Kushtetuta e Vlerave të Djathta – Një “Blueprint” Për Ringritjen e Të Djathtës - Business Magazine Albania

Kushtetuta e Vlerave të Djathta – Një “Blueprint” Për Ringritjen e Të Djathtës

Kushtetuta e Vlerave të Djathta

Shkruar nga Nikola Kedhi – Një prej autorëve të Kushtetutës së Vlerave të Djathta 

Shqipëria ka një nevojë të domosdoshme për prezantimin, diskutimin dhe zbatimin e ideve të djathta, të cilat në dy shekujt e fundit u kanë dhënë zhvillimin më të madh vendeve Perëndimore.  Kur filluam hartimin e Kushtetutës së Vlerave të Djathta, i cili gjendet online për konsultim publik, me nismën e anëtares së Kryesisë së PD, Edith Harxhi, dhe me inkurajimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, kishim dy synime kryesore – rikthimi i debatit të ideve në vend, dhe krijimi i një boshti vlerash, idesh, parimesh për partinë më të madhe në vend.

Shpesh thuhet se në Shqipëri nuk ka më ide, jetojmë në një shkretëtirë mendimi që po vë përfund një shtet dhe një shoqëri. Nga ana tjetër, siç me të drejtë e përmendi përgjatë konferencës Doktrina e së Djathtës dhe zoti Berisha, partia me e madhe e djathtë në vend ishte kthyer në një OJF të majtë. Në Shqipëri termat e diskursit politik i vendos e majta, dhe veç sa diskutohet për masën e asistencializmit, subvencioneve dhe ndërhyrjen e qeverisë kudo, duke i marrë të mirëqena se këto janë e vetmja recetë shpëtimi. Ndërkohë tezat e vërteta të djathta, që kanë ringritur, forcuar dhe zhvilluar kombet, prej kohësh janë harruar në Shqipëri. Kjo Kushtetutë paraqet për herë të parë pikërisht se çfarë është e djathta.

Për ne, individi është minoriteti më i vogël në shoqëri. Ai qëndron në themel të çdo bashkësie tjetër. Por njeriu është një qenie sociale. Ai nuk ekziston në një vakum. Individi lind në një familje, në një kontekst social, në një komunitet, dhe me një trashëgimi të caktuar. Ne trashëgojmë nga prindërit tanë shtëpinë në të cilën lindim, familjen, komunitetin, qytetin dhe vendin e të parëve tanë. Në çast, dhe krejt instinktivisht, ne lidhemi me këto vende dhe njerëz dhe natyrshëm na lind një ndjenjë mbrojtje.

Saktësisht ky është konservatorizmi. Nuk është një ideologji, por një shumëllojshmëri idesh, besimesh dhe ndjenjash që janë të natyrshme për çdo qenie njerëzore, e cila priret në mënyrë krejt natyrore t’i mbrojë ato. Një konservator është një individ që e kupton marrëdhënie më të natyrshme midis të gjallëve, të vdekurve dhe atyre të cilët nuk kanë lindur ende.

Për më tepër, individi lind me disa liri dhe të drejta të patjetërsueshme, të cilat nuk ja ka dhënë asnjë strukturë njerëzore apo burokratike, dhe si e tillë, as nuk mund t’ia marrë kush. Disa prej këtyre të drejtave individi i delegon te disa individë të tjerë, të cilët marrin përsipër t’u japin përgjigje dhe zgjidhje çështjeve që prekin komunitetet e krijuara nga individi dhe familja. Kjo është marrëdhënia e përfaqësimit që krijohet mes të zgjedhurit dhe zgjedhësit, e cila qëndron në themel të demokracive liberale.

Që individi të delegojë këto kompetenca që ka, duhet të bindet nga një vizion i caktuar që i jep sigurinë se të drejtat e liritë e tij nuk do cenohen e as shpërdorohen. Shpesh, në shoqëri ende të paformuara mirë, individi mund t’i dorëzojë të drejtat e tij dhe në këmbim të një oferte monetare, dhe sidomos në mungesë të një oferte politike të qartë nga palë te tjera. Kjo ka ndodh shpesh në dekadën e fundit kur një prej forcave kryesore nuk ofronte asnjë alternative, por ngelej në rrafshin e denoncimeve, duke mos ofruar shpresë apo rrugëzgjidhje. Individi në këtë kontekst, shihte si rrugë shpëtimi ose mospjesëmarrjen, ose pranimin e një oferte monetare në këmbim të votës, ose largimin nga vendi, duke dëmtuar nocionin e përfaqësimit dhe duke çuar në elita jo përfaqësuese.

