Integriteti dhe dinjiteti nuk shiten. Fjalimi frymëzues i Arben Malajt pak para shkarkimit të tij si Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të BSH - Business Magazine Albania

Integriteti dhe dinjiteti nuk shiten. Fjalimi frymëzues i Arben Malajt pak para shkarkimit të tij si Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të BSH


Zhvillimet e seancës së fundit plenare ishin intensive. Ndërsa jashtë parlamentit protestonin gazetarë e përfaqësues të shoqërisë civile, kundër ligjit Antishpifje dhe në mbrojte të fjalës së lirë, në foltore ishte Arben Malaj, Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ish ministër i Financave, me karrierë të vazhduar dhe kontribut në ekonominë e vendit, në veçanti në forcimin e institucioneve dhe financave publike. Në fillim të këtij, me 3 Dhjetor Kryeministri Edi Rama propozoi shkarkimin e Arben Malajt nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Ky u vlerësua si një hap i nxituar nga ana e Kryeministrit, ndërsa vendi po përballet me sfidën e menaxhimit të pasojave të tërmetit.

Businessmag sjell fjalën e plotë të ish Ministrit të Financave, jo vetëm për kontributin e tij në ekonomi, por edhe parimet e vlerat që z.Malaj ka ndarë në mënyrë të vazhdueshme, vlera që ne i promovojmë fort tek të rinjtë në karrierë e në sipërmarrje, si rruga më e mirë për të siguruar sukses.

Fjala e plotë Arben Malajt, në seancën plenare (përfshirë pjesën që nuk u dëgjua)

Zoti kryesues i seancës,

Fillimisht nga zemra duhet t’u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave të tërmetit të 26 Nëntorit dhe t’u uroj shërim të shpejtë e të plotë të plagosurve.

Me lejoni t’i uroj shërim edhe nënës së nderuar të z Rama, të cilën e njoh pak, por e respektoj shumë.

I njoh vuajtjet e nënave të fëmijëve politikanëve. Fati më ndihmoi që e ndjera nëna ime mos ta shikonte gjyqin tuaj politik.

Ky tërmet solli 51 viktima, plagosi qindra të tjerë e la pastrehe mijëra familje. Ai mund të kushtojë disa qindra miliona euro.

Ekspertët vlerësojnë se nuk i vrau tërmeti, por cilësia e dobët në kolonat strukturore të ndërtesave.

Edhe dëmtimi i kolonave strukturore të shtetit, nga qeveria e shokëve dhe për shokët, nga korrupsioni epidemik dhe kapja e shtetit, nga vrasja e fjalës së lirë dhe instalimi i frikës, vret më shumë.

Kosto sociale, financiare e politike të keqqeverisjeve ndiehen në jetën e përditshme të shqiptarëve, ndiehen në rritjen e paqartësive dhe pasigurisë për të ardhmen dhe në braktisjen e vendit.

Vendi po qeveriset me mentalitetin se “i gjithë pushteti u takon sovjetëve”, por Rama harron aksiomën politike se, “pushteti absolut – korrupton në mënyrë absolute”.

Transparenca është aleati më i madh i demokracisë, ndërsa:

  • liria e mendimit të lirë dhe fjalës së lirë;
  • ndarja, balanca dhe kontrolli i pushteteve,
  • mbrojtja e pronës private dhe,
  • pavarësia e gjyqësorit,

janë kolonat strukturore, ku duhet të mbështetet mirëqeverisja e vendit.

Asnjë Bankë Qendrore nuk mund ta ndihmojë ekonominë e një vendi nëse ambienti politik është acid,  n.q.s. pasiguritë dhe pritshmëritë jo pozitive rriten,  nëse konsumi dhe investimi privat ulen dhe qeveria nuk investon datë më shumë për shkak të borxheve të larta.

Këtë situatë krize besimi e ushqejnë krizat politike, grindjet politike, agresiviteti dhe banalizimi i debatit në kuvend e media, e ushqen mosarritja e konsensusit kombëtare as për sfidat e prioritete kombëtare siç është dështimi përsëritur për hapjen e negociatave.

Kush po e dëmton realisht BSH-së për të qenë sa më efektive, Ju shoku Rama apo unë?

