Plani i ri i BE për ndryshimet klimatike. Çfarë nënkupton kjo për Europën? - Business Magazine Albania

Plani i ri i BE për ndryshimet klimatike. Çfarë nënkupton kjo për Europën?

ndryshimet klimatike

Bashkimi Europian ka prezantuar të mërkurën planin e tij më ambicioz për të luftuar ndryshimet klimatike, me një varg politikash, të cilat në mënyrë të detajuar, tregojnë se si duhet të veprojnë 27 ekonomitë e bllokut europian, për t’u bërë më të mira për natyrën këtë dekadë.

BE-ja tashmë ka publikuar qindra faqe me propozime. Vendet anëtare dhe Parlamenti Europian duhet të negociojnë dhe më pas miratojnë secilin propozim.

Politikat do të luftojnë burimet më të mëdha të emetimeve të karbonit, duke përfshirë, termocentralet, veturat, aeroplanët, fabrikat dhe sistemet e ngrohjes në shtëpitë e banimit.

Së bashku, propozimet synojnë të zvogëlojnë emetimet e gazrave serrë në BE për 55% deri më 2030, në krahasim me nivelet e vitit 1990.

Me këto masa, emetimet e gazrave serrë deri më 2050, pritet të shkojnë në zero.

Lexoni: Sfida globale me ndryshimet klimatike, BE bashkëpunon me Huawei për uljen e emetimit të karbonit

Pse po e bën BE-ja një gjë të tillë?

Synimet e Europës për klimë, nëse përcillen në nivel global, mund të ndihmojnë në parandalimin e niveleve katastrofike për ndryshimet klimatike, të cilat kanë nisur të shkaktojë probleme përmes valëve të nxehtësisë, stuhive më të fuqishme dhe zjarreve në gjithë botën.

Shumica e rregulloreve të BE-së kanë pasur nevojë për përditësime. Shënjestrat e reja të BE-së për energji të ripërtëritshme, treg të BE-së për karbon dhe kufizime në emetime nga makinat, janë projektuar sërish.

Blloku europian dëshiron të krijojë “tarifën kufitare për karbon”, përmes së cilës, prodhuesve të jashtëm do t’iu kërkohet të paguajnë shpenzimet për dioksid karboni kur shesin brenda BE-së mallrat si çeliku dhe çimentoja.

Fabrikat e BE-së

Fabrikat e BE-së do të duhet të bëjnë investime të mëdha për të zvogëluar emetimet, prandaj propozimet synojnë të sigurojnë kompanitë që të çojnë përpara investimet pa u rrezikuar nga importet më të lira dhe që krijojnë më shumë ndotje.

Çfarë do të ndryshojë dhe sa shpejt?

Bashkimi Europian ka propozuar kufizime më të ashpra në emetimet e karbonit nga automjetet dhe është duke konsideruar mundësinë e ndalimit të shitjes së makinave me benzinë dhe naftë nga viti 2035.

Në këtë mënyrë, makinat elektrike do të bëheshin më të përballueshme.

Për këtë arsye, në propozime është përmendur edhe obligimi i shteteve që të instalojnë mijëra karikues për makina nëpër rrugë të gjata.

Kompanive të energjisë do t’iu kërkohet që të ndërtojnë më shumë panele diellore këtë dekadë.

Shumë termocentrale do të mbyllen, çka do të përbëjë sfidë të madhe për ekonomitë lokale, që varen nga to.

Bashkimi Europian do të ndajë fonde, për t’iu ardhur në ndihmë kompanive dhe rajoneve për të ritrajnuar punëtorët, mirëpo qeveritë kombëtare dhe kompanitë, do të duhet të bëjnë investime të mëdha për të menaxhuar tranzicionin.

A do të kushtojë gjithçka më shumë?

Politikat e BE-së janë krijuar në bazë të parimit që nënkupton se gjërat që krijojnë më shumë ndotje do të jenë më të shtrenjta, dhe anasjelltas.

Brukseli do ta organizojë këtë sistem në tre mënyra.

E para, përmes çmimeve në karbon. Sistemi i BE-së për Tregtim të Emetimeve, tregu më i madh në botë për karbon, do të obligojë termocentralet dhe fabrikat të blejnë leje kur emetojnë dioksid karboni. Brukseli dëshiron të shtojë edhe transportin në atë treg, si dhe të krijojë treg për dioksid karboni për ngrohjet nëpër banesa.

Kjo gjë mund të ndikojë në rritje të çmimeve në faturat për ngrohje nëpër shtëpi, andaj BE-ja është zotuar për t’iu ndihmuar kompanive me të ardhura të vogla që të bëjnë instalimet e nevojshme për të shmangur shtrenjtimin.

Në periudhë afatgjatë, në ndërtesat e rinovuara do të kushtojë më lirë ngrohja dhe ftohja.

Së dyti, përmes taksave. Brukseli dëshiron të prezantojë taksa në BE për ndotje nga kerozina e aeroplanëve. Kjo gjë mund të ndikojë në rritje të çmimeve të biletave, nëse kompanitë ajrore e bartin këtë shpenzim te konsumatorët.

Së treti, duke i bërë mundësitë e energjisë së ripërtëritshme më të lira. Këto propozime do të shtyjnë fabrikat që të investojnë në prodhimin e teknologjive me nivele të ulëta të karbonit, të cilat janë të shtrenjta sot, mirëpo do të ulen në vazhdimësi.

Çfarë do t’ju kërkohet banorëve të BE-së?

Jo shumë për momentin. Politikat e BE-së synojnë të ndryshojnë atë që ofrojnë kompanitë te konsumatorët – shembull, blerja e një makine elektrike.

Mirëpo ndryshimi i mendjes së njerëzve për të ndryshuar shprehitë individuale, mund të marrë kohë. Shembull, ende nuk ka propozime që inkurajojnë njerëzit të hanë më pak mish, gjë që ndihmon në ulje të emetimeve.

A do të funksionojë një gjë e tillë?

BE-ja do të përballet me sfida të mëdha politike për të shndërruar këto synime në politika të detajuara.

Disa vende të BE-së ka mundësi që të kundërshtojnë politikat që ndikojnë në rritje të çmimeve për konsum dhe disa kompani kanë nisur të lobojnë kundër kufizimeve për ndotje.

Edhe nëse funksionon plani i BE-së, çështjet klimatike nuk do të adresohen, përveç nëse emetuesit e mëdhenj krijojnë qasje të ngjashme.

BE-ja prodhon vetëm 8% të emetimeve globale. Kina dhe Shtetet e Bashkuara, dy emetuesit më të mëdhenj, kanë bërë të ditura planet për emetime zero, mirëpo ende nuk kanë prezantuar diçka konkrete.

BE-ja shpreson të krijojë një rrugë, të cilën më pas do ta ndjekin edhe të tjerët.

Lexoni: Jeff Bezos do të dhurojë 10 miliardë dollarë për të luftuar ndryshimet klimatike

/europa.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0