Nevojitet paketë mbështetëse gjithëpërfshirëse dhe e shpejtë për të shpëtuar biznesin. Flet sipërmarrësi Uran Derri - Business Magazine Albania

Nevojitet paketë mbështetëse gjithëpërfshirëse dhe e shpejtë për të shpëtuar biznesin. Flet sipërmarrësi Uran Derri


Uran Derri, financier dhe sipërmarrës i suksesshëm në fushën e shërbimeve ka folur gjatë Webinarit të zhvilluar nga AlbAcademy për pasojat financiare të Pandemisë Covid në Shqipëri dhe në Botë.

Ai theksoi se në Shqipëri, për shkak të nivelit të lartë të informalitetit dhe pagesave të larta kesh, kriza e likuiditetit do të jetë më e madhe. Ulja e fortë e papunësisë krijon gjithashtu një presion të fortë psikologjik.

Investimet direkte po shkojnë drejt zeros. Ndërsa problem i vendit është edhe borxhi ynë ndërkombëtar.

Nismat mbështetëse i cilësoi të vonuara dhe jo efektive, ndryshe nga masat në shëndetësi që po ecin mirë. Urani ftoi Qeverinë të ndërmarrë shpejt nisma gjithëpërfshirëse, duke sjellë  shembullin e Maqedonisë, e cila ka vendosur që çdo person të marrë një pagesë 260 euro. “Ka kompani që po punojnë dhe po i paguajnë punonjësit, por shtimi i kësaj pagese lehtëson barrën e likuiditetit në tërësi”, tha Urani.

Duke iu referuar Shqipërisë, ndërtimi do të jetë ndër sektorët më të prekur nga kjo krizë. “Edhe gjatë krizës financiare ndërkombëtare ndërtimi ishte më i prekuri, pasi lidhet fortësisht me kleringun duke futur në ngërç të gjitha hallkat e sektorit, lëndë e parë, ndërtim, shitje. Përsa kohë ndërtimi funksion me klering, mungesa e likuiditetit është problematike. Nëse hyrjet nuk shiten zinxhiri do të bllokohet”, theksoi ai.

Sipas tij, për vendin tonë, nevojat fianciare për të përballuar situatën janë tek rreth 9 miliardë dollarë, ndërsa mbështetja reale është e ulët. Paketat, përveçse jo gjithëpërfshirëse, po vonohen shumë sipas tij, pasi shumë punonjës edhe me 20 prill nuk kanë arritur të japin pagat e Marsit.

Ajo çfarë kërkohet është të asistohen bizneset. Në pamundësi për të paguar 80% të pagave të kompanive, le të marrin të gjithë pagën minimale për periudhën mars-prill-maj.  Paketa të jetë gjithëpërfshirëse dhe të mos vonojë. Sipas financierit në profesion, nevojitet  të falen kontributet shoqërore e shëndetësore. Ai kujtoi se Qeveria vazhdon të aplikojë kamatvonesa dhe interesa nëse një biznes nuk arrin të paguajë tatim-fitimin në kohë. Por, kur dikush nuk arrin të paguajë një taksë apo tarifë, ai aq më shumë nuk arrin ta paguajë atë me interes.

Çfarë veprimesh duhet të ndërmarrë biznesi për të mbijetuar? Masat duken pak jo sociale por janë të domosdoshme. Sipas Uranit, kompanitë kërkohet që të punësuarit t’i kenë në proporcion me të ardhurat. P. Sh. nëse bie 70% aktiviteti, 70% bie numri i punonjësve.

Është e nevojshme të shpëtojë biznesi, pasi falimenti sjell dëme më të mëdha se papunësia, sipas tij.

Duke iu përgjigjur pjesëmarrësve në webinar, ai tha se “Bizneset e reja me një të ardhme më të mirë do të jenë ato të delivery për të gjithë sektorët, ndërkohë që do të funksionojnë edhe bizneset online”. Ai sugjeron zero taksa këtë vit për turizmin dhe taksat të jenë të ulëta në dy vitet e ardhshme.

PASOJAT E COVID-19 NË SHQIPËRI DHE BOTË

Bota tashmë është përfshirë në një recesion shkatërrues nga pandemia e koronavirusit.

Tani, po rritet frikat se efekti mund të jetë shumë më ndëshkues dhe i qëndrueshëm në kohë sesa u dyshua fillimisht – potencialisht duke u zgjatur dhe në vitin e ardhshëm dhe madje edhe më tej. Kjo, pasi qeveritë po intensifikojnë kufizimet në biznes për të ndaluar përhapjen e pandemisë. Frika nga virusi po e rikonfiguron vetë konceptin e hapësirës publike, duke penguar rritjen ekonomike të udhëhequr nga konsumatori. Rrjedhimisht kemi një rënie të konsumit. (Shpenzimet e konsumatorit arrijnë në afërsisht dy të tretat e aktivitetit ekonomik në të gjithë botën).

Pandemia është mbi të gjitha një emergjencë e shëndetit publik. Për sa kohë që ndërveprimi njerëzor mbetet i rrezikshëm, biznesi nuk mund të kthehet në gjendjen e tij normale. Dhe ajo që ishte normale më parë mund të mos jetë më. Njerëzit mund të jenë më pak të prirur për të shkuar në restorante të mbushura dhe salla koncertesh edhe pasi virusi të jetë i përmbajtur.