Nëse kapitali human dhe social i një vendi varfërohet, nëse institucionet kushtetuese nuk funksionojnë, korrupsioni e kapja e shtetit u rëndon gjithnjë e më tepër taksapaguesve, ne u vështirësojmë të tashmen dhe i vjedhim të ardhmen popullit tonë.

Prandaj mijëra vite më parë Konfuci theksonte  se: “Në një vend që keqqeveriset pasuria (personale) është ajo për të cilën duhet të turpëroheni”.

Kjo është hera e tretë që në këtë parlament kërkohet heqje e mandateve.

Kërkesa e parë ishte e PD-së në 1992 për heqje imunitetit të Genc Rulit dhe Rexhep Ukës. Ajo dështoi sepse në PD-së kishte deputetë me integritet.

Kërkesa e dytë ishte në 2004 për t’i hequr mandatin Nikoll Lesit, gazeta e të cilit “Koha Jonë”  përshpejtoi fundin politik të PD-së  në 1997.  PS shpëtoi nga njolla e zezë e heqjes së imunitetit të një gazetari që mbeti përherë simbol i lirisë së fjalës.

Sot  Rilindja, po bën një gjyq politik.

Në 1992 Gramoz Rucci mbronte Rulin dhe Ukën, ndërsa në 2019, në hapat e fundit të karrierës së tij politike, rrezikon që Kuvendi që ai drejton të marrë me vete turpin politik në historinë e parlamentarizmit shqiptar, ku dënohen anëtarë të institucioneve kushtetuese vetëm se kanë guxuar të kritikojnë paaftësinë, arrogancën dhe babëzinë sa herë ajo shfaqet.

Nuk është hera e parë që kërkojnë të më shkarkojnë.

Në 1992 isha drejtor i BKT-së Vlorë, PD-ja sapo erdhi në pushtet kërkoi me ngul shkarkimin tim. Ruli, Ministri i Financave dhe i ndjeri Hoti, Guvernatori i Bankës nuk e firmosën shkarkimin tim as kur në Korrik 1992 në atë situatë terrori politik ish kandidat i PS për Kryetar i Bashkisë Vlorë. Arsyeja e vetme sepse isha diplomuar si student i shkëlqyer.

E trishtueshme, në 1992 deputetet PD-se mbrojtjen koleget e tyre, sot në 2019 deputetet socialist ndjehen të frikur. A janë këto simptoma të neo-diktaturave?! Studiuesit paralajmërojnë për riskun në rritje të neo-diktaturave.

Në 1997 Berisha i propozoi Finos shkarkimin tim, të cilin ai e injoroi.

FMN dhe BB më dhanë mbështetje maksimale. Propozimi i Berishës ra.

Ideimi dhe implementimi i reformave strukturore, marrëveshja post konfliktuale, suksesi në konferencën e donatoreve, janë vlerësuar maksimalisht nga Camdessus, ish shefi i FMN, duke theksuar se “ Ne besojmë se ju i keni bërë një shërbim të madh Shqipërisë”.

Ky shërbim dhe ky vlerësim është pasuri që unë ua lë familjes dhe vendit tim.

Kjo është hera e tretë. Argumentet e plota profesionale i dhashë në Komision të Ekonomisë, por e përsëris me zë të lartë për të gjithë shqiptarët:

Kam kryer më së miri detyrën si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë,  pa cënuar  në asnjë rast sadopak asnjë detyrim etik e ligjore.

Kam mbështetur politikat monetare që lehtësonin rritjen ekonomike,

Kam kërkuar disa herë draftin e ligjit të BSH për të forcuar kolonat e saj strukturore. BE në raportin e saj 2019 e vlerësoi këtë detyrë të paplotësuar.

Kam kërkuar të mos vonohet ligji për ligjet e mbrojtjes se konsumatorëve të shërbimeve financiare dhe autoritetet mbikëqyrëse kredibel mund ti reduktojnë këto humbje, sepse edhe gjatë krizave të pasurit behën më të pasur dhe të varfrit më të varfër.

Këtë ka parasysh ish sekretari i thesarit amerikan Summers, i cili paralajmëron se kur bizneset bëhen të pasura, imponojnë politika publike që i bëjnë ata akoma më të pasur.

