Liri, Demokraci dhe Kodim! - Business Magazine Albania

Liri, Demokraci dhe Kodim!

Kodim

Nga Admir Malaj, bashkëthemelues i nismës Code for Albania

Mendoj se ka dy lloje informaticienësh: 1) ata që kanë pasur një kompjuter në shtëpi dhe ndoshta edhe lidhje interneti që kur ishin fëmijë të vegjël. 2) Nga ana tjetër, janë ata që kanë pasur pak ose asgjë fare.

Shumica e informaticienëve në Shqipëri, ose koduesve, i përkasin kategorisë së parë dhe kjo mund të jetë mëma e të gjithë problemeve që kemi sot në sektorin e ICT.

Të gjithë kemi pasur në lagje ndonjë fëmijë, të cilit, prindërit i kanë blerë kompjuter që në moshë të vogël, apo u linin të përdornin të tyrin. Flas këtu sidomos për vitet 1990’ dhe fillimet e viteve 2000’, kur kjo ishte një gjë e rrallë. Në vitet 1980 kompjuteri për shqiptarët ishte gati një fenomen jashtëtokësor. Ndërkohë që, lidhja e internetit filloi të masivizohet vetëm diku nga 2010. Shumica e këtyre fëmijëve, ndoshta të instruktuar nga prindërit, ndoshta dhe nga një egoizëm fëminor i tipit “topi është i imi dhe penalltinë e gjuaj vetë”, nuk linin askënd të prekte kompjuterin e tyre. Ashtu, të lumtur e kureshtarë ata eksploronin të vetmuar misteret e Botës kompjuterike, brenda mureve të shtëpive të tyre.

Këta fëmijë, kryesisht djem, më pas u rritën dhe zgjodhën më së shumti degët e inxhinjerisë dhe shkencave kompjuterike në universitet, u shkolluan dhe filluan një punë. Sot ata janë 40 dhe 50 vjeçarët që drejtojnë bizneset e ICT, janë 30 vjeçarët me eksperiencë, koduesit senior, apo 20 vjeçarët në pozicionet e mesme. Ata janë pedagogët dhe administratorët publikë.

Po çfarë personash janë ata? Nuk po hyj në më shumë detaje, por mund të them se ata janë pak dhe me një natyrë të veçantë.

Personat që punojnë, janë thelbësorë për zhvillimin e një sektori ekonomik apo aktiviteti prodhues. Aftësitë teknike dhe njerëzore, motivimi, vizioni dhe etika e punës që ata kanë, bëjnë diferencën kur vjen puna tek sasia dhe cilësia e produktit përfundimtar. Në fund të fundit është fytyra e tyre që shet. Pra, pa personat e duhur një sektor mund të mos zhvillohet kurrë.

Skarsiteti i ekosistemit tonë të ICT vjen pikërisht nga mungesa e ekspozimit ndaj teknologjive, aksesit në pajisje dhe më pas në njohuri. Kjo ka ndikuar dhe në numrin e vogël dhe llojin e personave që përfshihen apo merren me këtë sektor, edhe në krahasim me vendet fqinje.

E gjitha kjo nuk do ishte një problem nëse do flisnim për orëndreqës apo sahatçi, sepse dhe sikur 30 të tillë të kishte gjithë vendi, sërish puna do ecte dhe ekonomia nuk do ishte në rrezik.

Problemi është se po flasim për kodues dhe sektorin e ICT. Fjala që dua të përdor është pikërisht problem dhe jo sfidë, madje as mundësi apo oportunitet. Ne jemi përpara një problemi te madh që duhet të fillojmë ta bëjmë copa-copa dhe ta zgjidhim.

Ekziston gjithnjë ajo dëshira për t’ju qasur sektorit të ICT si një sektor me potencial të lartë për investime. Patjetër që është kështu. Por, kjo retorikë, ose mënyrë të shprehuri, mund të japë dhe mesazhin e gabuar se kjo është një gjë që dhe mund të bëhet, por edhe po nuk u bë “punë e madhe”. Nuk ka problem, sepse ka dhe zgjidhje të tjera. Fitimi i munguar nuk është diçka që të godet aq sa humbja e parave që ke në xhep.

Lexoni: Shqipëria 2030 – 100 mijë kodues duhet të jetë objektivi ynë!

Në fakt, nuk është se ka rrugë tjetër. Revolucioni i katërt ka filluar dhe tashmë të gjitha vendet duhet të bëjnë llogaritë me ndryshimet e pashmangshme që do të shoqërojnë atë. Deri në 2030 do të shkurtohen 20 milionë vende pune në Botë pikërisht prej revolucionit të katërt teknologjik. Nga ana tjetër 18 milionë të tjera do të krijohen. Këto janë projeksione, pasi impakti mund të jetë dhe më i madh, si dhe më i përqëndruar në vende si Shqipëria ku humbja e vendeve të punës në mënyrë përpjestimore mund të jetë dramatike. Shumë nga pozicionet e punës që mbajnë sot shqiptarët mund të automatizohen në të ardhmen, në sektorë si bujqësia, fasoneria, shërbimet apo dhe ndërtimi.

Pra, revolucioni i katërt dhe zhvillimi i teknologjive është në radhë të parë një problem që duhet ta zgjidhim. Ne nuk mund ta ndalojmë atë, por duhet të përshtatemi dhe shpejt, madje me urgjencë. Kuptohet që ne si vend nuk kemi mundësi për të investuar në sektorë të teknologjisë ku kërkohen pajisje dhe infrastrukturë e shtrenjtë, si prodhimi i pjesëve hardware apo bioteknologjitë. Gjithsesi ne mund të investojmë tek pjesa e kodimit, mund të investojmë tek njerëzit tanë. T’u japim mundësi për më shumë mirëqënie dhe kësisoj liri.

