Redpanda Interactive gati në Shqipëri me teknologjitë VR dhe XR – Intervistë me themeluesin, Efe Aksoy - Business Magazine Albania

Redpanda Interactive gati në Shqipëri me teknologjitë VR dhe XR – Intervistë me themeluesin, Efe Aksoy

Redpanda Interactive

Efe Aksoy, themeluesi i Redpanda Interactive, ndau në një intervistë për ne vizionin dhe strategjitë e tij për prezantimin e teknologjive imersive si Virtual Reality (VR) dhe Extended Reality (XR) në Shqipëri. Duke eksploruar tregje të reja dhe bashkëpunime inovative, Redpanda Interactive synon të transformojë mënyrën se si veprojnë bizneset shqiptare.

Redpanda Interactive

Mund të na tregoni më shumë për Redpanda Interactive dhe çfarë synoni të sillni në Shqipëri?

Redpanda Interactive fokusohet në krijimin e përvojave digjitale imersive, duke përdorur teknologjitë VR dhe XR. Veprojmë në dy drejtime: B2B dhe B2C. B2B përqendrohet në ofrimin e zgjidhjeve VR dhe XR për marka dhe organizata në fusha të ndryshme si burimet njerëzore, marketingu, eksportet dhe mësimi digjital. Ndërkohë, B2C fokusohet në krijimin e lojërave VR për përdoruesit fundorë, të cilat mund të shkarkohen përmes platformave si Steam dhe Meta Store.

Në Shqipëri, sjellim një qasje të re për digjitalizimin e proceseve dhe ofrojmë zgjidhje për industritë lokale, duke përfshirë turizmin, pasuritë e paluajtshme dhe sektorët FMCG. Përmes teknologjive VR dhe XR, synojmë të përmirësojmë angazhimin e klientëve dhe të krijojmë modele të reja biznesi për tregun shqiptar.

Çfarë mendoni se është e re për Shqipërinë me këto teknologji dhe cilat janë disa nga përfitimet kryesore?

Ajo që është vërtet e re për Shqipërinë është ndikimi transformues që VR dhe XR mund të kenë në industritë e ndryshme. Për shembull, në sektorin e pasurive të paluajtshme, VR mundëson vizitat virtuale të pronave nga blerësit ndërkombëtarë, pa pasur nevojë për vizita fizike, duke kursyer kohë dhe kosto. Në fushën e burimeve njerëzore, ne mund të ofrojmë trajnime virtuale për sigurinë në punë ose orientime virtuale për punonjësit e rinj.

Për sektorin e turizmit, mund të krijojmë përvoja marketingu virtuale për destinacionet shqiptare duke përdorur video 360°, që do të ndihmojë në promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik i jashtëzakonshëm. Gjithashtu, teknologjitë tona ndihmojnë kompanitë të rrisin angazhimin e klientëve përmes përvojave interaktive dhe imersive.

Zgjidhjet tuaja kur mund të jenë të disponueshme në Shqipëri?

Ato janë të personalizuara dhe zhvillohen sipas nevojave të secilit klient. Procesi fillon me krijimin e një skenari dhe historie, dhe më pas vazhdon me prodhimin e përmbajtjes. Ky mund të jetë në formën e prodhimit të videove 360° ose animacionit 3D, në varësi të kërkesave të projektit. Hapi përfundimtar është zhvillimi i softuerit VR ose XR, dhe pasi të jetë përfunduar e instalojmë projektin në setin VR për klientët tanë. Mesatarisht, zgjidhjet tona mund të dorëzohen brenda 30 ditëve pune.

Ku operon Redpanda Interactive?

Jemi në 18 vende në katër kontinente dhe kemi selitë tona në Finlandë, Lituani, Turqi dhe Shqipëri. Përvoja jonë ndërkombëtare na ka ndihmuar të zhvillojmë projekte të suksesshme në fusha të ndryshme. Kemi krijuar ture virtuale për fabrikat për kompanitë e prodhimit, duke i lejuar klientët e tyre të shohin ambientet e fabrikës pa qenë nevoja të udhëtojnë fizikisht. Për real estate, krijojmë përvoja të plota virtuale, ku klientët mund të eksplorojnë pronat në detaje dhe të bëjnë zgjedhje të bazuara në përvojën e tyre vizuale.

Redpanda Interactive

Si e shihni tregun shqiptar dhe atë të Ballkanit?

Ne shohim një potencial të madh për rritjen e teknologjive imersive në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit. Në planin afatshkurtër, synojmë të ndërtojmë një bazë të fortë, duke krijuar projekte për bizneset shqiptare, ndërkohë që në planin afatgjatë synojmë të bëjmë Shqipërinë një qendër për inovacionin VR dhe XR në Ballkan. Po ashtu, kemi plane për të krijuar një ekosistem të zhvilluesve të rinj dhe të kualifikuar, që do të ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të kësaj industrie.

Çfarë mesazhi do t’u jepnit bizneseve shqiptare që janë të interesuara për teknologjitë VR dhe XR?

Mesazhi im për bizneset shqiptare është që teknologjitë VR dhe XR nuk janë më vetëm për lojëra apo argëtim, por janë një mundësi e artë për të rritur angazhimin e klientëve, për të kursyer kohë dhe kosto dhe për të përmirësuar operacionet e tyre të përditshme. Kjo është një mundësi për të qenë në pararojë të inovacionit dhe për të pozicionuar bizneset shqiptare në skenën ndërkombëtare të teknologjisë.

Ky artikull është publikuar në numrin 36 të revistës Businessmag

Abonohu për të lexuar artikuj te BM!

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0