Konfindustria vlerëson, se ndryshimet e fundit të ligjit të buxhetit të shtetit, të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë për pjesën e mbetur të vitit financiar 2022, nuk ofrojnë zgjidhje mbështetëse për krizën energjitike të shpallur.
Konfindustria, duke patur parasysh pasojat e jashtëzakonshme dhe afatgjata të krizës globale të energjisë mbi bizneset, qytetarët dhe ekonominë kombëtare, i ka kërkuar qeverisë të themelojë Fondin Emergjent të Përballimit të Krizës së Energjisë, si pjesë kryesore e ligjit të ndryshuar të buxhetit.
Konfindustria kërkon, që në rradhë të parë në llogari të Fondit të Energjisë të kalojnë -shpenzimet operative dhe kapitale jo të domosdoshme të gjithë institucioneve, agjensive dhe kompanive publike, pa përjashtim. “Gjithashtu, në Fond duhet të kalojnë edhe financimet e plota ose të pjesshme, që sot bëhen për koncesione, PPP me rëndësi jo parësore si dhe fondet e investimeve kapitale, jo të rëndësishme”, vlerëson Konfindustria.
Sipas Administratorit të saj Gjergj Buxhuku, bashkimi në një kompani të vetme të tipit holding, që do përfshinte KESH dhe OSSHE, mënjanimi i të tretëve “në shitje- blerjet e energjisë, ulja e humbjeve shumë të mëdha të sotme prej mbi 20% dhe rishikimi i shpenzimeve të kompanive publike të energjisë, përfshi OST, do të krijonte kushtet për uljen e kostove financiare të paarsyeshme të mëdha të sotme dhe do ishte masë efektive kundër korrupsionit.
Lexo: Anija që prodhon energji mbërin në Vlorë. Si do të funksionojë?
Konfindustria vlerëson, se pasojat e krizës globale të energjisë do të jenë shkatërrimtare për biznesin prodhues, industritë dhe qytetarët, me falimentime masive, papunësi dhe deri rrezikim të rendit kushtetues, nëse nuk merren masa parandaluese.
“Çmimet e deritashme për biznesin në Shqipëri janë më të shtrenjtat në rajon dhe çdo rritje e mëtejshme do të jetë e papërballueshme, sidomos për industritë”, vëren Konfindustria. Sipas saj, goditje të fortë do të marrin buxhetet familjare, nëse do të zbatohet plani qeverisë për të paguar me cmime tregu pothuaj 5 herë më të larta sesa sot sasinë e energjisë të shpenzuar mbi fashën 800 kw.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto