“Princ Hotel” - Ju prezantojmë me resortin e parë shqiptar - Business Magazine Albania

“Princ Hotel” – Ju prezantojmë me resortin e parë shqiptar


Në Rërën e Hedhur në Shëngjin është përuruar resorti i parë shqiptar, një investim 7 milionë euro i biznesmenit shqiptar nga Maqedonia Z. Adem Abdullai.

Më në fund në Shqipëri u ngrit një miniresort i parë. Në Rërën e Hedhur afër Shëngjinit. Dhe krejtësisht investim shqiptar. Plot 7 milionë euro. Me emrin ‘Princ”, ndërtuar nga kompania “Prince Enterprise” shpk e shqiptarit nga Maqedonia Z. Adem Abdullai i njohur për biznese në fushën e ndërtimit dhe në linja marketesh në Maqedoni.

U përurua në 7 korrik mes qindra të ftuarish në fushën e turizmit, artit, medias, të cilët me veshjet e tyre elegante, rrallëkund mund të përshtateshin si në hollet, korridoret, tarracat luks të hotel “Prince” me 5 yje, me 3 dhe 5 kate e 1 kat parkimi nëntokë. Hotelit që të befason për arkitekturën moderne, projektuar tërësisht nga arkitektë shqiptarë, por që të kujton vilat e Hollivudit; me fasadë rrezëllitëse të bardhë, u mbizotërojnë hapësirat e xhamta, në formën e valëve të detit që gjendet përballë detit me plazhin me rërë të zezë e çadra të kuqe e të bardha. Një fasadë që në çdo këndvështrim shkrihet me peizazhin rrethues.

Hotel me plot 6000 m² sipërfaqe, me 81 dhoma, ndër të cilat 6 janë suita dhe 12 deluks me pamje nga deti. Me një pishinë verore të vogël, bare, restorante me kapacitete deri në 200 vende, sallë konferencash me kapacitete 70 vende apo edhe disko verore e të tjera ambiente rekreative për fëmijët.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 60 të numrit 11 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 11 të saj.

Edhe ambiente rekreacioni me fusha sportive dhe ambiente pushimi. Por krejt i veçantë është edhe holli i brendshëm rekreativ i hotelit, ndryshe nga hotelet me çka na është mësuar syri. Ai është aq i hapur, sa perceptohet vizualisht nga katet e tjera. Kjo i sjell hotelit më shumë komunikim hapësinor, pasi dhomat nuk janë më në korridore të mbyllura nga të dy krahët. Aty mund të shohësh lirisht edhe nga dera e dhomës së hotelit në çdo kat festa si kjo e përurimit të pazakontë të këtij hoteli.

Por pse Z. Adem Abdullai vendosi të investonte në Shqipëri e pse pikërisht në Rërën e Hedhur?

“Bregdetin ne Shqipëri e kam parë që në vitet ’90. Rëra e Hedhur më ka pëlqyer shumë, sepse ishte krejt e paprekur. Edhe klima këtu është e mirë, uji i pastër, edhe kodra e bën të vetën. Shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë por edhe diasporës duhet të vijnë të punojnë këtu. E kështu rrogat mujore do të rriten. Për 4-5 vite mendoj se rrogat e Shqipërisë do të jenë më të lartat e Europës. Shqipëria tani është lider i Ballkanit e unë besoj se edhe të tjerë biznesmenë të tjerë shqiptarë që njoh do të vinë të investojnë në Shqipëri”,-  u shpreh Z. Adem Abdullai në intervistën për Business Magazine Albania.

Cilët pritet të jenë pushuesit e këtij hoteli?

“Nuk do të ketë vend në hotelin tonë. Do kemi pushues jo vetëm nga Kosova, Maqedonia, por nga gjithë Europa”. Nga 45 euro për njeri këto ditë një natë në Hotel Prince mund ta gjeni edhe me 35 euro, ku përfshihet mëngjesi, çadra dhe shezlongu, por edhe përdorimi i pishinës, përveç detit dhe rërës së famshme kurative të Rërës së Hedhur, që aty e ka vetëm disa hapa larg. Ndoshta jo të gjithë munden ta kenë fatin ta shijojnë këtë mjedis high-class, por atyre që xhepi ua mban, nuk duhet që këmbët mos t’i mbajnë në të vetmin resort shqiptar – “Princ Hotel“.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 60 të numrit 11 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 11 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0