Red Bull Basement vjen për herë të parë në Shqipëri, shpallet fituesi që do të përfaqësojë vendin në Silicon Valley - Business Magazine Albania

Red Bull Basement vjen për herë të parë në Shqipëri, shpallet fituesi që do të përfaqësojë vendin në Silicon Valley

Për herë të parë në Shqipëri u zhvillua Red Bull Basement, iniciativa globale e dedikuar studentëve që kanë ide inovative në fushën e teknologjisë dhe sipërmarrjes. Në edicionin shqiptar u paraqitën 104 ide, pjesë e një komuniteti prej gati 100,000 idesh të dorëzuara nga e gjithë bota në këtë program.

Nga të gjitha aplikimet në Shqipëri, 10 finalistë u përzgjodhën për të prezantuar idetë e tyre përpara jurisë dhe publikut. Gjatë finales, pjesëmarrësit patën mundësinë të shpalosnin edhe një herë projektet e tyre, duke iu përgjigjur pyetjeve të jurisë dhe të pranishmëve mbi zhvillimin, potencialin dhe ndikimin që idetë e tyre mund të kenë në të ardhmen.

Eventi u moderua nga Brenton Bënja, ndërsa juria përbëhej nga Sonja Alushi, Arbër Kadia dhe Emiliano Mankolli. Pas prezantimeve finale dhe një diskutimi të shkurtër mes projekteve më të mira, juria arriti të përzgjedhë fituesin nga 5 idetë finaliste, duke u bazuar në kriteret kryesore të inovacionit, ndikimit dhe potencialit për të sjellë ndryshim real.

Lexo edhe: Tritech, startup-i që po i jep pajisjeve teknologjike një jetë të dytë!

Fituesi i Red Bull Basement Albania u shpall projekti Ecentic, i krijuar nga dy studentët Xhurian Shaba dhe Iseld Muça. Me këtë fitore, ata do të përfaqësojnë Shqipërinë në finalen globale që do të zhvillohet në Silicon Valley, në San Francisco, ku do të përballen me finalistë nga rreth 40 shtete të botës dhe do të kenë mundësinë të konkurrojnë për një çmim prej 100,000 dollarësh.

Duke folur pas shpalljes së fituesit, Xhurian Shaba u shpreh: Jam shumë optimist për idenë tonë dhe jemi shumë të emocionuar që do të përfaqësojmë Shqipërinë mes 40 shteteve të tjera të botës. Mendojmë që është një eksperiencë unike dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të çuar përpara projektin tonë.”

Red Bull Basement u ofron studentëve të moshës 18–24 vjeç mundësinë për të zhvilluar idetë e tyre përmes teknologjisë, mentorimit dhe një platforme globale, duke i lidhur me një komunitet ndërkombëtar inovatorësh dhe krijuesish që synojnë të sjellin zgjidhje të reja për sfidat e së ardhmes.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0