Intervista me Drejtorin e PROTIK për Nasa Space Apps Challenge


1. Kush është Erton Graceni?

Ertoni zotëron një diplomë master në Menaxhim Biznesi & Teknologji nga Universiteti i Sheffield, në Britaninë e Madhe dhe një diplomë bachelor në Teknologji Informacioni nga Universiteti i Tiranës. Kohët e fundit, ai përfundoi një MBA Ekzekutiv në Menaxhim dhe Lidership në Harvard Business School.

Gjatë përvojës së tij profesionale, ai ka punuar në disa kompani shqiptare dhe te huaja si dhe konsulent për disa organizata qeveritare dhe ndërkombëtare si Banka Botërore, Organizata Botërore e Shëndetësisë, PNUD, zyra e Kryeministrit të Shqipërisë, etj. Aktualisht, ai mban postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Protik Innovation Center.

2. Nasa Space Apps Challenge 2016 – Atmosfera ishte plot entuziazëm tek PROTIK. Sa persona u regjistruan për të marrë pjesë? Çfarë profili kishin ata?

International Space Apps Challenge është një maratonë teknologjike e iniciuar nga NASA e cila është sjellë në Tiranë në një atmosferë plot entuziazëm jo vetëm gjatë fundjavës së konkursit por gjatë gjithë periudhës tre mujore parapërgatitore. Interesi i të rinjve nga Shqipëria këtë vit ka dalë jashtë çdo parashikimi.

protik-businessmag (6)

Brenda një jave u plotësua limiti konkurentëve i vendosur për Shqipërinë dhe duke qenë se vazhdonim të kishim kërkesa u detyruam të rrisnim numrin e pranimeve. Gjithsej janë regjistruar rreth 140 konkurentë.

3. Ky aktivitet është vetëm për programues, zhvillues aplikacionesh? Apo mund të gjejë veten dikush tjetër në këtë konkurs?

Kjo maratonë ka si synim përdorimin e të dhënave publike të NASA dhe gjetjen e zgjidhjeve inovative për probleme në fusha të ndryshme që kanë ndikim global. Ky konkurs fokusohet në formimin e grupeve nga fusha e teknologjisë, kërkues shkencorë, projektues, artistë, mësues, sipërmarrës, zhvillues software dhe studentë nga e gjithë bota për të zhvilluar projektet e tyre në bazë të sfidave të prezantuara nga NASA.

4. Si ishin prurjet këtë vit? Cili është çmimi për fituesit në nivel lokal? Çfarë ndodh me ta më pas?

Të rinjtë shqiptarë pasi formuan grupet e punës, këtë vit dhanë zgjidhje për sfida nga gjashtë kategori të ndryshme:
Aeronautika, Stacioni Hapësinor, Sistemi Diellor, Teknologji, Tokë dhe Udhëtim në Mars.

Këto zgjidhje u gjykuan sipas kritereve të vendosura nga NASA, nga një juri lokale. Në rang kombëtar u zgjodhën tre grupe fituese, dy prej të cilave u përzgjodhën sipas kritereve të vendosura nga NASA, nga një juri lokale dhe një grup i cili është ekuivalent me çmimin e tretë “People choice” u zgjodh nga vetë konkurentet.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 29 të numrit 10 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 10 të saj.

Të treja këto grupe kanë fituar të drejtën e ndjekjes së “Akademisë së Akselerimit” për 6 muaj në formatin që vjen nga NASA dhe janë nominuar në konkursin global.

protik-businessmag (3)

Grupeve fituese në rang global do t’ju jepet e drejta për të ndjekur një lançim live në NASA.

5. Mund të besojmë se do të zbulohet nga Tirana, Prishtina apo Tetova një inovacion që do të kthehet në realitet në vitet që do vijnë?

Tirana, Prishtina dhe Tetova kanë kapacitetet e duhura dhe pjesëmarrja e lartë nga këto treva në këtë konkurs global tregon që të rinjtë shqiptar sjellin disa zgjidhje inovatore.

Vlen për t’u theksuar se në konkurset e viteve të kaluara të rinjtë nga Kosova dhe Maqedonia janë vlerësuar me çmime globale.

Ky format është zhvilluar për herë të parë vjet në Shqipëri dhe të treja grupet e nominuara në konkursin global kanë qenë pjesë e 25 zgjidhjeve më të mira.

