Edi Demaj është aktualisht COO i Fiber Rocket dhe është përgjegjës për të ndihmuar me zbatimin e vizionit të tyre, duke tejkaluar hendekun mes teknologjisë, produktit dhe zonave të tjera në kuadër të kompanisë. Projekti ka filluar me qendër në qytetin e Detroit në vitin 2015 dhe do të zgjerohet në zona të tjera në vitet e ardhshme.
G: Kush është Edi Demaj? Si e definon vetveten në 1 Fjali?
E: Një person me shumë ëndërra dhe me besimin që çdo gjë është e mundur për sa kohë që ti ke dëshirë të mësosh, të punosh dhe të bësh gjithmonë gjënë e duhur.
G: Cila ishte arsyeja që u larguat nga Kosova? Mund të përmendësh diçka që kujton nga ky udhëtim?
E: Lufta e vitit 1998-1999 ishte arsyeja që unë dhe familja ime u larguam nga Kosova. Më kujtohet çdo gjë. Njerëzit që vraponin, bombat, vrasjet, etj. Është diçka që ne nuk duhet t’a harrojmë kurrë dhe t’a përdorim si motivim që të bëhemi dhe të jemi më të mirë për vendin tonë, rajonin dhe botën në tërësi.
G: Si ju priti Amerika? Si u integruat në SHBA? Puna e parë, përvojat e para…
E: Lëvizja në një vend të huaj ka vështirësitë e veta por ne ishim me fat që u shpërngulëm në vendin më të mirë në botë. Ne gjithashtu kishim disa familje në SHBA dhe lidhja me amerikanët e bëri tranzicionin tonë më të lehtë. Ne qëndruam te xhaxhai im muajin e parë ndërkohë prindërit e mi filluan punë dhe ne gjetëm një apartament ku të qëndronim. Unë dhe vëllai im shkuam në shkollë dhe luanim futboll. Futbolli na bëri të integroheshim me jetën amerikane më shumë se shkolla.
Puna ime e parë ishte pjatalarës. Unë isha 14 vjeç dhe fillova një punë me kohë të pjesshme në një restorant italian. Pas kësaj, unë mësova të bëj çdo gjë që nga gatimi, shërbimi në tavolina, mirëmbajtje të godinës dhe përfundimisht m’u dha shansi të menaxhoja pasuri të patundshme. Unë u dashurova me këtë punë dhe kjo e fundit më ndihmoi të mësoja dhe të rritesha profesionalisht. Më dha mundësi të punoja për një mentor i cili më mësoi shumë për real estate, biznesin dhe jetën në përgjithësi.
G: Historia juaj, jotja edhe e vëllait Etritit ka qarkulluar në shumë media si një histori suksesi dhe emigrimi. Në shumë intervista, keni thënë që historia juaj e emigrimit është e lidhur me historinë amerikane dhe sipas jush shumë prej emigrantëve janë sipermarrës…Përse e mendoni kështu?
/Artikulli u publikua më parë në faqen 17 të numrit 12 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 12 të saj.
E: SHBA është ndërtuar nga emigrantët. Është një vend i cili përqafon të gjitha kulturat. Është me të vërtetë toka e mundësive dhe kjo duket në të gjithë sektorët e jetës. Shpërngulja në SHBA i ndihmon njerëzit të ëndërrojnë të pamundurën. Ajo i bën njerëzit të besojnë se çdo gjë që ata duan të bëjnë është e arritshme. Shumë emigrantë të ardhur nga vende me mundësi të limituara dhe kur iu jepet mundësia të realizojnë ëndërrat e tyre, ata nuk ndalojnë deri sa të arrijnë suksesin e kërkuar. Një raport i kohëve të fundit ka thënë se mbi 50% e unicors ( kompani me vlerë 1 miliardë dollarë dhe më shumë) në SHBA janë themeluar apo bashkethemeluar nga emigrantë. Ky është një testament për kulturën amerikane e cila i trajton të gjithë njerëzit njëlloj dhe i jep të gjithëve një mundësi nëse ata duan të punojnë shumë për të, pavarsisht se ku kanë lindur.
Unë jam krenar që jam Shqiptar po aq sa jam krenar që jam qytetar Amerikan.
G: Çfarë e konsideroni sipërmarrjen apo nisjen e bizneseve të reja? Kur keni krijuar kompaninë e parë?