Kam kërkuar ne Bord  që :

të demokratizohet qeverisja e BSH-së, ajo është një ent publik, paguhet nga taksapaguesit shqiptarë dhe duhet të zbatojë parimet më të mira të mirëqeverisjes.

Të përzgjidhen dhe promovohen sa më mirë stafet dhe drejtuesit e BSH-së;

Kërkimi shkencor i BSH-së të fokusohet më mirë në sfidat reale të ekonomisë shqiptare, bazuar ne  modelin e  nobelistëve të ekonomisë në 2019 .

Kam votuar pro apo kundër bazuar vetëm në vetëdijen time thellësisht profesionale.

Bankat private kanë interesa private, anëtarët e bordit duhet të kenë përgjegjësi të lartë publike.

Në komision ndjeva trishtim për votimin në rresht të deputeteve, i mirëkuptova sepse ju jeni bërë i frikshëm, jo vetëm për ata dhe familjet e tyre por edhe për popullin shqiptar.

Ndiej trishtim për vendin tim që shkarkimin që nuk e arriti dot PD-ja në 1992 dhe  në 1997, do ta bëjë sot  kryetari  i Rilindjes.

Hakmarrja primitive nuk më  tremb, por më vret në shpirt për trendin jo pozitiv që kanë marrë zhvillimet politike në vendit tonë.

Ky ballafaqim publik nuk është për një karrige.

Kurrë nuk e kam shitur dinjitetin, integritetin dhe profesionalizmin tim tek askush, përfshi dhe oligarkët që i kanë kthyer në manekinë disa nga ministrat tuaj.

Ndryshe nga ju që për pushtet, kriminalizuat politikën shqiptare dhe u vutë një njollë të zezë socialistëve të thjeshtë e të ndershëm,  kurrë nuk e kam shitur integritetin tim për poste partiake e qeverisëse.

Në vitin 1997 nuk pranova të isha kandidat i PS-së për kryeministër i qeverisë se Pajtimit Kombëtar sepse përplasjet e mia me Berishën do të dëmtonin vendin tim dhe në veçanti qytetin tim që edhe sot lëngon nga plagët e rënda të krizës së 1997, që shkoi deri në konflikt civil.

Në mars 1997 u angazhova në detyrën më të vështirë, Ministër i Financave të një vendi ku pagat dhe pensionet ndaheshin me makina të blinduara në oborret e komisariateve të policisë.

Me kërkoni modelin e heshtjes se Bodes, por heshtja dhe mos veprimi ligjor i Bodes  për ndaljen e piramidave la pas mijëra viktima e fatkeqësi, që edhe sot u rëndojnë shumë rëndë shqiptarëve.

E pranova detyrën e vështirë të Ministrit te Financave vetëm kur në telefon dëgjova zërin e përlotur të nënës së Bashkim Finos. E kisha të pa mundur të mos i jepja fjalën dhe besnikërinë së Bashkimit do t’i qëndroja pranë dhe nuk do ta lija vetëm.

Në vitin 1998 z. Majko më ftoi në qeverinë e tij nuk pranova, por ne jemi përherë miq të mirë.

Në vitin 2002 Ilir Meta, me të cilin konkurrova për postin e kryeministrit me të njëjtën  filozofi si sot, që Shqipëria ka nevojë për institucione të forta, jo për individë të fortë, më ftoi në qeveri.

Kam investuar përherë për dijen, jo për karriget.  Sot jam krenar që në familjen time të vogël kemi 5 diploma nga 4 universitetet më të mira në botë.

Më ka inspiruar përherë kultura hebraike ku prindërit i këshillojnë fëmijët se në jetë mund të marrin çdo gjë, pasurinë, karriget, fitimet, punën por jo dijen.

Dijen nuk ta marrin dot pa të marrë dhe jetën.

Ndoshta kjo ka qenë arsyeja e përhershme sepse diktatorët përherë i kanë vrarë, i kanë persekutuar dhe denigruar njerëzit e ditur. Është e vërtetuar nga mençuria e popujve se të pa diturit i urrejnë të diturit.