6. A mendoni se ka potencial zhvillimi inovacioni tek të rinjtë shqiptarë? Çfarë mund të bëhet më shumë në këtë drejtim?

Të rinjtë shqiptarë kanë potencialin e duhur për zhvillimin e inovacionit. Një tregues për këtë janë idetë që vijnë jo vetëm në konkursin global që sapo përfunduam NASA Space Apps Challenge por dhe shumë ide apo projekte që vijnë në formate të tjera kombëtare ku këta të rinj mund të identifikohen.

Sigurisht që ka shumë për t’u bërë, ku problematikë kryesore mbetet mbështetja financiare për arritjen e një produkti final nga këto ide.

protik-businessmag (5)

Do të inkurajoja këta të rinj të apasionuar të marrin pjesë në sa më shumë kompeticione të tilla ndërkombëtare për të promovuar vlerat e tyre dhe pse jo, le të shpresojmë se idetë e tyre mund të kthehen në produkte, të cilat do të çajnë në tregjet ndërkombëtare.

7. Cili është aktiviteti i rradhës në PROTIK? Cilët do të jenë të ftuarit e ardhshëm?

Qendra Protik zhvillon aktivitete të ndryshme në vazhdimësi. Dy aktivitetet më të afërta zhvillohen gjatë muajit Maj:

“FuckUp Nights Tirana”

“FuckUp Nights” është një seri eventesh mujore që realizohen në të gjithë botën, ku njerëzit flasin në lidhje me dështimet më të mëdha profesionale ose falimentimet e bizneseve të tyre. Në ”FuckUp Night” tregohen histori dështimi , zhvillohen pyeten por dhe festohet.

Folësit mund të jenë prej fushave të ndryshme: artist, arkitekt, persona në fushën e teknologjisë, të mjedisit, sociale, madje dhe një doktor i cili para disa vitesh kishte hapur një shtëpi publike që falimentoi.

Personazhet e ftuar tregojnë historinë e tyre në 10 imazhe, të demostruar secili në 40 sekonda. Në fund të çdo historie, audienca bën pyetje dhe merr një mesazh se si të jetë e përgatitur për dështime në fushën profesionale dhe si t’i kapërcejë ato.

DigiGirls

Qëllimi i këtij aktiviteti është të theksojë rolin që luajnë femrat në sektorin TIK, të prezantojë eksperiencat e tyre dhe sfidat me të cilat ato përballen në mënyrë që t’u vijë në ndihmë profesionisteve të reja dhe të promovojë vajzat e reja që kanë zgjedhur të ndjekin këtë profesion.

Me anë të këtij konkursi, Protik fton të gjitha vajzat e apasionuara në programim, të vijnë me një ide për zhvillimin e projekteve të ndryshme si: website, aplikacione, animacione, lojra apo gjithçka që janë të afta të programojnë.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 29 të numrit 10 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 10 të saj.

 

Must watch
Business Mag Nr. #23 - Qershor 2020

Të gjitha planet tuaja për këtë vit, si individë apo sipërmarrës mund të jenë përmbysur. Mbërritja e Coronavirusit në Shqipëri paralizoi gjithçka, ashtu si kudo. Në mënyrë të papritur na vuri në kushte tërësisht të tjera pune, na shtoi pasigurinë e shqetësimin për të ardhmen.

Sipërmarrjet, kryesisht në fushën e IT u përshtatën më shpejt, duke angazhuar punonjësit nga shtëpia. Ato zhvilluan dhe më tej mundësitë për të punuar në distancë, ndërkohë që shumë kompani të tjera u mbyllën plotësisht.

Kjo është një periudhë sprove, për individin, drejtuesit dhe liderin. Kjo është lufta që po zhvillohet në spitale dhe fronti i parë i saj janë mjekë, infermierë e sanitarë. Historia e ekonomisë k a treguar se gjithmonë pas një situatë të vështirë ka një ringritje. Dhe ne besojmë se kështu do të jetë.

Deri atëhërë ajo çka na mbetet të bëjmë është respektimi i rregullave të kërkuara, marrja e përgjegjësive ndaj të tretëve për aq sa mundemi, e të interesohemi për të pamundurit, të ndajmë diçka për ta.

Solidariteti nuk ka munguar e nuk do të na mungojë as kësaj radhe. Ajo çfarë doli në pah krahas solidaritetit ishte varfëria: e shtetit, e kompanive dhe e vetë individëve.

Një ditë pas dërgimit të 30 bluzave të bardha në Itali, The Guardian na vlerësoi në artikullin e saj si zemërgjerë edhe pse Ky numër ishte planifikuar të botohej në Prill 2020, por procesi u shty për shkak të masave të ndërmarra si pasojë e shpërthimit të Covid-19. Edhe pse në kohë vështirësish, jemi …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale