Rimëkëmbje në turizëm, mes sfidash të forta   - Business Magazine Albania

Rimëkëmbje në turizëm, mes sfidash të forta  

turizëm

Me pandeminë e Covid-19, këto 2 vitet e fundit kanë qenë një plagë e hapur për turizmin në të gjithë botën, e veçanërisht për Shqipërinë. Ka qenë një periudhë e vështirë për bizneset e vogla e të mëdha, pasi pandemia i kapi të papërgatitur përballë saj. 

Edhe pse ky vit ishte pak më ndryshe se viti i kaluar, ku ka pasur rikthim të turistëve nga vendet perëndimore, ajo që u vu re ishin turistët e rinj arabë dhe serbë, por përsëri problematikat ishin të pranishme, duke filluar nga infrastruktura e akomodimit, tek infrastruktura rrugore, problemet me mjedisin, çmimet e larta që nuk i përshtaten standardeve që ofrohen, promovimi jo i duhur që i bëhet vendit tonë, si dhe mungesa e fuqisë punëtore. 

Për të na folur më shumë rreth këtyre çështjeveju ftojmë të lexoni intervistën e realizuar me Flora Xhemani Baba, themeluese e Baba Bloggers.

Artikulli u publikua më parë në faqen 19 të numrit 27 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 27 të saj.

Kjo verë ishte direkt pas bllokimit të një viti më parë nga pandemia, por sërish me pandeminë e pranishme. Cili është perceptimi juaj? Sa afër apo larg aktivitetit normal të viteve të mëparshme ishte turizmi?

Kjo ka qenë një verë e rrëmujshme, tërësisht larg pritshmërive të të gjithëve, qoftë të sektorit privat, qoftë të atij shtetëror, për nga numri i turistëve, por edhe nga shifrat gjithashtu. Të përgatitur për një sezon relativisht të dobët pas atij të 2020-ës, që pati vetëm 25-30% fluks dhe të ardhura, 2021-shi ishte një frymëmarrje, jo vetëm për bregdetin, ku përqëndrohet gjithë fluksi i muajve të verës, por edhe për turizmin që zhvillohet në brendësi, njësitë agroturistike, qytetet kulturore si Berati, Gjirokastra, Kruja, Shkodra, madje edhe vetë kryeqytetin, operatorët e të cilit në 2020-ën praktikisht “ulën qepenat”.

I gjendur nën pandemi edhe në 2021-shin, por pothuajse pa asnjë kufizim, turizmi shqiptar pati një fluks të tillë që vërtet mund të krahasohej në shifra me vitin tonë më të mirë, që është 2019-ta, duke gjeneruar rreth 80% të këtij fluksi. Lënia e situatës në gjendje të lirë, pothuajse pa asnjë kufizim, ishte ndër vendimet më të mira të qeverisë shqiptare, përpara një Europe thuajse të mbyllur, duke u dhënë “një dorë” bizneseve të rimëkëmbeshin nga humbjet kolosale të 2020-ës dhe nga ana tjetër, duke sjellë në Shqipëri, së paku dy grupe të reja turistësh; arabët dhe serbët. Të parët u dyndën drejt një Shqipërie krejtësisht të papërgatitur për këtë lloj turisti, kryekëput të ndryshëm nga turisti perëndimor që ishim mësuar të prisnim e që mungoi thuajse plotësisht këto dy vjet. 

Të dytët për shkak të mbylljes 2-vjeçare të Ballkanit. Nëse për turistin arab nuk kemi gjetur në terren asnjë grup interesi që ta dëshirojë vazhdimësinë e ardhjes së tyre, për shumë arsye që meritojnë të diskutohen gjatë në një bisedë tjetër, për turistin serb, ka një lloj gatishmërie, edhe për shkak të tipologjisë së këtij turisti, i cili shpenzon, është një turist i organizuar i natyrës familjare dhe mbi të gjitha pëlqen çmimet e bregdetit të rrëmujshëm shqiptar.

Lexo: 6 gjerë  që mësova nga Steve Jobs 10 vjet pas vdekjes së tij

Nga ana tjetër, me gjithë fluksin e ngjeshur dhe larminë e kombësive të turistëve të huaj, duke filluar që nga ukrainasit, polakët, rusët, serbët, arabët dhe pakica të tjera të të gjitha kombësive, përfundimisht turisti që vjen nga jashtë kufijve të Shqipërisë dhe që mund të quhet turist i huaj, i cili dominon ndjeshëm statistikat është turisti nga Kosova, me plot 2.2 milionë vizitorë për vitin 2021, që ende nuk është mbyllur.