Sot përballë vendit tim dhe deputetëve, jam krenar që periudha e menaxhimit të financave publike 1997-2005, mbetet akoma më e mira.

Ndërsa ju po vetërrezikoheni të mbeteni kryeministri më i dështuar në historinë e shtetit shqiptar.

Kjo të bën xheloz dhe të pashpirt. Ju kërkova me letër në 23 korrik të më thërrisnit në mbledhjen e qeverise kur te merrnit vendimin.

Keni goditur përherë mbrapa shpine shoku Rama, por asnjëherë nuk ke dalë moralisht i fituar.

I kam fituar përherë sfidat me ju. Dështimi juaj vjen nga rruga dhe aleatët që i përzgjodhët vetë,

Ne qe në fillim përzgjodhëm dy rrugë qartësisht të ndryshme.

Ju me aleanca edhe të pista për karriget, unë në rrugën e vështirë por fisnike të dijes.

Në 2001 kundërshtova kandidaturën tuaj në kryesi të PS-së për Kryetar Bashkie të Tiranës sepse ju nuk keni asnjë qelizë shtetformuese ne vetëdijen tuaj.

Në 2005  Nano më ftoi të konkurroja për drejtimin e PS-së sepse do të kisha mbështetjen e plotë të tij, nuk e pranova.

Duke shfrytëzuar gjithçka negative ju arritët Kryetar i PS-së dhe Kryeministër i Shqipërisë, por siç thotë Ezopi “Krushqia me njerëzit e ligj përfundon gjithnjë keq “siç është duke përfunduar në mënyrë dështuese epoka juaj e drejtimit të Rilindjes dhe Shqipërisë.  

E majta ka shumë personalitete që mund ta qeverisin Shqipërinë shumë herë më mirë se ju, por dehja nga pushtetet abuzive ju mban të lidhur, siç mban droga të droguarit.

Të nderuar deputetë, siç thuhet rrallë e më rrallë në jetë janë disa gjëra që nuk janë për shitje.  Integritetin dhe dinjitetin tim kurrë nuk i kam ofruar për shitje, sepse në rrënjët e integritetit dhe kredibilitetit tim publik gjenden:

Sakrificat e prindërve të mi punëtorë, që rriten dhe edukuan 9 fëmijë, 6 prej të cilëve me diploma universitare;

Sakrificat e punës time 6 vite në bujqësi dhe rreth 6000 km rrugë në këmbë vetëm për t’u mirë arsimuar.

Krenaria e mësuesve të mi nga shkolla fillore në Llakatund, shkolla e mesme natën deri në studimet në Harvard, që vazhdojnë të më inspirojnë t’i shërbej me dinjitet Shqipërisë.

Sakrificat e lodhshme të ekipeve të Ministrive dhe Kuvendit pa të cilët suksesi është i pamundur dhe dështimi është i sigurt.

Admirimi dhe mbështetja e mijëra socialistëve, por edhe ajo e popullit të thjeshtë të vendit tim, admirim dhe respekt që i ndiej çdo ditë dhe kudo.

Shpresat e qindra studentëve të karrierës akademike 27 vjeçare që më kërkojnë të mbetem  një model inspirues.

Lidhur me Bankën e Shqipërisë  shqetësimi juaj nuk është i sinqertë.

Ju e latë BSH-në rreth 2 muaj e gjysmë pa Këshill Mbikëqyrës, ishin vetëm 3 nga 9-të. Kjo nuk ndodh as në vendet afrikane.

Keni që në 16 Korrik shkresën e Kuvendit për të analizuar kërkesën e 28 deputetëve për shkarkimin tim dhe vepruat në errësirë vetëm pas 5 muajve.

Deklaruat publikisht se s’kishit asnjë shqetësim nga qëndrimet e mia publike.

Vepruat në 3 Dhjetor vetëm për hakmarrje primitive sepse u mërzit në një debat një ushtari juaj besnik, i cili arriti deri atje sa publikisht kërcënoi një prej personaliteteve të së djathtës shqiptare z. Oketa, se ne do t’ju shtypim me këmbë. Kush ne? Ai dhe Ju? Ushtari dhe Gjenerali i tij?

