Shkruar nga Shpëtim Jaha, student i Inteligjencës Artificiale në Full Sail University.
Taksa kundër Serbisë është shndërruar në “Thembrën e Akilit” për vetë Kosovën. Mirë që ishte vënë fillimisht, sepse krijoi efektin e zgjimit nga gjumi të faktorit ndërkombëtarë se toleranca ndaj nëpërkëmbjes së Kosovës nga Serbia, e ka një kufi. Por, mbetja në fuqi e taksës në kohën e tanishme po prodhon dy efekte tepër të këqija për Kosovën.
Efekti Politik
Kosova me mbajtjen e taksës, po krijon arsyetim thelbësor dhe tërësisht të pranueshëm qe po përdoret nga Serbia, se ne si Kosovë nuk po duam dialog. Pra, ne po prodhojmë mekanizmin e obstruksionit për vetën tonë. Nuk dua të vazhdojë me tutje, pasi situata është me e rëndë se kaq dhe dua të kaloj tek efekti i dytë.
Efekti Ekonomik
Që nga ardhja e Donald Trump në krye të SHBA-së, kryefjala e tij ka qenë ndërtimi i rregullave të reja ekonomike në botë. Kjo u arrit kur ai prishi çdo marrëveshje dhe i negociojë të rejat një nga një për t’i zëvendësuar ato të vjetrat. Dhe ia doli t’i krijojë marrëveshjet e reja me Kanadanë dhe Meksikën. “Kulaqi” më i madh i ngeli Kina, derisa me BE-në i pati pjesërisht të lehta marrëveshjet e reja. Edhe Kina u gjunjëzua pjesërisht, por për SHBA-në, Kina akoma mbetet një fuqi dominuese tregtare në botë e cila duhet t’i nënshtrohet rendit të ri ekonomik. Kina u forcua ekonomikisht falë konsumatorëve amerikanë, të cilët konsiderohen shpenzuesit më të mëdhenj në botë. Prandaj, Kina duke e parë se konfrontimi me SHBA-në do t’i sjellë rënie të ekonomisë, u detyra të kthehet në tavolinën e bisedimeve. Gjithçka duket se po shkon drejt përmbysjes kur CoronaVirus lindi në Kinë dhe fillojë të shpërndahet nëpër botë. Kjo e detyroi SHBA-në të nuhasë partnerë tjerë që do të prodhojnë për ta, me kosto të ulët ekonomike.
A mundet Kosova të përfitojë nga kjo lëvizje politike e SHBA-së, ndaj ekonomisë së saj dhe asaj globale? Unë besoj që mundet, dhe atë në masë të madhe. Derisa gjithçka nga Kina për në SHBA është bllokuar, madje duke pasur rënie të fitimit sidomos nga kompanitë teknologjike, një partner i besueshëm europian, do të ishte “qershia mbi tortë”.
Vetë Apple ka lajmëruar se të hyrat për tre mujorin e parë të 2020-tës do të jenë negative si rezultat i CoronaVirusit.
Kosova nga stabiliteti politik që mund të prodhojë duke hequr taksën dhe duke arritur një marrëveshje me Serbinë, do të kishte përfitime të mëdha ekonomike. Partneriteti ekonomik po përmendet shumë edhe nga ndërmjetësi i presidentit Donald Trump, Richard Grenell. Ai po premton investime amerikane në Kosovë e Serbi, menjëherë pas Marrëveshjes. Dhe përpos heqjes së taksës, asgjë tjetër nuk mund ta përshpejtojë këtë marrëveshje.
Politikanët në Kosovë ka kohë që lexojnë në mënyrë jo të detajuar, ose nuk i analizojnë deklaratat e ndërkombëtarëve. Grenell po shprehet qartë se investitorë Amerikanë do të vijnë në Kosovë. Ata do të vijnë, sepse Kosova ka Marrëveshje për Tregti të Lirë me Bashkimin Europian dhe është anëtare e CEFTA-s. Kosovës i lejohet me urdhër ekzekutiv presidencial të SHBA-së të eksportojë në SHBA, më shumë se 4 mijë artikuj, madje edhe ata ushqimorë dhe të mishit (për të cilat Departamenti i Ushqimit dhe Barnave ka një kontroll të fuqishëm dhe shumë selektiv ndaj importeve). Kosova mbi të gjitha nuk i nënshtrohet rregullave ligjore të Brukselit, dhe kjo për SHBA-në do të thotë më pak burokraci europiane. Kosova gjendet në territorin Europian, por pa ligje të BE-së. Dhe krejt në fund Kosova ka ofruar mjaftueshëm kushte demografike për investime amerikane me popullsi të re, të arsimuar mjaftueshëm dhe e gatshme që të bëjë ndryshime rrënjësore, veçanërisht në fushën e teknologjisë. Jo zyrtarisht, shumica e kompanive teknologjike amerikane e kanë bazën në Irlandë, dhe si të tilla i nënshtrohen një mori rregullave, që personalisht i konsideroj të panevojshme.
Duke i marrë parasysh këto fakte, pse u dashka që një taksë kundër Serbisë, të na dëmtojë ne në termin afatgjatë? Pse mos të bëhemi joshës për amerikanët? Pse u dashka që kur kompanitë amerikane po kërkojnë seli të reja në botë për investime me qëllim që të mos përballen me Kinën me tutje, ne t’i lëmë ato kompani të ikin gjetiu?
Serbisë ne kemi kohë për t’i kërkuar llogari për të gjitha dëmet që na i ka shkaktuar, por për momentin, ne na takon që ta përdorim gjithë kapacitetin politik e t’i japim rast atyre që po premtojnë investime, që edhe t’i realizojnë ato. Pak vende në botë historikisht kanë pasur këso oferta nga SHBA. Le të harrojmë hipotezën se gjoja marrëveshja Kosovë-Serbi i duhet Trump-it për të plotësuar rezumenë e tij për zgjedhje. Ne duhet të shohim përtej kësaj. Ne kemi nevojë për punësim të të rinjve. Në të kundërtën, do të detyrohemi që pas 5 apo 10 vitesh të kërkojmë fuqi punëtore nga Afrika. Gjermania po na zbrazë vendin, duke na e marrë rininë.
Opinionet e shprehura nga kontributorët e Business Magazine, nuk janë të Business Magazine, por të vetë kontributorëve.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.