Kompanitë po planifikojnë të bëjnë publike pagat në njoftimet e punës - Business Magazine Albania

Kompanitë po planifikojnë të bëjnë publike pagat në njoftimet e punës

Shumica e njoftimeve të punës përmbajnë titullin e pozicionit, përvojën që kërkojnë punëdhënësit dhe përgjegjësitë e këtij roli, duke mos përfshirë informacionin më thelbësor: pagën. Por, kjo duket se do të ndryshojë, sipas një sondazhi të ri që ka zbuluar se shumë punëdhënës po planifikojnë të bëjnë publike një interval të pagës në njoftimet e ardhshme të punës, pas një sërë ligjesh shtetërore dhe lokale që e kanë bërë të detyrueshme ndarjen e këtij informacioni.

Një sondazh tek afro 400 punëdhënës nga firma e konsulencës WTW, e njohur më parë si Willis Towers Watson, zbuloi se megjithëse vetëm 17% e punëdhënësve thonë se i bëjnë aktualisht publike intervalet e pagave në vendet ku nuk është ligjërisht e detyrueshme për ta bërë këtë, 62% e punëdhënësve ose po planifikojnë, ose po shikojnë mundësinë për të shtuar një interval të pagës në njoftimet e punës, edhe në ato vende ku kjo nuk kërkohet me ligj.

“Deri në fillim të vitit të ardhshëm, punëkërkuesit ka të ngjarë të gjenden në një botë krejt të re për sa i përket njoftimeve të punës – një botë ku ata mund të shohin se sa paguhet një punë, përpara se të duhet të bëjnë aplikimin ose të shkojnë në intervistë,” thotë Christine Hendrickson, zëvendëspresidente për nismat strategjike në Syndio, një kompani e cila kryen analiza për pagat e korporatave.

Duke filluar nga 1 nëntori, punëdhënësit që kërkojnë të punësojnë dikë në qytetin e Nju Jorkut do të duhet të përfshijnë edhe pagat në njoftimet e punëve. Në fillim të vitit të ardhshëm, edhe shteti i Uashingtonit do ta bëjë të detyrueshme këtë gjë.

Ligji i ri i Uashingtonit ishte katalizatori i mundshëm për njoftimin e Microsoft në qershor se, deri në janar të vitit 2023, ata do të kenë filluar duke bërë publike intervalet e pagave në të gjitha njoftimet e punëve në SHBA. Pasi kompania deklaroi në një postim se do të përdorte mënyrën më të mirë të publikimit të intervalit të pagave, shumë ekspertë parashikuan se edhe kompani të tjera do të ndiqnin shembullin e gjigantit të teknologjisë.

Mariann Madden, e cila bashkëdrejton politikën e drejtësisë në caktimin e pagave në WTW për Amerikën e Veriut, krahason interesin në rritje për miratimin e një politike kombëtare me mënyrën se si u përgjigjën punëdhënësit pasi shumë shtete në SHBA filluan të miratojnë ligje për ndalimin e të pyeturit të kandidatëve lidhur me historikun e pagave të tyre.

“Kompanitë thjesht vendosën që do të fillojnë të ndjekin politika kombëtare,” tha ajo.

Ligji i ri në Kaliforni pritet të ketë ndikim tepër të madh. “Është ekonomia e pestë më e madhe e botës”, thotë Hendrickson. Shteti i Nju Jorkut po punon gjithashtu për një legjislacion të ngjashëm, dhe si Hendrickson, ashtu edhe Madden, presin që gjithnjë e më shumë juridiksione lokale do të punojnë drejt miratimit të legjislacioneve të ngjashme.

Sigurisht, disa punëdhënës nuk janë gati që t’ia zbulojnë këto shifra së gjithë botës, qoftë për shkak të shqetësimeve se ata nuk po ofrojnë nivele të njëjta pagash me konkurrentët e tyre, qoftë për shkak të mungesës së qartësisë për mënyrën se si paguhen punë të ndryshme ose, më shumë, për shkak të shqetësimeve për pabarazinë e pagave dhe për mënyrën se si do të perceptoheshin ato nga punonjësit nëse do të bëheshin publike.

Pothuajse gjysma e kompanive përmendën reagimet e punonjësve si një arsye që ato nuk i bënin publike pagat.

Por, ekspertët e burimeve njerëzore parashikojnë se ata nuk do të jenë në gjendje ta mbajnë të fshehtë këtë informacion edhe për shumë kohë, për shkak të ndryshimit të normave të punonjësve dhe të pritshmërive për transparencën e pagave.

“Punëdhënësit duhet të jenë të sinqertë në këto informacione, përndryshe do të shkaktohej kaos nëse do te kishte informacione të paqarta që qarkullojnë kudo”, thotë Hendrickson. “Punëdhënësit po arrijnë të kuptojnë se gjysmë të vërtetat dhe informacionet e pjesshme nuk do t’u shërbejnë atyre, përkundrazi, ato do të krijonin më shumë probleme se sa do të zgjidhnin.”  Forbes

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0