OpenAI çon në gjyq Elon Musk - Business Magazine Albania

OpenAI çon në gjyq Elon Musk

Elon Musk ofron 97.4 miliardë dollarë për OpenAI – Sam Altman e refuzon!

OpenAI ka paditur Elon Musk, duke e akuzuar se ka përdorur “taktika në keqbesim” për të ngadalësuar qëllimisht zhvillimin e kompanisë dhe për të përfituar në mënyrë personale nga teknologjia më e avancuar e inteligjencës artificiale. Sipas OpenAI, Musk – bashkëthemelues i kompanisë, por që është larguar prej saj disa vite më parë – po përpiqet të marrë kontrollin mbi zhvillimet më të rëndësishme të AI-së, duke vënë interesat e tij mbi ato të publikut.

“Veprimet e vazhdueshme të Elon kundër nesh janë thjesht taktika në keqbesim për të penguar OpenAI dhe për të marrë kontrollin e inovacionit më të avancuar në AI për përfitime personale,” thuhet në një deklaratë të OpenAI të mërkurën. “Sot, ne e paditëm në kundërpërgjigje.”

Muajin e kaluar, një gjykatës federal në Oakland, Kaliforni, caktoi marsin e vitit 2026 si datën e gjyqit për padinë e ngritur nga Musk, duke kërkuar përshpejtimin e procesit ligjor. Po i njëjti gjykatës, Yvonne Gonzalez Rogers, kishte refuzuar më herët kërkesën e Musk për të ndaluar përkohësisht transformimin e OpenAI nga organizatë jofitimprurëse në një kompani fitimprurëse.

Ajo gjithashtu deklaroi se pritet që Musk të dëshmojë personalisht në këtë çështje. Musk pretendon se OpenAI është larguar nga misioni i saj themelues, zhvillimi i AI për të mirën e njerëzimit dhe si rrjedhojë ka shkelur kontratën.

“Bëhet fjalë për kontroll. Bëhet fjalë për të ardhura. Në thelb është një person që thotë: ‘Dua të kem kontrollin e këtij startup-i’,” u shpreh Ari Lightman, profesor i mediave digjitale dhe marketingut në Universitetin Carnegie Mellon.

Sipas tij, kjo përplasje po shpërqendron vëmendjen nga çështja e sigurisë dhe barazisë në zhvillimin e AI-së: “Kjo temë e rëndësishme kalon në plan të dytë për shkak të gjithë kësaj zhurme për kontroll dhe fitim.” OpenAI, në një postim në platformën X, shkruan se Musk ka përhapur informacion të rremë për ta: “Elon nuk ka qenë kurrë për misionin. Ka qenë gjithmonë për axhendën e tij personale.”

Kompania xAI e Elon Musk – konkurrente e OpenAI – ka mbetur pas në garën për AI-në. Muajin e kaluar, xAI bleu platformën X (ish-Twitter), gjithashtu në pronësi të Musk. Musk pretendon se kompania e sapoformuar “XAI Holdings” ka një vlerë mbi 100 miliardë dollarë.

Në shkurt, ai bëri një ofertë të papritur për të blerë OpenAI për 97.4 miliardë dollarë, ofertë të cilën Altman e refuzoi me një postim ironik: “Jo faleminderit, por ne do të blejmë Twitter-in për 9.74 miliardë nëse dëshironi.”

Avokati i Musk, Marc Toberoff, i tha BBC-së: “Po të kishte shqyrtuar me të vërtetë Bordi i OpenAI ofertën, siç ishte i detyruar, do të kishte kuptuar seriozitetin e saj.”

“Është e qartë që ata parapëlqejnë të negociojnë me veten në të dyja anët e tryezës, në vend që të përfshihen në një marrëveshje të mirëfilltë në interes të fondacionit dhe publikut,” shtoi ai.

Burimi: BBC/ Përshtati: Businessmag.al

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0