E: Unë mendoj se sipërmarrja është një mënyrë jetese. Nuk është një punë apo një aftësi specifike që kërkon të kalosh përmes shkollës apo ndonjë forme tjetër. Nuk është nga ato punët 9 me 5. Është ambicia e brendshme e një qenie njerëzore që gjatë gjithë kohës është e gatshme të të mësojë dhe të punojë pa u lodhur për të realizuar ëndërrat e tij. Nuk është aq e thjeshtë. Nëse nuk është e vështirë dhe sfiduese atëherë ti ndoshta nuk po kërkon maksimumin.
Sipërmarrësit e përqafojnë sfidën dhe uljet e ngritjet që vijnë me ndërtimin e biznesit vetjak. Nuk ka asgjë më emocionuese sesa të punosh përmes ndërlikimit të transformimit të një ideje në një biznes real dhe të shëndetshëm.
Unë isha 18 vjeç kur pata eksperiencën time të parë në zotërimin e një biznesi. Familja ime vendosi të provonte biznesin e një restoranti. Unë dhe vëllai im gjithashtu u përfshimë në të. Ne blemë shtëpinë tonë të parë gjatë kësaj kohe me qëllimin që t’a jepnim me qera për një periudhë kohe, më pas t’a shisnim kur t’i rritej vlera. Si shumica e pronarëve të bizneseve të vegjël, ne patëm ulje ngritjet tona, por mësuam shumë gjëra nga eksperiencat e ndryshme gjatë kohës.
G: Në këtë moment sa kompani keni themeluar? Si po shkojnë ato?
E: Më e madhja është Rocket Fiber. Kjo është një kompani për të cilën mua dhe partnerëve të mi na është dashur shumë kohë për t’a ndërtuar këto tre vitet e fundit. Ditë, natë, fundjava, pushime, non-stop. Ka qenë një ndër eksperiencat më emocionuese në jetën time. Ne kemi një skuadër të jashtëzakonshme, e cila është shumë e apasionuar për të qenë më të mirët në këtë industri. Ne po ndërtojmë dhe po rritemi çdo ditë. Pjesa më e mirë e Rocket Fiber është impakti që ajo po fillon të ketë në Detroit dhe në zonat përreth.
Njerëzit po na kontaktojnë çdo javë me pyetje rreth planeve tona të zgjerimit.
Një tjetër biznes në të cilin jam i përfshirë dhe e kam shumë përzemër është Gjirafa.com. Impakti që Gjirafa.com ka dhe do të vazhdoj të ketë te shqiptarët është i pamatshëm. Është startup-i më i madh që do të publikohet në Kosovë dhe është akoma në hapat e parë. E ngjashme me Rocket Fiber, skuadra Gjirafa.com është plot me pasion dhe ambicie. Mundësia për të ndihmuar shqiptarët të përjetojnë të njëjtat gjëra që përjetojnë vendet e tjera përmes Google, Bing dhe Yahoo është një flakë që e mban gjithë ekipin të ndezur. Ne po i lidhim të gjitha gjërat për shqiptarët në një platformë.
Startup-e të tjera në të cilët unë jam i përfshirë po ecin mirë dhe janë në faza të ndryshme zhvillimi. Fundi i vitit 2016 dhe fillimi i vitit 2017 do të jenë periudha vërtet interesante.
G: Emri juaj, per skenën e startupeve dhe sipërmarrjes në Shqipëri dhe Kosovë është i lidhur me Mërgim Cahanin e Gjirafa.com, Alejtin Berishën e IziSurvey…Çfarë marrëdhënie ruani me vendlindjen tuaj?
E: Unë përpiqem të jem i informuar dhe i përfshirë me gjithë aftësitë e mia në skenën e startup-eve në Kosovë dhe Shqipëri. Unë e ruaj miqesinë me skuadrën themeluese të iziSurvey edhe pse jo të gjithë janë akoma të përfshirë në iziSurvej. Gjirafa.com është ura lidhëse me skenën e startup-eve në Shqipëri. Mërgim Cahani është një person me të cilin unë kam qenë mik dhe partner për një kohë të gjatë. Ne kemi qenë së bashku të përfshirë në shumë projekte dhe do të vazhdojmë të jemi. Mërgimi është një njeri i jashtëzakonshëm dhe dikush që duhet parë në vitet në vazhdim. Ai është përkufuzimi i sipërmarrësit vizionar që di si të performojë.
G: Po bashkëpunoni me Startupe nga Kosova, nëse po në cilën mënyrë?