Bashkimi Europian ka vendosur në axhendën digjitale objektivin për formimin e 20 milionë ekspertëve të ICT deri në 2030. Në mënyrë përpjestimore, Shqipëria duhet të ketë 100 mijë kodues deri në atë afat. Ju kujton gjë ky numër?

Sot ne mund të kemi diku tek 5,000 apo 6,000 kodues të aftë për të konkuruar në tregjet ndërkombëtare. Ritmi i formimit të koduesve të rinj është rritur por jo mjaftueshëm, ndërkohë që forca e rëndesës së tregut Gjerman të punës po përthith edhe atë pak talent që kemi.

Duhet të gjejmë mënyra alternative të formimit të koduesve, por më e rëndësishmja duhet të demokratizojmë mënyrën e formimit të tyre. Duhet një revolucion!

Po si formohet një kodues?

Një kodues formohet së pari si autodidakt, duke u ekspozuar ndaj teknologjisë. Së dyti nëpërmjet kurseve apo trajnimeve dhe së treti nëpërmjet universitetit. Për të gjitha këto duhen para, madje shumë para. Duhen dhjetëra mijëra Euro për të blerë pajisjet e duhura, ndjekur kurset dhe universitetin.

Nëse do të bënim një llogaritje të thjeshtë, formimi i një koduesi mund të shkojë mesatarisht diku tek 30 mijë Euro. Kjo shifër mund të shkojë dhe 100 mijë Euro apo më shumë, nëse përzgjidhen universitete me emër dhe zgjatet periudha e nevojshme për formim.

Për kë ka mundësi ekonomike ky nuk është një problem. Por për të tjerët është një problem i madh, pasi u duhet që të sajohen për pajisjet, materialet studimore, apo praktikat, që më së shumti janë të dobëta dhe papaguara. Shpesh këta të rinj dhe të reja dekurajohen dhe shumë rrallë ja dalin të formohen plotësisht. Këta janë shumica, aspirantë kodues që nuk ja dalin dhe ndërpresin rrugëtimin e tyre drejt rritjes në teknologji.

Në këtë pikë ku jemi, zgjidhja nuk mund të vijë nga brenda sektorit. Masa e madhe e personave të përfshirë në të duket se nuk kanë as dëshirë dhe tashmë as mundësi praktike për të ndryshuar mendësinë, qasjen apo modelin e tyre të biznesit.

Personalisht mendoj se nëse ky problem lihet në dorë të vetë sektorit, atëherë do të jemi dëshmitarë të një dështimi të paralajmëruar. Në vendin tonë do të vazhdojë të ketë mungesë koduesish, emigrim të tyre dhe një sektor që në tërësi do jetë i paaftë të mbështesë rritjen e sektorëve të tjerë dhe eksportet. Në fund koston e mungesës së veprimit do ta paguajmë të gjithë me rritje papunësie dhe si rrjedhojë varfërie.

Ne duhet të ndërhyjmë si shoqëri dhe ta demokratizojmë formimin e koduesve. Unë shoh kryesisht dy mënyra për të bërë këtë. E para lidhet me subvencionet nga Shteti dhe e dyta me mbështetjen e disa udhëheqësve më vizionarë të sektorit.

Çmimi i paguar nga përfituesi fundor për formimin e koduesve duhet të jetë brenda intervalit 2,000 – 5,000 USD dhe koha për formimin e tyre nuk duhet të kalojë periudhën 2 vjeçare.

Gjithashtu duhet të promovojmë disa udhëheqës vizionarë dhe modele edukimi alternative, si për shembull betaPlan BootcampsHolberton School Albania me degë të akademive më të mira nga Silicon Valley, apo SDA by Protik dhe aktorë të tjerë me rëndësi si ICT AcademyICT Labs, dhe TCT (ndoshta dhe ndonjë tjetër). Që të gjithë po japin një kontribut të çmuar për të ulur barrierat në formimin e koduesve në moshat e punës. Disa prej tyre kanë arritur të ofrojnë kurrikula perëndimore me çmime 4 – 9 herë më të lira.

Vlen të përmendet Businessmag si një media e palodhur që ekspozon dhe frymëzon lexuesit që të ndjekin teknologjinë si rrugë drejt zhvillimit, si dhe disa sipërmarrje të dalluara si gjigantët e pandalshëm të Gjirafës, të rinjtë plot pasion të Youtaste, apo sipërmarrësit brilantë të Softmogul, që me produktet e tyre po bëjnë diferencën në hapësirën Ballkanike dhe Euopiane. Pa harruar këtu nisma si American CornerCode for Albania dhe TUMO që krijojnë kushte praktike për më të vegjlit që të mësojnë kodimin.

Në shumë nga këto nisma Shteti po jep mbështetje, ashtu si dhe disa donatorë publikë dhe privatë, por përpara kemi një problem urgjent, një krizë që kërkon shumë më shumë dedikim. Shteti dhe kush e konsideron veten mik të Shqipërisë duhet të japë më shumë fonde dhe mbështetje teknike për formimin e koduesve në vendin tonë.

Duhet të gjithë së bashku të krijojmë një lëvizje dhe një frymë drejt objektivit 100 mijë kodues për Shqipërinë 2030, për ta çliruar sektorin dhe demokratizuar atë.

Vajzat dhe djemtë tanë e meritojnë!

Lexo: Si të zhvillojmë një mendësi sipërmarrësi

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0