2- Çfarë ka ndryshuar tek sipërmarrjet? Janë bërë më të forta, kanë investuar, janë mbyllur?

Sipërmarrjet janë një proces në zhvillim të vazhdueshëm dhe numri i atyre që hapen apo zgjerohen, është pa dyshim më i madh se i atyre që mund të mbyllen, për shkaqe që fillojnë nga pandemia dhe vazhdojnë tek vështirësitë e tregut. Kërkesa për të pushuar në Shqipëri është shumë e lartë dhe sektori privat do të vazhdojë të rritet. Problematika që shoqëron këtë rritje vjen nga sektori shtetëror, sepse kjo rritje po ndodh pa një strategji dhe pa kritere të caktuara, që të shkojnë në harmoni të plotë me terrenin shqiptar, qoftë si mjedis gjeografik, qoftë si politikë sociale dhe ekonomike. Tipologjia e zhvillimit të infrastrukturës pritëse në Shqipëri, konsiston tek biznesi familjar, por në këto momente, Shqipëria ka nevojë për një lloj të ri akomodimi, që është ai i resorteve masive, por me standarde të larta e jo me çmime të larta si këto që po ndërtohen. Dhe ato lloj resortesh, mund të ngrihen vetëm përmes brandeve ndërkombëtare. Por që ato brande të afrohen, duhet të zgjidhim problemin me pronat në bregdet. Dhe derisa të zgjidhet ky problem, nëse do të zgjidhet ndonjëherë, sektori do të vazhdojë të rritet rrëmujshëm.

3- Çfarë po ndodh me tregun në tërësi, promovimi, organizimi i infrastrukturës?

Oh, kjo është një pyetje shumë e gjerë, përgjigja e së cilës qëndron nëpër sirtarët e shtetit, ose të Ministrisë së Turizmit. Unë personalisht mendoj se para së gjithash ne duhet të zgjidhim njëherë e mirë problemet që kemi me mjedisin, madje kjo duhet zgjidhur para problemit të pronave. Sepse papastërtia e mjedisit, për të përdorur një fjalë të butë, është sot gangrena kryesore në trupin e një Shqipërie që pretendon se turizmin e ka të ardhme. Një sektor që konsiderohet si e ardhmja e ekonomisë e që në të vërtetë është një prej dy degëve shumë të rëndësishme, një sektor që tiparin kryesor të tij ka bukurinë (natyrore, kulturore, mjedisore, estetike) nuk mund të zhvillohet mbi male plot me plehra.

Organizimi i infrastrukturës ka gjithashtu problematika të rënda, duke filluar qysh nga transporti. Në Shqipëri lëvizet vetëm me autobus dhe makina private, duke e shndërruar trafikun në një ferr të vërtetë. Nëse kjo nuk do të zgjidhet së paku brenda një pesëvjeçari, me aeroporte, ne do të vazhdojmë të vuajmë pasojat e fluksit, pikërisht në verë, kur duhet t’i kemi rrugët e lira. Politikat afatgjata mund të kishin rivitalizuar hekurudhat, me një flotë trenash të mirëmbajtur, që do të kishte shmangur më shumë se 50-60% të fluksit Tiranë-Durrës-Vlorë, dhe që do të kishin kushtuar me siguri më pak se një lot i vetëm i rrugës automobilistike, duke e bërë njëkohësisht edhe të larmishme edhe interesante ofertën turistike, me itinerare krejt të reja.

Gjithashtu në Shqipëri ka më shumë apartamente se hotele, ndërkohë që si njësi tregtare ato janë krejtësisht jashtë sistemit tatimor, duke i bërë hotelet të shtrenjta, sepse paguajnë taksa dhe staf. Infrastuktura mjedisore, sistemi i kanalizimeve me ujëra të zeza që derdhen në det, mungesa e ujit, që plotësohet me depozita, i bën strukturat pritëse joefikase dhe të shtrenjta për shkak të kostove të shtuara.

Përsa i përket promovimit, edhe pse tashmë Shqipëria njihet mjaftueshëm, vazhdon të ndiqet strategji e gabuar, edhe aty derdhet ky buxhet për promovimin. Fjala vjen, bëjmë aktivitete, vizita dhe promovime turistike në Kosovë, e cila do vijë gjithsesi, apo në Poloni e Ukrainë, vende që i kemi tashmë në listë dhe nuk marrim mundimin të promovojmë në Hungari apo Hollandë, vende ku qeveria përkatëse bën ofertë antishqipëri, duke sugjeruar Kroacinë, Greqinë apo Malin e Zi, si destinacione ballkanike dhe ku turistët janë shumë të interesuar të vijnë, por nuk kanë informacion të mjaftueshëm.