Ndaj është një domosdoshmëri prania e ideve, boshtit ideologjik, të vlerave e të parimeve, që të mund të frymëzojë, bindë, dhe të shtyjë individin të shkojë në masë në kutinë e votimit. Në veçanti individi i djathtë është më i vëmendshëm ndaj kësaj, sepse pavarësisht delegimit të disa kompetencave, ai preferon të qëndrojë aktiv në komunitet dhe shoqëri, për shkak të lidhjes së fortë që ka me to, me familjen, me traditën e historinë. Për më tepër që individi shqiptar është konservator në qenien e vetë, dhe kjo lidhje bëhet dhe më e fortë. Një forcë politike e djathtë do duhej pikërisht të adresonte këto lidhje natyrore të njeriut.

Një i djathtë e di se edhe pse individi ka gjithë potencialin që të ecë përpara me aftësitë e veta, në imperfeksionin e tij ai ka nevojë për traditën, dijen, eksperiencat shekullore të vendit të tij, për ndihmën e familjes, komunitetit dhe shoqërisë. Ky është ndryshimi themelor me të majtën. Një i majtë mendon se individi është një qenie thellësisht imperfekte në tërësinë e tij, dhe mangësitë e tij i mbush vetëm burokracia shtetërore e disa njerëzve që supozohet të jenë më të mirë se ai. Zhvillimi thotë e majta është më i rëndësishëm se e shkuara, se tradita, dija, kultura dhe historia e një vendi, dhe vetëm një burokraci që kontrollon shumëçka mund të çojë një vend përpara. Por nëse individi nuk është perfekt, atëherë përse burokracia e përbërë nga njerëz të të njëjtës kohë është më e aftë e më e ditur se eksperiencat e grumbulluara në shekuj?

Lexo: Revolucioni i avionëve të së ardhmes

A nuk është familja, komuniteti dhe shoqëria më e mirë-pajisur për të ndihmuar individin, e për të mbrojtur liritë e të drejtat e tij, se sa një grup njerëzish pa lidhje me individin? Pikërisht nga ky dallim themelor burojnë dhe dallimet e tjera mes të majtës e të djathtës për çështjet e ekonomisë, taksave, borxhit, shpenzimeve, politikës së jashtme e të tjerë. Një konservator (pjesë e një prej rrymave themelore të së djathtës) që kërkon të mbrojë dhe të lërë familjen, komunitetin, shoqërinë dhe kombin më mirë se çfarë e gjeti, nuk mund të rrisë borxhin dhe t’u lërë brezave të ardhshëm një barrë të tillë.

Një liberal klasik (pjesë e një tjetër rryme kryesore të së djathtës), që vendos si kryesore lirinë e individit dhe të drejtat e patjetërsueshme të tij, nuk mund të rrisë taksat, të shpenzojë pa fre ose të ndërhyjë në jetën e individit me fuqinë që i jep shteti. Ndaj të djathtët kërkojnë buxhete të balancuara, qeveri të vogël dhe taksa të ulëta, sepse ne parim ata kanë respektin më të madh për këto para të fituara me mund që individi ja heq familjes së tij për t’ia dhënë burokracisë shtetërore për të kryer një sërë funksionesh.

Pra, ka një logjikë ideologjike përse të djathtët bëjnë këto propozime. Individët që mendojnë në këtë mënyrë quhen për konvencion të djathtë. E djathta, në të dy shtyllat kryesore të saj që janë konservatorizmi (tradicionalizmi) dhe liberalizmi klasik, janë gjendje natyrore të njeriut dhe vijnë krejt natyrshëm. Ndërkohë e majta është më artificiale, sepse bazohet në ide të imponuara nga lart. Në versionin me ekstrem të saj, komunizmin, këto ide imponohen me dhunë. Për të djathtën ka shumë keqkuptime në diskursin publik, duke qenë se e majta për shkak të fuqisë financiare që ka pasur ka mundur të influencojë. E djathta për shembull nuk është pro biznes, as pro ndonjë shtrese të popullsisë. E djathta është pro treg, pro konkurrencë të lirë, në funksion të individit, familjes dhe komunitetit. Por, siç tregon dhe historia, sa herë ndërhyn e majta me politikat e saj, balanca dhe harmonia e tregut prishet duke krijuar favorizime.

Të tërë mendimet, ndjenjat dhe gjendjet e brendshme të njeriut duhen përkthyer në një ofertë politike, pasi është politika mjedisi ku individi adreson problemet që ka, duke u munduar t’u japë zgjidhje.  Presidenti Reagan i dha përgjigje duke marrë teorinë e fuzionizmit (përbashkimit) të rrymave të së djathtës të propozuar nga William Buckley Junior, themeluesi i revistës ikonë të së djathtës amerikane, National Review, dhe editori i parë i saj, Frank Meyer.

