Përpunuesit e qumështit: nuk ka marrëveshje për rritje çmimesh - Business Magazine Albania

Përpunuesit e qumështit: nuk ka marrëveshje për rritje çmimesh

Përpunuesit e qumështit

Pas lajmërimit një ditë më parë se Autoriteti i Konkurrencës do të nisë monitorimin e tregut të prodhimit të bulmetit, pas dyshimeve për marrëveshje mes prodhuesve për rritjen e çmimeve, Shoqata e Përpunuesve të Qumështit ka dalë me një njoftim për mediat ku thekson se, rritja e çmimeve për produktet e bulmetit është lajmëruar vetëm nga 1 kompani, kryesisht për produktet me qumësht dele dhe dhie, pasi qumështi është blerë 50% më shtrenjtë se vjet.

Sipas shoqatës, operatorët e tjerë nuk kanë lajmëruar rritje të çmimeve të këtyre produkteve, ndërsa nënvizon se asnjë kompani përpunuese në treg nuk do të rrisë çmimet e produkteve të bulmetit të lopës.

Më poshtë deklarata e Shoqatës Industria e Përpunimit të Qumështit:

Nisur nga keqinformimi dhe informacionet e pavërteta që kanë qarkulluar këto ditë në media mbi çmimet dhe kostot e sektorit të përpunimit të qumështit, shoqata jonë që në përbërje të saj ka 8 anëtarë, dëshiron të sqarojë opinionin publik dhe veçanërisht konsumatorët tanë si me poshtë vijon:

Asnjë nga kompanitë anëtare të shoqatës sonë nuk ka ndryshuar apo rritur çmimet për produktet me qumësht lope, të cilat përbëjnë 92-95% të produkteve që gjenden dhe tregtohen në raftet e marketeve dhe supermarketeve. Pra, lajmi i qarkulluar në media në ditët e fundit se do të ketë rritje të çmimeve për produktet me qumësht lope është i pavërtetë dhe keqinformues.

 

Është vetëm 1 kompani, që është anëtare e shoqatës sonë, e cila ka lajmëruar për rritje të çmimeve, VETËM për produktet me qumësht dele dhe dhie. Theksojmë që është VETËM 1 kompani dhe është VETËM për produktet me qumësht dele dhe dhie. Edhe kjo kompani, e gjendur në një situatë shumë të vështirë të kostove të operimit, është ndikuar nga kostot e shtuara në grumbullimin dhe përpunimin e lëndës së parë për qumështin e deles dhe dhisë. Konkretisht, në analizën financiare që kjo kompani ka bërë sqaron se: a. Qumështi i të imtave po blihet sot nga blegtorët mbi 50% më shumë se para 1 viti. b. Qumështi i të imtave është sezonal dhe kjo bën që të ketë çmim të lartë gjatë periudhës së prodhimit të tij, sepse nuk është disponibël në muaj të tjerë. c. Sasia e prodhuar e qumështit të të imtave është në rënie nga viti i kaluar, kjo e konfirmuar dhe nga statistikat e INSTAT, sepse ka rënë numri i krereve të deleve dhe dhive që mbarështohen në vendin tonë.

 

Duke qenë se asnjë nga kompanitë e tjera nuk do të kenë ndryshim të çmimeve të produkteve të tyre, qartazi vërtetohet se nuk ka asnjë dakordësi apo marrëveshje për çmimet në sektorin e përpunimit të qumështit. Ky është një treg i lirë dhe asnjë operator nuk ka mundësi të vendosi për çmimet. Nuk jemi në një treg të kontrolluar apo monopol pasi aktualisht importi po zë vend gjithmonë e më shumë në raftet e supermarketeve shqiptare. Është e drejta e çdo operatori prodhues apo tregtari të ofrojë produktet dhe çmimet e tij, nga ana tjetër është konsumatori ai që zgjedhë në një ofertë të larmishme me jo me pak se 300 oferta produktesh.

Lexo: Banka e Shqipërisë: Në tremujorin e tretë çmimet goditën më fort ekonominë

Duhet të mbahet në konsideratë në çdo analizë që bëjmë, se në tregun dhe sektorin e përpunimit të qumështit: a). operojnë mbi 300 operatorë të ndryshëm brenda vendit b). Informaliteti është në shifra jashtëzakonisht shumë të larta c). Mbi 40% e tregut dominohet nga produkte të importit d. Është klienti pastaj ai që zgjedh se produktet e cilës kompani vendase të prodhimit apo importuesi do të blejë për të konsumuar.

Përfitojmë nga rasti që të ndërgjegjësojmë të gjitha instancat shtetërore dhe aktorët kryesor të fushës për rritjen e sigurisë ushqimore në sektorin e qumështit dhe mbi të gjitha eliminimin e fenomenit të qumështit të rrugës dhe përpunuesve informal të qumështit. Konkretisht bazuar edhe në shifrat e INSTAT në vendin tonë sasia e prodhuar e qumështit është 1,01 milion tonë, ndërsa sasia e grumbulluar është vetëm 115 mijë ton.

Pra:

  1. a) VETËM 11% e sasisë së qumështit të prodhuar në vend rezulton të kalojë nëpërmjet një procesi kontrolli, përpunimi dhe paketimi të standardizuar në sektorin e përpunimit të qumështit
  2. b) Pjesa tjetër prej 89% është totalisht ekonomi informale në sektorin e qumështit.

-30% e kësaj sasie përdoret për konsum vetjak;

-ndërsa 70% e kësaj sasie përpunohet në informalitet dhe jashtë çdo lloj standardi nga njësi përpunimi dhe baxho të padeklaruara.

Në mënyrë që shqiptarët të ushqehen me qumësht dhe nënprodukte të tij të kontrolluara dhe të përpunuara sipas standardeve të lejuara të ushqimit, është e domosdoshme ndërhyrja e menjëhershme në këtë sektor, për të bërë të të mundur formalizimin dhe standardizimin e të gjitha baxhove dhe njësive të përpunimit të qumështit në vendin tonë.

Fokusi i industrisë së përpunimit të qumështit është prodhimi i fermerit shqiptar, prandaj kërkojmë që të gjitha masat fiskale dhe tatimore dhe mbështetja nëpërmjet subvencioneve të orientohen në nxitjen e prodhimit të blegtorëve shqiptar dhe rritjes së cilësisë së qumështit të prodhuar dhe përpunuar.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0