E: Siç e thashë dhe më parë, Gjirafa.com është startup-i kryesor në Kosovë në të cilin unë jam i përfshirë. Ka dhe të tjerë, ku unë dhe Ertriti jemi të përfshirë dhe ne jemi shumë të emocionuar. Ne mundohemi të ndihmojmë duke trajnuar dhe duke ndarë eksperiencat tona me sipërmarrësit lokal. Ne kemi zbuluar që ka shumë sipërmarrës të rinj të talentuar në Shqipëri. Edhe pse nuk mund të ndaj më shumë detaje specifike, mund të them se do të ketë disa njoftime në muajt në vazhdim.
G: Keni plane të afërta për t’u fokusuar më shumë tek Kosova apo Shqipëria?
E: Mua më pëlqen çdo mundësi që krijohet për të mësuar më shumë rreth startup-eve në Kosovë, Shqipëri dhe vendet e rajonit. Nuk kam plane specifike për të bërë diçka jashtë asaj që jam duke bërë.
G: Ne shpesh shikojmë vetëm suksesin nga jashtë, por nuk e dimë si ka qenë rruga për të arritur këtë sukses. Jeni ndeshur me vështirësi apo dështime? Çfarë të ka bërë të vazhdosh përpara?
E: Kur përpiqesh dhe ndërton diçka nga zero, ka shumë ulje-ngritje që vijnë gjatë rrugës. Asnjëherë nuk është e lehtë, prandaj është shumë e rëndësishme të kesh një grup suporti rreth teje. Shumë njerëz mundohen të gjejnë një partner të përhershëm te gruaja apo burri dhe ata që kanë sukses zakonisht janë të lumtur. Sipërmarrja dhe ndërtimi i një kompanie, janë e njëjta gjë sipas mendimit tim. Unë besoj fort në ortakëri, sepse unë jam bekuar me një partnere jete të jashtëzakonshme dhe me partner biznesi të mrekullueshëm kudo që kam qenë. Periudhat e vështira kalohen më lehtë dhe momentet më të mira janë akoma më emocionuese dhe më të vlefshme kur ke partner të mirë përqark.
G: Çfarë të motivon çdo mëngjes dhe ku gjen mbështetje në momente të vështira?
E: Fakti që zgjohem i shëndetshëm dhe jam në gjendje të vazhdoj punën drejt ëndrrave të mia është i vetmi motivim që më duhet. Mbështetja më e madhe që mund të ketë dikush, sipas mendimit tim është duke bërë gjënë e duhur. Gjithmonë do të ketë pengesa, por unë jap 110% çdo ditë, bëj gjënë e duhur, dhe kjo bën që t’i kapërcesh pengesat.
G: Keni ju nje mentor tuajin? Nëse po cili është?
E: Unë jam i rrethuar nga njerëz me eksperienca të ndryshme. Përveç prindërve të mi, mentori im kryesor dhe këshilluesi që kur lëviza në SHBA ka qenë trajneri im i parë i futbollit, Hedley Williams. Ai më dha punën ime të parë të vërtetë të pasurive të patundshme dhe më mësoi si të zgjidhja problemet e biznesit, pavarsisht industrisë në të cilën do të përfundoja. Këshillimi i tij i vazhdueshëm dhe besimi tek unë është arsyeja më e madhe pse unë kam vazhduar të mësoj dhe të rritem. Ka patur gjithashtu edhe njerëz të tjerë që kanë qenë mentorë të shkëlqyer në faza të ndryshme të jetës sime.
G: Nëse emigrantët i shikoni si njerëz me shpirt sipërmarrje, po shqiptarët si i shikoni? E kanë atë shpirt sipërmarrjeje apo jo? Në SHBA keni takuar shqiptarë që janë sipërmarrës të suksesshëm?
E: Unë mendoj që shqiptarët janë njerëzit më punëtorë. Unë i shoh shqiptarët si njerëz sipërmarrës dhe ambicioz. Unë kam patur kënaqësinë të takoj shqiptarë të ndryshëm që kanë shkëlqyer në shumë industri. Kam takuar disa prej tyre këto dy vitet e fundit.
G: Së fundmi, a keni një këshillë për të rinjtë shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri? Duhet ata të shohin përtej kufijve?
E: Mos lejoni që vendodhja gjeografike të jetë pengesë për të arritur diçka. Shikoni Majlinda Kelmendin, Gjirafa.com, skuadrën kombëtare të futbollit dhe shumë të tjerë që e kanë gjetur mënyrën për të patur sukses pavarsisht ku ata jetojnë dhe mbështetjes që kanë patur. Është në dorën e brezit të ri për t’u zhvilluar, për të gjetur zgjidhjet dhe për të dhënë kontributin e tyre në ndryshimin që presin të shohin.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 17 të numrit 12 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 12 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.