Konservatorët duhet të kenë parasysh se virtyti apo morali që ata kanë për zemër, i cili nuk zgjidhet lirisht nuk është as i virtytshëm e as i moralshëm. E vërteta dhe vlerat që konservatorizmi mbron vyshken në mungesë të lirisë së individit të cilën e mbron liberalizmi klasik. Nga ana tjetër, liberalët klasik duhet të kenë parasysh se individualizmi i pa fre dhe i painformuar nga vlerat morale kalbet dhe bëhet i paqëndrueshëm. Pa pranimin e një terreni vlerash e virtytesh, liria humbet kuptimin e vet dhe në fund dëmtohet individi e familja. Të dyja kolonat e asaj që në perëndim quhet konservatorizëm (libertarianizmi dhe tradicionalizmi), kur nuk balancohen nga njëra tjetra, krijojnë premisat për autoritarizëm anipse me qëllim të mirë.

Ky përbashkim ndodh në mënyrë krejt organike dhe ndaj prodhon rezultate të shkëlqyera siç ka ndodhur në SHBA e Britani të Madhe në vitet 1980, në Spanjë pas vitit 2011, në Madrid sot, në Florida me Guvernatorin Ron DeSantis e të tjerë. Edhe në Shqipëri, për të fituar, nevojitet një bashkim sinergjik e organik i të djathtës, me të gjithë rrymat e saj bazuar në disa vlera të përbashkëta. E djathta nuk fillon me vitin 1990.

Lexo: Tesla po ndërton fabrikë të re në Kinë?

Partia Demokratike duhet të thërrasë e të përfaqësojë, mbrojë dhe promovojë vlerat, parimet dhe interesat e  anti-komunistëve, pronarëve legjitim, ish të përndjekurve politikë, pasardhësve të patriotëve të vërtetë të periudhës para komunizmit, liberalëve klasikë, libertarianëve dhe konservatorëve socialë. Kjo Kushtetutë Vlerash që ne prezantuam bën pikërisht këtë, duke treguar se si krijohet një shoqëri e mundësive dhe e shtetit të së drejtës në të cilën qytetarët të jetojnë të lirë dhe të sigurt. Një shoqëri e cila respekton lirinë dhe përfaqësimin e denjë të çdo qytetari shqiptar, konkurueshmërinë, barazinë para ligjit, si dhe mundëson zhvillimin e shpejtë ekonomik dhe shoqëror të vendit, duke ruajtur kombin, familjen, traditën tonë kulturore dhe diversitetin fetar.

Kjo kërkon në radhë të parë një ndryshim të sistemit tonë ekonomik, nga konsumator, importues e të shërbimeve, në prodhues e eksportues. Puna e jo subvencioni apo asistencializmi duhet të jetë kryefjalë. Nevojiten politika të anës së ofertës që ulin taksat për të gjithë, incentivojnë punësimin, prodhimin, investimin në vend, zvogëlojnë shpenzimet pafre të qeverisë, ulin drastikisht borxhin, dhe zvogëlojnë barrën rregullatore e burokracinë. Nevojitet një industrializim i vendit. Industrializimi dhe demokracia ecin krah për krah. Nevojitet gjithashtu një pavarësi energjetike, për të cilën Shqipëria i ka të gjitha mundësitë.

Ekonomia e tregut, edukimi dhe demokracia janë të lidhura ngushtë, sepse një ekonomi e tregut të lirë kërkon një popullsi më të arsimuar dhe kjo e fundit, nga ana tjetër, kërkon pjesëmarrje në politikë dhe vendimmarrje. Një individ me mjetet e duhura ekonomike dhe edukimin e nevojshëm arsimor dhe patriotik do të shkojë natyrshëm në mbrojtjen e vlerave familjare, kulturore dhe historike, por pa harruar të hedhë sytë nga e ardhmja, risitë dhe përparimi i kujdesshëm i shoqërisë.

Vetëm një alternativë e tillë e djathtë, me një Parti Demokratike që zbaton këtë Kushtetutë që ka pranuar në themel të saj, do të bëjë që të frymëzojë e bashkojë duke krijuar jo një shumicë demokrate, por një shumicë shqiptare që i ndajnë këto vlera, parime e politika, por kanë humbur shpresën sepse nuk u flet njeri për ide e shpresë. Vetëm kështu krijohet një shumicë që shkon përtej çdo manipulimi e deformimi të vullnetit të zgjedhësit, duke sjellë në pushtet ide e propozime që vërtet forcojnë shtete dhe institucione.

Unë uroj që prezantimi i këtij dokumenti dhe inkorporimi i tij në partinë më të madhe të djathtë të shënojë dhe rikthimin e diskutimit të civilizuar të ideve, propozimeve dhe alternativave në vend.

Nikola Kedhi është ekspert ekonomik, konsulent financiar dhe kontribuues në media të ndryshme si Fox News, Daily Signal, Newsweek e Il Giornale. Kedhi është dhe një nga hartuesit e Kushtetutës së Vlerave të Djathta. Artikulli është i përshtatur nga fjala e autorit në konferencën “Doktrina e së Djathtës”.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0