Donald Trump, ka zbuluar markën e tij të re të smartphone-ve, Trump Mobile, duke lançuar modelin e parë të quajtur T1 Phone 8002 (versioni Gold). Me një çmim prej 499 dollarësh, telefoni mund të rezervohet me një pagesë paraprake prej 100 dollarësh, me dorëzim të parashikuar në shtator.
Pajisja promovohet si “e dizajnuar dhe ndërtuar në SHBA”, një slogan që lidhet fort me retorikën e Trump për prodhimin vendas dhe nacionalizmin ekonomik. Kjo lëvizje vjen vetëm pak javë pasi ai kërcënoi me tarifa të larta, të paktën 25%, për iPhone dhe pajisje të tjera të prodhuara jashtë vendit, duke shënjestruar drejtpërdrejt CEO-n e Apple, Tim Cook, dhe duke theksuar se iPhonet që shiten në Amerikë duhet të prodhohen në SHBA dhe jo në Indi apo vende të tjera. Trump gjithashtu ka paralajmëruar se tarifat do të prekin Samsung dhe çdo prodhues tjetër të pajisjeve mobile, duke lënë të kuptohet se masat mund të hyjnë në fuqi që në fund të muajit qershor. Kjo përputhet me përpjekjet e tij të vazhdueshme për të rikthyer zinxhirët e prodhimit teknologjik në territorin amerikan.
T1 Phone 8002: Çfarë dimë deri tani?
Specifikat teknike të T1 Phone 8002 janë konkurruese për çmimin që ofron: një ekran AMOLED prej 6.78 inç me refresh rate 120Hz, 256GB memorie të brendshme, 12GB RAM, një bateri 5,000mAh dhe sistem kamerash me tre lente, ku kamera kryesore ka 50MP. Pajisja vjen me sistemin operativ Android 15 dhe, për çudi të shumëkujt, përfshin një hyrje tradicionale për kufje 3.5mm, një veçori gjithnjë e më e rrallë tek telefonët modernë. Megjithatë, faqja zyrtare Trump Mobile ofron shumë pak informacione reale për pajisjen dhe shfaq imazhe që duken të manipuluara ose të krijuara dixhitalisht. Detaji më shqetësues është mungesa e informacionit mbi procesorin, një komponent thelbësor për çdo smartphone, edhe pse ekziston një seksion i dedikuar për specifikat teknike.
Lexo edhe:Nga i pastrehë në milioner, çfarë e bën Brian Tracy-n një legjendë
A është Trump Mobile një realitet i largët?
Sipas ekspertëve të industrisë, afati i premtuar për dorëzimin në shtator ngre dyshime, pasi cikli i zhvillimit të një smartphone-i zakonisht zgjat 12–18 muaj. Gjithashtu, kërkesa për pagesë paraprake prej 100 dollarësh përpara se pajisja të jetë gati, shihet me skepticizëm nga analistët, të cilët paralajmërojnë për mungesë transparence dhe qartësie. Deklarata e Trump se telefoni është prodhuar në SHBA përballet me kundërshti nga ekspertët dhe drejtuesit e industrisë, përfshirë edhe vetë Tim Cook të Apple, i cili ka theksuar vazhdimisht se prodhimi i smartphone-ve në SHBA përballet me sfida infrastrukturore dhe zinxhirë furnizimi shumë kompleksë. Në praktikë, asnjë nga prodhuesit aktualë të telefonëve inteligjentë madje as ata amerikanë, nuk i prodhojnë pajisjet e tyre në SHBA. Shumica e prodhimit të teknologjisë së lartë vijon të jetë e përqendruar në Azinë Lindore, veçanërisht në Kinë, me përpjekje të kufizuara për të zhvendosur një pjesë të prodhimit në vende si India.
Lançimi i Trump Mobile vjen si një përpjekje për të shfrytëzuar valën e nacionalizmit ekonomik dhe për të ofruar një alternativë amerikane ndaj gjigantëve si Apple dhe Samsung. Por, mungesa e transparencës teknike, koha e pamundur për prodhim, dhe sfidat reale të prodhimit në SHBA e bëjnë këtë projekt më shumë një instrument politik dhe marketingu, sesa një realitet të qëndrueshëm në tregun global të teknologjisë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.