Ndërprerja e papritur e veprimtarisë tregtare kërcënon të imponojë dhimbje ekonomike kaq të thella dhe të qëndrueshme në çdo rajon të botës njëherësh që rikuperimi mund të zgjasë me vite. Humbjet ndaj kompanive, shumë prej tyre tashmë të ngopura me borxhe, rrezikojnë të shkaktojnë një krizë financiare me përmasa kataklizmike.

Tregjet e aksioneve kanë pasqyruar alarmin ekonomik. S&P 500 në Shtetet e Bashkuara ranë mbi 4 përqind të Mërkurën, pasi investitorët u gjenden para kushteve më të këqija. Dhe Marsi në S&P 500 ra 12.5 përqind, në muajin e tij më të keq që nga tetori 2008.

Pasojat në vendet në zhvillim dhe ekonomitë botërore

Situata duket unike mjaft e rëndë në vendet në zhvillim, ne të cilat investimet thuajse u mbyllën për këtë vit. Kjo solli rënien e vlerës së mjeteve monetare, duke i detyruar njerëzit të paguajnë më shumë për ushqimin dhe karburantin e importuar dhe duke kërcënuar qeveritë me paaftësi paguese. E gjithë kjo po ndodh paralelisht, ndërkohë që vetë pandemia kërcënon të mbingarkojë sistemet mjekësore të pamjaftueshme në kapacitete. (Sipas Kombeve të Bashkuara, investimet direkte pritet të bien me 40% këtë vit).

Lexo: Sipërmarrësi serial, që po kthen mangësitë në mundësi biznesi

Po ashtu edhe në ekonomitë më të mëdha botërore situata paraqitet tejet kritike, Shtetet e Bashkuara, si ekonomia më e madhe në botë është në një recesion të sigurt. Kështu është edhe Evropa, ku më të prekurat duken Italia dhe Spanja, por gjithashtu Franca dhe Gjermania vazhdojnë të jenë të mbyllura. Edhe fuqitë e tjera ekonomike si Kanada, Japoni, Koreja e Jugut, Singapori, Brazili, Argjentina dhe Meksika pritet të kenë recesion. Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, pritet të rritet me vetëm 2 përqind këtë vit. (TS Lombard, firmë kërkimore).

Kudo në ekonominë globale, ne po shohim një goditje të kërkesës së brendshme, kur më së shumti kanë ndikim të aktoret e zinxhirit të furnizimit.

Sipas Oxford Economics, ekonomia globale do të kontraktohet në mënyrë të margjinalizuar këtë vit, përpara se të përmirësohet deri në qershor.

MASAT FINANCIARE

Në mbarë botën, krahas suportit në sistemet shëndetësore dhe menaxhimit të krizës së shëndetit publik, po operohet paralelisht dhe me planet ekonomike për rimëkëmbje. Plane, të cilat janë të përkohshme, në varësi të përshkallëzimit të situatës.

Kështu, një pjesë e mirë e vendeve kanë miratuar dhe po miratojnë paketa që variojnë në 1.5%-10% të GDP. Shqipëria është shumë poshte, diku te 1,8 % e GDP.

 

Sipas parashikimit paraprak të UN kërkohen rreth 2.5 trilionë $ për të shpëtuar vendet në zhvillim, 1 trilion në kredit tek FMN, 1 trilion në falje borxhesh, dhe 500 milionë në rekuperim shëndeti.

Nga tani deri në vitin tjeter në të njëjtën periudhë vendet në zhvillim kanë për të paguar 2.7 trilionë dollarë borxhe, sipas raportit të UN. Gjë kjo që rrit rriskun dhe investitorët do jenë të prirur për kredi me interesa të larta.

PASOJAT NË SHQIPERI

Edhe Shqipëria, si vendet e tjera në zhvillim përballet me të njëjtat pasoja.

Kemi një rënie të konsumit dhe mungesë të lartë të likuiditetit. (Njerëzit në përgjithësi janë të prirur të kursejnë në raste krizash)

Problem shumë i madh në Shqipëri do të jetë turizmi, si pikë kyçe e ekonomisë sonë. Pritet një rënie e pashmangshme këtë vit.

Problemi kryesor do të jetë rritja e papunësisë, çka do të sjellë efekte zinxhir në ekonomi.

Ashtu si vendet e tjera në zhvillim, investimet direkte pritet të jenë drejt zeros për këtë vit.

Problem tjetër është dhe borxhi kombëtar dhe vendi yne do të jetë shumë i pafavorshëm për kreditime të tjera dhe pritet që interesat e kreditorëve të jenë shumë më të larta se borxhet e mëparshme.

Edhe në një rast optimist, me mbarimin e krizës shëndetësore, vendit tonë do t’i duhen 2-3 vjet rikthim të prodhimeve në gjendjen e mëparshme.

MASAT NE SHQIPERI

Masat e marra deri më tani nga qeveria kanë rezultuar të suksesshme përsa i përket menaxhimit të krizës shëndetësore dhe masës botërore të karantinimit.

Por, përsa u përket masave, që po ecin paralelisht në të gjithë botën, pra masat ekonomike jemi shumë larg dhe nuk ka ende një strategji të qartë.

Deri më tani paraflitet për disa shuma që në total shkojnë maksimumi deri në 1.8% të GDP-së, por që dhe këto janë shumë të vonuara.

Zyrtarisht bllokada filloi me 10 mars dhe sot me 20 prill dhe fondet e premtuara janë shumica ende të pa lëvruara edhe pse shumë të cunguara dhe shumë pak përfshirëse.

Shihet një paqartësi në mbështetjen totale të të punësuarve, ku ata kategorizohen si të punësuar në biznes të madh apo të vogël.

Albacademy

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0