Pesë leksione jetike që kam mësuar nga intervistimi i mbi 100 sipërmarrësve - Business Magazine Albania

Pesë leksione jetike që kam mësuar nga intervistimi i mbi 100 sipërmarrësve

leksione jetike

Nga Nicole Bernard “Entrepreneur”

Sipërmarrja mund të jetë një veprimtari që në momente të caktuara mund të të bëjë të ndjehesh i vetmuar. Është tepër e vështirë t’u shpjegosh ulje-ngritjet e mëdha shpirtërore njerëzve që nuk i kanë përjetuar ato. Kur hapa biznesin tim të parë, e drejtoja atë me bashkëshortin tim.

Pra kisha dikë me të cilin të shkëmbeja idetë, të shfryja dufin apo të festoja sukseset. Por në vitin 2016 isha e vetme kur hapa agjencinë time të marketingut dixhital. Nuk kisha askënd pranë për të ndarë ide të reja emocionuese apo për t’i kërkuar këshilla kur ishte e nevojshme.

Doja një komunitet, mbështetje. Doja të mësoja se nuk isha e vetme (ose e çmendur) në atë që po përpiqesha të bëja. Kështu më lindi ideja e krijimit të një podkasti. Ishte viti 2017, por gjërat u konkretizuan vetëm në verën e vitit 2019. Të them të drejtën, kisha frikë që ta filloja.

Nuk doja të dilja nga zona ime e rehatisë, dhe të krijoja diçka që mund të kritikohej, përqeshej, ose më e keqja nga të gjitha: diçka për të cilën nuk interesohej askush. Derisa e bëra. Dhe tani që shoh listën e sipërmarrësve teksa po shkruaj këtë artikull, nuk mund të mos buzëqesh. Shumë madje. Kam pasur privilegjin të intervistoj mbi 100 sipërmarrës nga SHBA-ja, Kanadaja, Britania e Madhe dhe Zelanda e Re! Ndërkohë kam disa biznesmenë në radhë nga Australia, India dhe vende të tjera të mrekullueshme në të gjithë globin. Dhe historitë e tyre janë të pabesueshme.

Lexoni: Si të menaxhoni emocionet tuaja për të marrë vendime më të mira?!

Një nga të ftuarat e mia të para pësoi një emboli pulmonare dhe nuk ishte e sigurtë se si do të ishte e ardhmja e saj, apo nëse do të arrinte të dilte nga spitali për të parë sërish vajzat e saj. Atje në spital ajo vendosi të bëjë atë që donte vërtet në jetë. Biznesi i saj sot po lulëzon.

Një tjetër e ftuar u diagnostikua me kancer, e mposhti sëmundjen dhe vendosi të ndiqte ëndrrën e saj të përjetshme për të hapur biznesin e saj dhe ajo po e realizon atë (në fakt ka 2 biznese të suksesshme).

Të ftuarit ndiqnin shkallët e karrierës në korporata të ndryshme. Por kjo gjë nuk ishte e përshtatshme për ta. Prandaj, ata hoqën dorë nga pagat e tyre të qëndrueshme dhe ndoqën zemrat e tyre duke ngritur sipërmarrjet e tyre. Ata nuk e kthejnë më kokën pas.

Kam mësuar shumë nga të ftuarit e mi gjatë dy viteve të fundit, gjë që ka çuar në një rritje të jashtëzakonshme të biznesin tim. Ja cilat janë 5 leksionet më të rëndësishme që kam mësuar nga intervistimi i më shumë se 100 sipërmarrësve.

  1. Ndihuni rehat me të qenit në një situatë jokomode

Kjo është shumë e rëndësishme dhe nuk mendoj se është ndonjëherë e lehtë. Ju thjesht duhet të mësoheni të bëni gjëra jashtë zonës suaj të rehatisë. E mbani mend atë që ju thashë më lart se m’u deshën 2 vjet për të krijuar podkastin tim? Epo, në fund e kuptova se thjesht duhej të ecja përpara me projektin.

Gati i anullova 5 intervistat e para pasi kisha shumë frikë t’i realizoja ato. Por i realizova.

Gjërat nuk ishin të përsosura. Kërkova në Google se si t’ia filloja, si ta modifikoja dhe si ta shpërndaja një podkast. Shumë njerëz qeshin kur u them emrin e podkastit tim.

