Ligji për ndalimin e basteve, një histori monopoli e frikshme! - Business Magazine Albania

Ligji për ndalimin e basteve, një histori monopoli e frikshme!


Shkruar nga Panajot Soko (qëndrim personal i autorit)

Vendimi për mbylljen e pikave të kumarit, e shoqëruar me një retorikë të fortë në mbrojtje të shëndetit social të qytetarëve nga ana e Kryeministrit, nuk kishte si të mos fitonte gjithë duartrokitjet e publikut të gjerë. Bixhozi është një plagë e hapur e shoqërisë tranzicioniste shqiptare dhe vendimi për t’u shkëputur si me shpatë prej tij ishte si një dhuratë nga qielli blu për shqiptarët. Natyrisht, ajo do të kishte kostot e veta nga pikpamja ekonomike, duke filluar që nga 8-9.000 të punësuarit, të cilët që prej 1 Janarit do t’u duhet të kërkojnë një punë të re dhe deri tek 45 milionë Eurot që do t’i mungojnë përfundimisht buxhetit të shtetit. Por, zelli ynë për t’i shpëtuar një herë e mirë plagës, është shumë i madh për t’u lëkundur nga efektet negative, kur ato janë vetëm ekonomike. Kështu që një pjesë e madhe e qytetarëve aplikuan miratimin në heshtje të këtyre kostove.

Gjithsesi, nisur edhe nga eksperienca që buron nga historiku i veprimeve të kësaj qeverie, instikti të shtyn të dyshosh se një dhuratë e tillë pa asnjë “shpërblim” nga mbrapa është një kafshatë pak e vështirë për t’u gëlltitur. Kjo, pasi jemi duke folur për një industri që formalisht prodhon rreth 140 milionë Euro në vit, ndërsa informalisht ajo shkon 500 milionë e ndoshta më. E pra, fshirja si me gomë e këtyre lekëve, nga kjo qeveri, duket tepër e bukur për të qënë e vërtetë.

Dhe instikti ka gjithmonë të drejtë. Nëse analizohet në detaje ajo që do të ndodhë, kuptohet që e vërteta është ndryshe nga ajo që, ne duartrokitësit, guxuam të ëndërronim se po ndodhte.

Kryeministri, në fjalimin e tij, përmendi faktin që tashmë e gjithë industria e bixhozit do të transferohej nga pikat e basteve që gjenden kudo nëpër qytetet shqiptare, në versionin online të basteve. Kjo me qëllimin largimin e pikave të bastit nga sytë e njerëzve të thjeshtë, femijëve dhe individëve me varësi patologjike ndaj bixhozit. Por nëse i referohemi praktikës aktuale të operimit me bastet online, kuptojmë që transferimi i basteve nga pika fizike në baste online, nuk bën gjë tjetër veçse e rrit prezencën e industrisë së basteve tek qytetari. Dhe kjo ndodh në dy forma.

E para është shtrirja e industrisë së basteve, e cila do të ikë nga pikat aktuale që janë të destinuara dhe të reklamuara si pika basti dhe do të transferohet në çdo njësi shërbimi, bar, lokal, restorant, qendër tregtare etj… Kjo sepse shndërrimi i një njësie të tillë shërbimi në një pikë virtuale bastesh është shumë e thjeshtë, mjafton një kompjuter me internet dhe një llogari pranë kompanisë së basteve online. Dhe në atë moment, bari, lokali, restoranti sapo u kthye në një pikë bastesh ku çdokush që pi një kafe, është duke bërë shopping apo konsumon një drekë apo darkë do ta ketë aty pikën e bastit, dhe mund të vendosë baste shumë lehetë pa iu dashur ta ndërpresë aktivitetin që po kryen, thjesht t’i thotë kamarierit apo shitësit më vendos këtë bast dhe të paguajë paratë në dorë. Më pas, nëse fiton, kamarieri ia paguan fitimin përsëri me para në dorë ndërsa vetë paratë i kalohen në llogarinë që bari apo lokali ka hapur pranë kompanisë së basteve online.

E dyta është teknologjizimi i shoqërisë i cili do të katalizojë procesin e përhapjes së pikave të bastit. Çdokush që ka një smartphone do të ketë një “pikë basti” në xhep. Dhe mos harrojmë që sot smartphone-ët janë shtrirë pothuajse në nivel mbi 70% të popullsisë dhe shumë shpejt do të shkojnë në nivel 100%, pasi me kalimin e viteve modelet e vjetra të smartphone-ve do të kushtojnë aq lirë saqë të gjithë do të pajisen me një të tillë.

Pyetja që shtrohet është: – Nëse nuk bëhet për zvogëlimin e aktivitetit të basteve, për çfarë bëhet? Përse qeveria ndërmori një nismë të tillë që do të ketë pasoja social-ekonomike të forta, pasi bëhet fjalë për rreth 10.000 familje që nga 1 Janari do të kenë një të ardhur me pak dhe për rreth 45 milionë Euro që do t’i mungojnë buxhetit të shtetit?

Djalli fshihet në detaje, thuhet me të drejtë. Sot që po flasim liçencën për organizimin e basteve online e ka vetëm një kompani, Bastarena e cila është një kompani mikse, turke dhe e regjistruar në ishujt Guraçao. Nëse kompani apo individë të tjerë do të dëshironin të përfitonin liçencën e basteve online, sipas përcaktimeve te ligjit 155/2015 për lojërat e fatit, të gjithë e kanë të pamundur, pasi në kuadrin e masave, Kryeministri me një VKM të datës 9 Tetor ka pezulluar aktivitetin e AMLF me një afat të pacaktuar. Por AMLF është agjencia përgjegjëse për liçencimin e bizneseve të lojërave të fatit dhe gjendja e saj e pezulluar, pezullon automatikisht dhe liçencimin e subjekteve të reja si organizatore bastesh online. Dhe fakti që në datën 9 Tetor që u miratua në qeveri projekt-ligji i cili iu ndalonte aktivitetin basteve sportive, po në datën 9 Tetor del dhe vendimi për pezullimin e aktivitetit të AMLF për një periudhë kohe të pacaktuar, tregon se kjo është një çështje e orkestruar e cila nuk bëhet për të ndaluar/minimizuar/reformuar aktivitetin e basteve sportive. Ky është thjesht përdorimi i forcës së shtetit për të krijuar një monopol në fushën e basteve sportive, duke hequr kompanitë aktuale dhe spastrimin e tregut në favor të Bastarenës. Pra, është e gjitha një histori korruptive, më e frikshmja e ndodhur ndonjëherë që nuk ka lidhje me të mirën e shqiptarëve as në frymë dhe as në gërmë, por thjesht me përfitimet personale të ca njerëzve të afërm të pushtetit, të cilët do të gllabërojnë tregun e stërmadh të basteve duke ua futur dhe më shumë duart në xhep shqiptarëve.

Prandaj të gjithë ne që duartrokitëm, le t’i kthejmë duartrokitjet mbrapsht dhe t’i fusim duart në xhep t’i ruajmë ato.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0