Punonjës nga Afrika edhe për sektorin call center? - Business Magazine Albania

Punonjës nga Afrika edhe për sektorin call center?

Numri i të punësuarve në sektorin call center shënoi tkurrje edhe gjatë vitit 2023. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), në periudhën janar-tetor 2023, në sektorin call center ishin 9,894 të punësuar.

Numri i të punësuarve në vitin 2022 ishte 11,452. Krahasuar me numrin vjetor të të punësuarve në 2022, numri i tyre ka rënë me 13%. Në 2015-n, ky sektor kishte 25,000 të punësuar. Krahasuar me 2015-n, numri i të punësuarve është pakësuar me 60%.

Edhe këtë vit, kompanitë e sektorit do të vijojnë të jenë në vështirësi për gjetjen e punonjësve. Operatorët rendisin si arsye kryesore të thellimit të hendekut nga viti në vit largimin e të rinjve në emigracion.

Ndërsa zgjerimi i kontratave me operatorë ndërkombëtare, duke përfshirë Apple, Booking apo DAZN (platformë ndërkombëtare për ndeshjet sportive) ka sjellë që ky sektor të mos jetë tërësisht i varur nga italishtfolësit.

Për zgjidhjen e kësaj problematike, kompanitë janë duke shqyrtuar mundësinë e punësimeve të të rinjve nga vendet e Afrikës dhe Filipinet që kanë njohuri të gjuhës angleze dhe asaj franceze.

Lorenc Goga, nga “Facile.it”, tha për “Monitor” se mbetet një opsion për t’u parë mundësia e marrjes së punonjësve nga Filipinet, apo shtetet e Afrikës së Veriut, si Tunizia dhe Maroku dhe të Afrikës Perëndimore, Gana dhe Nigeria.

“Nëse brezi i viteve ‘80-‘90 mësuan në mënyrë autodidakte gjuhën italiane, tashmë kjo nuk po ndodh më masivisht me të rinjtë e sotëm. Problematika kryesore nuk është mungesa e njohurive për gjuhë të huaja, pasi pjesa dërrmuese e të rinjve të sotëm janë njohës të gjuhës angleze.

Ky është avantazh për sektorin që ka zgjeruar kontrata e shërbimet me shumë kompani ndërkombëtare.

Problemi kryesor mbetet mosgjetja e punonjësve, për shkak të emigrimit. Aktualisht, kompanitë call center nuk mund t’i përgjigjen me punonjës zhvillimit të këtij tregu.

Në shumë raste jemi të detyruar që fushatat e shërbimit që mund t’i kryenin në vend, i kemi transferuar në Itali për zbatim, pasi nuk gjejmë punonjës. Një alternativë mbetet studimi i opsionit për marrjen e punonjësve të huaj”, tha ai.

Ndonëse deri tani nuk është finalizuar asnjë kontratë për rekrutime punonjësish në call center nga Filipinet dhe vendet e Afrikës, z. Goga thekson se para zbatimit të kësaj mase, është mjaft e domosdoshme që të mbështeten nga institucionet shqiptare me hartimin e një legjislacioni, për formalizimin e marrëdhënieve me punonjësit e huaj dhe për kualifikimin e tyre, me qëllim përjashtimin e rreziqeve të mundshme për mosfunksionimin e saj.

Për sa i përket alternativës tjetër për zgjidhjen e problematikës së punësimeve, duke përdor Inteligjencën Artificiale, Lorenc Goga, pohon se të gjitha kompanitë kanë avancuar me investimet për automatizim, duke i ndihmuar në reduktim kostosh, por roli i njeriut në këtë sektor mbetet i pazëvendësueshëm.

Edhe kompanitë e tjera të sektorit call center e kanë ngritur më herët shqetësimin se problematika me rekrutimet ka nisur që në vitin 2017 dhe vitet e fundit është kthyer në një shqetësim real.

Më tepër tkurrje të të punësuarve kanë kompanitë e vogla call center. Të mëdhenjtë, pas rënies së numrit të të punësuarve në pandemi, kanë nisur rikuperimin me rekrutimet.

Numri i kompanive call center, sipas të dhënave të DPT-ve në 10- mujorin e 2023 ishte 466 nga 523 operatorë që kryenin aktivitetin call center në 2022. Rënia e numrit të operatorëve është rreth 11%.

Administratori i kompanisë “Albacontact”, Ervin Gogo, pohoi më herët për “Monitor” se në terma afatshkurtër, problemi duket i pazgjidhshëm për sektorin, duke rrezikuar tkurrjen deri në mbylljen e kompanive të vogla.

Artikull i publikuar fillimisht te monitor.al

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0