Por e dini çfarë? Unë kam krijuar të ardhura, referenca dhe kam një biznes të suksesshëm. Ka qenë një përvojë që nuk mund ta imagjinoja kurrë dhe është diçka që tani e pres me padurim çdo javë.

  1. Rëndësia e sistemeve, rutinave dhe delegimit të punëve

Sipërmarrësit që shoh se kanë më shumë sukses, janë ata me sisteme dhe rutinë të punëve. Ata kanë qëllimet e tyre dhe kanë marrë kohën e tyre për të menduar, krijuar dhe vënë në punë sisteme pune që i mbështesin në arritjen e këtyre qëllimeve.

Këtu mund të përfshihen një shumëllojshmëri gjërash të ndryshme bordi drejtues, detyra marketingu apo të natyrës administrative. Asnjë biznes nuk është i njëjtë, por këta pronarë kanë marrë kohë për të vlerësuar biznesin e tyre dhe për të prodhuar procese që i ndihmojnë ata të kursejnë kohë, para dhe energji. Kjo bën të mundur edhe ngritjen e një biznesi të suksesshëm.

  1. Sipërmarrësit janë elastikë dhe marrin përsipër rreziqe

Edhe para ardhjes së pandemisë, sipërmarrësit ishin tashmë të përgatitur shumë mirë në përshtatjet e nevojshme në biznesin e tyre. Shumë njerëz nuk ishin të përgatitur për recesionin ekonomik të vitit 2008, por një nga të ftuarit e mi e la punën dhe hapi biznesin e tij gjatë asaj kohe dhe po korr ende sot frytet e atij investimi!

Disa menduan se kjo ishte një vetëvrasje, por ai u shpërblye për mundin. Edhe pse shumë sipërmarrës duhet të marrin disi shpejt vendime të tilla, kjo nuk do të thotë se ata nuk i peshojnë rreziqet e përfshira. Ata duhet t’i analizojnë gjërat në të gjitha këndet dhe në fund të mbështeten tek intuita e tyre. Ndonjëherë kjo e fundit mund të duket kundër-produktive, por mund të japë në fund rezultate shumë të mira.

  1. Sipërmarrësit mësojnë vazhdimisht

Qoftë nga sipërmarrës të tjerë, libra, kurse apo nga YouTube, 95% e sipërmarrësve që intervistova thanë se mësojnë vazhdimisht. Ata gjejnë kohë që të mësojnë gjëra që u interesojnë. Ajo që më ra në sy është se ata konsumojnë shumë përmbajtje që gjendet në rrjet, por gjithsesi nuk e humbasin fokusin e tyre. Ata e dinë se në rrjet ka 1 milion gjëra. Mësojnë rreth tyre, por nëse nuk përshtaten me biznesin e tyre, ecin përpara. Ata nuk lejojnë që diçka t’i pengojë në atë që po bëjnë.

Lexoni: 5 anët e errëta të sipërmarrjes

  1. Sipërmarrësit duan më shumë

Ata duan të ndihmojnë më shumë, duan të jenë më shumë me familjen e tyre, duan më shumë liri financiare, duan më shumë kohë për të bërë gjërat që duan. Ata janë të gatshëm të bëjnë gjëra që të tjerët nuk do t’i vlerësojnë shumë. Pra të gjitha këto kanë të bëjnë me mentalitetin.

Filloni të kultivoni tek vetja një mentalitet suksesi dhe rritja juaj do të ndodhë shumë më shpejt! Nisni ta vendosni veten në situata të pakëndshme dhe do të rriteni, ju premtoj! Në fillim do të jetë kaotike, e papërsosur dhe e frikshme. Por kur ta kthenin kokën pas, do të jeni shumë të lumtur që e keni filluar!

Filloni të krijoni sistemet dhe proceset tuaja të punës për të thjeshtuar biznesin tuaj. Kërkoni praktikantë dhe filloni t’u delegoni detyrat që mundeni. Jini të vetëdijshëm se jeni shumë të fortë. Dhe që mund të përshtateni me rrethanat apo të dilni nga çdo situatë e vështirë. Merrni atë që ju nevojitet nga ky artikull, zbatojeni atë në biznesin tuaj dhe lëreni mënjanë pjesën tjetër. Asnjëherë mos ndaloni së dëshiruari më shumë!

Përktheu: Alket Goce

Entrepreneur

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0