Lona sot jeton dhe punon në San Francisko. Është bërë e famshme atje, pasi ka marrë pjesë në një konkurs ku paraqiteshin ide biznesi dhe juria pëlqeu projektin e saj duke u bërë e para shqiptare dhe për më tepër femër që pranohet dhe fiton këtë konkurs.
Përpara se të niste Style Lend, Lona kishte një karrierë si modele, por edukimi i saj ishte për Administrim Biznesi dhe dalëngadalë filloi t’i përkushtohej sipërmarrjes. Ajo që e vogël ka ndihmuar familjen në biznesin që ata kanë pasur, por duke pasur ëndrra të mëdha për veten, ëndrra që vetëm Amerika mund t’i bënte realitet ajo emigroi për në SHBA kur ishte vetëm 16 vjeç. Lona gjeti veten në këtë kulturë dhe vend të ri, duke kuptuar dhe realizuar të gjitha ëndrrat e saj. Ajo ka jetuar në situata të ndryshme politike, ka punuar, studiuar apo udhëtuar në mbi 70 vende të botës dhe ka mësuar 7 gjuhë të huaja gjatë jetës së saj.
Për shkak të udhëtimeve të saj të shpeshta ajo kishte nevojë që të huazonte dollapin e dikujt tjetër, kur shkonte në qytete të ndryshme në vend që të merrte bagazhe me vete në aeroportet e shumta dhe pikave të kontrollit të sigurisë. Idea e saj lindi kur ishte në Paris. Ajo mendoi se do të ishte interesante që të vishte rroba të një garderobe elegante pariziene dhe të përjetonte kulturën përmes modës lokale. Në këtë mënyrë ajo nuk do të lodhej dhe mund të siguronte një garderobë të re me veshje firmato me shumë më pak para. Kështu lindi kompania e saj Style Lend, një faqe interneti ku mijëra gra mund të shkëmbejnë me njëra-tjetrën veshje pa pasur nevojë të shpenzojnë dhe të tejmbushin dollapin.
Një ide inovatore mes modës e teknologjisë që e ktheu në projekt me të cilin fitoi çmimin e parë. Lona gjithmonë ka dhënë një vlerësim të madh për veshje të bukura dhe të bëra mirë. Një model sipërmarrje, i cila ka lindur në Shqipëri dhe u rrit në mbarë botën, Lona e njohu shpejt fuqinë sociale të veshjeve për vetë-shprehje, si për shembull një fustan i përkryer që mund të fuqizojë një femër.
Ajo ka qenë pjesë e akseleratorit më prestigjoz në botë Y-Combinator. Kompani si Dropbox, Airbnb, Reddit kanë qenë në të njëjtin program. Lona është shqiptarja e parë që është pranuar në këtë program ku të japin financa për kompaninë, trajnime dhe këshilla nga liderë të botës.
Edhe pse me një mjedis të dominuar nga meshkujt Lona me shumë punë dhe përpjekje arriti që të zinte vendin e vet në botën e sipërmarrjes në San Francisko.
Lona tregon për BusinessMag se marrëdhënia e saj me vendin e lindjes, Shqipërinë është shumë e ngushtë. Që kur është larguar në vitin 1996 ajo vjen çdo vit të vizitojë atdheun e saj, sepse i mungojnë shumë njerëzit, gjuha, malet, deti, ushqimi dhe çdo gjë shqiptare. Një vajzë me shpirt patriotik ajo na thotë se do të bënte gjithçka për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë për të rinjtë shqiptarë. Lona thotë se ka shumë ide që do e ndihmonin Shqipërinë dhe shpreson që të jenë dyert e hapura dhe gjërat të bëhen me meritë.
Mos e humbni intervistën në Startup Grind Tirana me këtë personazh që ka shumë për të na thënë.
Merrni biletën tuaj Këtu.
Lexoni: Startup Grind Tirana mirëpret Lona Alia, themeluese e Style Lend
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.