Pezullimi dhe shkarkimi juaj pa bazën e qartë ligjore është ose hakmarrje primitive ose një shërbim ndaj atyre që unë votoj edhe kundër në Bord.

Ju mbani pa statusin e qartë kushtetues Guvernatorin aktual të BSH-së sepse i doni të gjithë gjithnjë të dobët.

Unë nuk godas asnjëherë dhe asnjë mbrapa shpine si ju, por kam disa muaj që ju kam njoftuar me shkrim ju dhe Guvernatorin se sapo të krijohet Gjykata Kushtetuese, do t’i bëj një shërbim vendit tim, duke kërkuar të qartësohet a mund të jetë Guvernator një individ kur nuk është më anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë?

Ju e urreni pavarësinë reale të çdo institucioni kushtetues, shikoni gjyqësorin, shikoni KLSH-në, keni hedhur poshtë 3 kandidatura të Presidentit, drejtuesit e autoriteteve rregullatorë dhe mbikëqyrëse dhe  drejtorët më të rëndësishëm të administratës publike i ndryshoni disa herë në vit.

Pavarësisht nga pabesia juaj dhe goditjet pas shpine, kam ndjerë përgjegjësi ndaj vendit tim dhe ju kam ardhur sa herë që më keni kërkuar në takim dhe ju kam dërguar memo sa herë më keni kërkuar mendim.

Në fund kam një mesazh publik për deputetët.

Do ta mbroj deri në fund pavarësinë reale të Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve kushtetuese të vendit tim.

Ramën dhe qeverinë e tij e kam mundur një herë në Gjykatë Kushtetuese, kur i hodhëm poshtë një pjesë të taksave vrastare për biznesin.

Do ta mund prapë deri në Strasburg,  por shpenzimet e gjyqit dhe dëmin moral do ta paguajnë taksapaguesit e varfër shqiptarë.

Për opozitën parlamentare,

Rama bën çmos t’ju përçmojë publikisht, ju godet që të mos rriteni, media pro Ramës herë pas here ju identifikon disa prej jush si të blerë prej tij.  Sot të dashur deputetë të opozitës parlamentare keni rastin të provoni të kundërtën.

Këshilla ime miqësore është të mos votoni sot as kundër Ramës as pro meje por pro taksapaguesve dhe popullit të vendit tuaj, pasi po bëhen  miliona dollarë penalitete për vendime abuzive të qeverisjes tekanjoze të Ramës.

E vetmja mënyrë që mos t’ju bëjnë pis është të mos merrni pjesë në votim.

Hiqni kartat e votimit dhe lejoni që vetëm Rilindja të bëjë gjyqe e vrasje politike.

Për deputetët e PS-së, ku ka shumë kolegë të respektuar mjaftojnë vetëm 10% e deputetëve të saj në këtë sallë që ta shpëtoni PS-në dhe këtë tempull që duhet të ishte garanti i demokracisë dhe fjalës së lirë nga kjo njollë e zezë.

Pavarësisht rezultatit të votimit, do të vazhdoj t’i shërbej vendit si qytetar, profesor dhe studiues i politikave publike dhe mirëqeverisjes.

Ky nuk është gjyqi im.

Ky është gjyqi i demokracisë, në të njëjtën ditë kur në këtë sallë vuloset dhunimi i lirisë së shprehjes së mediave.

Ky është gjyqi ku të ndalohet të mendosh i lirë dhe të flasësh i lirë,  për gjithçka që duhet bërë më mirë në vendin tënd.

Ky rast do të mbetet në historinë parlamentarizmit shqiptarë  si një njollë e zezë,  të cilën unë kurrë nuk do dëshiroja të vinte për shkakun tim.

Pavarësisht nga votimi juaj unë do të vazhdoj i inspiruar nga Nënë Tereza kur këshillonte:  Mos bëni gjëra të mëdha, por bëni çdo ditë gjëra të vogla me zemër të madhe”.

Lutem me shpirt që e ardhmja e shqiptarëve, e ardhmja e Shqipërisë dhe kombit shqiptarë të mos cenohet  nga neo-diktatura.

Nga zemra i uroj çdo shqiptari: Gëzuar festat e fund vitit!.

Qoftë një vit i mbarë për ju dhe familjet tuaja!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!!

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0