4- Tregu i punës, cilat prej problemeve më të mëdha ka tani? Jemi ankuar gjithnjë për fuqi punëtore të pakualifikuar në këtë drejtim, por tani edhe emigracioni duket një plagë.

Problemi kryesor është fuqia punëtore në përgjithësi, qoftë edhe e pakualifikuar. Kjo çon në pamjaftueshmëri të stafit dhe për rrjedhojë në mungesë shërbimesh. Problemi kryesor për të cilin ankohen më së shumti turistët vendas dhe të huaj është pikërisht shërbimi, i cili vjen nga mungesa e stafit e pastaj edhe nga mungesa e stafit të pakualifikuar. Ky handikap i madh shkakton edhe luhatje të theksuar të çmimeve, të cilat shpesh konsiderohen të larta, por në fakt janë thjesht abuzuese, sepse nuk e justifikojnë nivelin e lartë, në raport me shërbimin që ofrojnë e jo sepse janë të larta në vetvete. Çmimi është një kërkesë-ofertë dhe tregu një rregullator i tij, por mungesa e plot aspekteve të tjera, që vijnë kryesisht nga mosplotësimi dhe mosnjohja e standardeve, krijon gjithë prishjen e ekuilibrave.

Problem tjetër i madh për tregun është edhe hemoragjia e pandalshme njerëzore, që po largon nga Shqipëria pikërisht stafin e kualifikuar të të gjitha fushave, duke e lënë tregun në mëshirë të fillestarëve, të nevojtarëve dhe të kontigjentit të emigrantëve të rinj që po vijnë nga vendet e botës së tretë me probleme lufte ose probleme të varfërisë së thellë. Dhe në këtë pikë, ne nuk mund të bëjmë asgjë, përveçse një sehir të trishtueshëm, sepse shërimin e kësaj plage e kanë në dorë pikërisht ata që po e shkaktojnë. Një mungesë vullneti e politikash nxitëse dhe një klimë thuajse e padurueshme për biznesin e vogël e të mesëm, po e bën gjithmonë e më të padëshirueshme Shqipërinë. Shpresojmë shumë që shkollat profesionale që po operojnë aktualisht në vend dhe departamentet e turizmit nëpër universitete, që sidoqoftë, janë shumë pak, të përmirësojnë sadopak këtë klimë pas ndonjë pesëvjeçari.

5- Cilat janë planet tuaja në të ardhmen si Baba Blogers?

Ne nuk bëjmë kurrë plane. Edhe si Baba Bloggers, ishim krejtësisht të papërgatitur për të qenë “bloggers”. Kam frikë se teknologjia po i bën njerëzit gjithnjë e më frenetikë e agresivë, duke humbur thelbin e gjërave që bëjnë ose duke e shmangur qëllimin kryesor. Ne, të gjithë ne, që duam s`duam, jemi të lidhur me teknologjinë, vrapojmë pas saj me çdo gjymtyrë, si e si të jemi sa më “mainstream”, por pikërisht atëherë kur mendojmë se e kemi kapur për brirësh, ajo na tregon gjuhën me një shpikje të re, për të cilën na duhet të vrapojmë sërish për ta kapur. Kur pasi njerëzia ishin futur të gjithë në vathën e Faceboook-ut, u shpik Instagrami dhe kur mezi u rehatuan të gjithë në Instagram, erdhi Tik-Toku. Pas tij me siguri na pret një kurth i ri, pa folur për qindra mënyrat e tjera të komunikimit, që e kanë kthyer trurin tonë në një sistem alarmi prej “beep-eve” të mesazheve. Tani fjala “blogger” po zëvendësohet gradualisht me “content creator” dhe nuk e dimë nëse duhet ta “ndërrojmë edhe ne lëkurën” që të vazhdojmë të jemi “in” apo do të qëndrojmë “old school” dhe do të vazhdojmë të mbajmë këtë që kemi. E dimë që ndoshta pas ca kohësh do të dukemi siç duket sot fjala vjen një iPhone 4 dhe e kuptojmë se kemi kohë që luftën me teknologjinë e kemi humbur, kështu që po, ndoshta mund të bëjmë edhe disa plane në të ardhmen. Për shembull, më shumë udhëtime në natyrë dhe më pak postime në internet.

Artikulli u publikua më parë në faqen 19 të numrit 27 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë digjitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 27 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0