rekord maksimale. Madje, vitit 2021 regjistron rekordin më të lartë historik, prej 3.7 miliardë lekësh. Kjo shifër ka zbritur pranë 3.4 miliardë lekëve gjatë vitit të kaluar. Rekordi i vitit 2021 tregon se tendenca e rritjes së vlerës së lodrave të importuara në vendin tonë nuk është e shkaktuar nga rritja e çmimeve, por me shumë gjasa merr shtysë nga vëmendja e rritur për fëmijët me pandeminë.

Por, ndërkohë që për vitin e fundit importet e lodrave në vend kapin vlerën e 3.4 miliardë lekëve, sa vlejnë në treg këto lodra? Me një `markup`, pra diferencës së çmimit të shitjes me çmimin e importit pranë rreth 50%, siç shprehen aktorët e tregut, shifra totale ngjitet në 5.1 miliardë lekë. Kjo diferencë mes çmimit të blerjes në import dhe çmimit të shitjes nuk është e gjitha marzh fitimi, pasi mbulon edhe kostot, veçanërisht ato operative.

Pra, janë rreth 5.1 miliardë lekë lodra që blihen çdo vit në Shqipëri, ose rreth 47 milionë euro, sinjalizojnë shifrat. Ndërkohë, në Shqipëri, sipas Institutit të Statistikave ka rreth 461,728 fëmijë, pra të grupmoshës 0 deri në 14 vjeç. Nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se mesatarisht, një fëmijë shqiptar konsumon rreth 11 mijë lekë lodra në vit, ose rreth 918 lekë në muaj. Kjo përllogaritje bazohet mbi konceptin e mesatares, pasi ka fëmijë të cilët përfitojnë ndjeshëm më shumë lodra se sa kjo shifër, dhe fatkeqësisht ka fëmijë që përfitojnë më pak se kjo mesatare apo edhe aspak.

Nga ana tjetër, duhet theksuar se këto shifra i referohen kryesisht lodrave fizike, dhe nuk janë të përfshira ato kompjuterike, me të cilat “fatura” e lodrave dhe lojrave për një familje shqiptare do të ngjitej ndjeshëm mbi nivelin e 100 eurove në vit për një fëmijë, apo edhe argëtimeve të tjera si bicikleta, scooter, etj. Scan

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0