Leksioni i Studentëve… - Business Magazine Albania

Leksioni i Studentëve…


Shkruar nga Zef Preci

Përtej kryefjalës së këtyre ditëve “student” dhe përpjekjeve të kuptueshme për pronësimin politik të protestës, e cila në çfarëdo fjalori demokratik është një protestë politike dhe nuk mund të jetë ndryshe, të paktën qysh nga Plutark-u deri në ditët e sotme, pavarësisht repertorit të çështjeve që ngrihen në të. Në rastin e protestës së studentëve duket se janë kryesisht çështje që lidhen me menaxhimin e sistemit arsimor, me përfaqësimin e studentëve në të, me koston e shkollimit në një sistem të promovuar si “falas” si dhe me kushtet e infrastrukturës në arsimin e lartë publik.

Lexoni: Student, nuk e ke idenë çfarë ke bërë!

Duke ndjekur me kujdes evoluimin e kërkesave të studentëve nga njëra ditë në tjetrën, shihet qartë se suksesi i saj i derisotëm lidhet, nga njëra anë, me mbështetjen publike e politike që gëzon (kjo e fundit e perceptuar si garë mbështetjeje të pazëshme të forumeve partiake dhe “ndeshje” midis tyre për kontrollin eventual edhe/ose pronësimin e “fruteve” të saj në fund). Nga ana tjetër, duken të dështuara përpjekjet për ta mbajtur atë në kornizat e një proteste për punë “tarifash studimi dhe kondita fjetoresh në konvikt”, gjë që u reflektua edhe në monologun tmerrësisht të gjate të Z. Rama në mëngjesin e ditës së 7-të të protestës. Pra të gjitha palët, ndoshta përveç opozitës e cila e ka “detyrë parësore” të sajën menaxhimin dhe shfrytëzimin e çfarëdo pakënaqësie ndaj qeverisë ndër grupet e ndryshëm sociale të vendit, kësaj radhe janë kapur në befasi.

Nëse analizohet me kujdes thelbi i protestës dhe mbeshtetja publike e gjeneruar ndaj saj, mund të thuhet, së pari, se ajo shënon pa diskutim një hap përpara në emancipimin e përgjithshëm të shoqërisë së sotme shqiptare, emancipim që fillon me njohjen e problemeve të kësaj shoqërie. E kur vjen puna për problemet, nuk ka diskutim se në vetëm 7 ditë proteste studentët flakën tutje perden shumëvjeçare të retushimit të realitetit deri në ndërtimin e një Shqipërie virtuale, që dita ditës largohet me shpejtësi nga Shqipëria reale, plot dhimbje, vuajtje e privacione dhe pak shpresë për një jetë më të mirë, në të cilën jetojnë shumica e studentëve dhe familjeve të tyre.

Së dyti, kjo protestë dëshmon edhe faktin se lidershipi i sotëm politik në pushtet është larguar shumë nga realiteti dhe është zhytur në korrupsion dhe skandale nga të cilat nuk e shpëton dot një media e (keq)përdorur dhe stërpërdorur si kjo jona, duke përfshirë edhe median audio-vizuale kombëtare. Kështu ardhja në Tiranë këto ditë e një mashtruesi indian dhe pritja glamoroze e tij dhe suitës që e shoqëronte në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Rinasit, e përcjellë me zë dhe me figurë nga disa portale dhe e pademontuar nga protagonistët apo mbrojtësit politikë të kësaj vizite, të lë një shije shumë të hidhur, që flet më shumë se deklaratat dhe tautologjia në rrjetet sociale e udhëheqësve që “nuk i zë gjumi për hallet e popullit…”. Nuk po flas për konçesione e PPP klienteliste, për “rrugë pa rrugë” dhe për tendera të pakërkuar e pa konkurrencë apo për falsifikimet prej dhjetëra miliona dollarësh, të cilat nuk ka SPAK në botë që i gjen e ndëshkon mirëfilli.

Lexoni: Kryeministri Rama del në komunikim publik. Fton studentët për dialog

Së treti, edhe pse të artikuluara si kërkesa minimaliste në dukje tërësisht ekonomike, nga njëra ditë në tjetrën këto kërkesa u plotësuan me problematikën e gjerë të sistemit arsimor universitar të vendit, me nevojën e luftës kundër mediokritetit, keq-qeverisjen e rektorateve, mungesën e paqartësitë e politikave publike në këtë sektor, ndikimet në rritje të lobeve të biznesit dhe të oligarkisë, largimin nga Deklarata e Bolonjës dhe eksperimentimet e pafundme që kanë sjellë situatën në të cilën jemi sot.

Së katërti, për shkak të diversitetit të formimit civik e civil të studentëve pjesëmarrës në protestë, por edhe të solidarizimit me ta të studentëve nga disa nga qytetet kryesore të vendit dhe prindërve të tyre, nga tërësia e fjalëve të tyre përshëndetëse vihet re se ata kanë arritur përgjithësisht të bëjnë cilësisht dallimin midis gjendjes në vend-numuro të dekadës së fundit dhe shitjes së këtij stanjacioni si progres dhe hapa përpara. Ndoshta ky është edhe mësimi më i madh i javës së parë të protestës – klasa politike në pushtet dhe në opozitë, por veçanërisht ajo në pushtet, e diskredituar dhe pa reputacion të vërtetë publik (por me votat që blen, numëron dhe “gëzon” vetë), e dyshuar dhe e përfshirë gjerësisht në korrupsion, në një vend me institucione drejtësie të munguara dhe thuajse plotësisht të kontrolluara prej saj, nuk mund të vazhdojë “të bëjë politikë” ashtu si deri më sot. Pra, “gota” e mbushur plot e përplot e pakënaqësisë publike rrezikon të derdhet dhe duket se kësaj radhe shqiptarët nuk do t’i drejtohen me dëshpërim aeroportit për të marrë rrugët e botës si muhaxhirët dikur, por do t’u kërkojnë llogari deri në një qeveritarëve të vet, atyre që kanë marrë përsipër qeverisjen e vendit.

Lexoni: Protesta e studentëve, Kryeministrit i përgjigjet një prej profesorëve

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0