"ICT Ylli në Ngritje", Raesa Nikshiqi: "Njerëzit me nevoja të veçanta në fokus të projektit tim." - Business Magazine Albania

“ICT Ylli në Ngritje”, Raesa Nikshiqi: “Njerëzit me nevoja të veçanta në fokus të projektit tim.”


Raesa Nikshiqi tashmë e ka gjetur pasionin e saj, atë të programimit dhe robotikës. Projekti i saj është një dorezë e cila përkthen gjuhën e shenjave në gjuhë të folur.

Qëllimi i këtij projekti është lehtësimi i jetës së njerëzve memecë gjatë rutinës së tyre ditore si dhe vetëdijësimi i shoqërisë tonë për nevojat e këtij komuniteti. Doreza Smart funksionon përmes sensorëve, ku çdo lëvizje e caktuar e gishtave afishon një shkronjë apo fjalë të caktuar, e interpretuar nga gjuha e shenjave.

BM: Përshëndetje Raesa. Së pari të përgëzojmë për çmimin. Ti, së bashku me Loran dhe Penda ishit pjesëtaret më të vegjël të këtij kompeticioni kaq të madh dhe përveç kësaj arritët të rrëmbenit çmimin “ICT Ylli në ngritje”. Por përpara se të kalojmë tek projekti, a mund të na bësh një prezantim të shkurtër të vetes ?

Raesa Nikshiqi: Përshëndetje. Unë jam Raesa Nikshiqi. Jam nxënëse e klasës së 9-të të shkollës fillore dhe jam studente në akademinë jCoders. Jam 15 vjeç dhe siç mund ta dini, fushat e mia të preferuara janë programimi dhe robotika.

Që nga fëmijëria e hershme, atëherë kur shoqet e mia pëlqenin artin dhe dizejnimin unë kam kuptuar që më pëlqen programimi dhe robotika. Pas një kohe të të mësuarit gjuhën programuese “Scratch”, unë fillova të përdor pllakat siç janë Arduino, Picoboard, si dhe kubëza Lego dhe kuptova që me të vërtetë më pëlqente rezultati dhe procesi i të zhvilluarit të projekteve.

Pas një viti e gjysëm që kur fillova të ribëja shumë e shumë projekte të të tjerëve, thashë më vete se erdhi koha që të zhvilloj një inovacion timin.

Në këtë kohë vitin e kaluar ishte edicioni i 4-të i ICT Awards dhe unë dëshiroja të merrja pjesë, por nuk mendova se idetë që kisha ishin të denja për këtë konkurs të madh.

Këtë vit vendosa të zhvilloj një projekt humanitar që do të ndihmojë botën të bëhet një vend më i mirë për t’u jetuar nga të gjithë. Mendova të krijoj një projekt për personat në nevojë, projekt i cili do të mund të ndimonte të tjerët, i cili është funksional dhe që do të sillte ndryshim në botë.
Raesa NikshiqiBM: Si ka ndikuar shkollimi në Akademinë JCoders në njohuritë dhe aftësitë që ke fituar?

Raesa Nikshiqi: Akademia jCoders ka qenë impakti më i madhë në zhvillimin e diturive të mia. Një pjesë e madhe e meritave u takojnë trajnerëve të Akademisë jCoders të cilët perveç se më kanë qëndruar pranë gjatë gjithë këtyre 2 viteve, më kanë dhënë perkrahje dhe ndihmë të palodhshme për përfundimin e dorezës përkthyese, që medeomos ka qenë një nga faktorët kryesorë që më ka mundësuar fitoren e çmimit Ylli në Ngritje.

BM: Na trego më shumë rreth projektit tënd. Si funksionon doreza?

Raesa NikshiqiRaesa Nikshiqi: Projekti im është një dorezë e cila përkthen gjuhën e shenjave në gjuhën e folur. Njerëzit memecë kanë nevojë për komunikim kudo që shkojnë por e kanë të vështirë sepse ata për shkak të pamundësisë së të shprehurit me fjalë, përdorin gjuhën e shenjave, të cilën shumica e popullsisë së botës nuk e kuptojnë dhe anasjelltas. Qëllimi i këtij projekti është lehtësimi i jetës së njerëzve memecë gjatë rutinave të tyre ditore si dhe vetëdijësimi i shoqerisë sonë për nevojat e këtij komuniteti.

Dedikimi, puna dhe prakticiteti teknik që ofron ky projekt, e bën atë më të veçantë se të tjerët. Projekti është humanitar dhe shumë i nevojshëm për shoqërinë tonë, sidomos në shekullin e 21 ku të gjithë kanë të drejta edhe liri maksimale. Doreza është e dizejnuar në atë mënyrë qe mund të programohet për të zgjeruar fjalorin dhe pozicionimi i sensorëve e bën të lehtë leximin e vlerave nga ata.

Produkti është i përbërë nga pjesa elektronike dhe pjesa programuese.

Doreza përkthyese është e programuar në gjuhën programuese C. Nga lidhja elektronike, algoritmi i realizuar i pranon të dhënat nga sensorët e ndryshëm, vlerat e të cilëve ndryshojnë varësisht nga lëvizja e dorës dhe gishtërinjëve, pasi pranon këto të dhëna algoritmi shfaq shkronjën/numrin e stimuluar në gjuhën e shenjave.

BM: Sa kohë iu është dashur që ta realizoni këtë projekt? Kush iu ka mbështetur më së shumti?

Raesa Nikshiqi: Ky projekt duke filluar që nga idea, që ka marr rreth 1 vit kohë e deri tek produkti prototip final që sot është funskional ka marr 3-4 muaj. Besoj se ka qenë një maratonë deri tek finalja e ICT Awards duke përfshirë edhe ditë ku kam punuar edhe deri pas mesnate. Mbështje dhe mentorship 100% kam patur nga Akademia jCoders, ku përveç mbështetjes më kanë ofruar edhe puntorinë dhe mjetet e tyre për ta zhvilluar dorezën.

BM: Doreza që ju keni krijuar sjell një risi në fushën e robotikës si në Republikën e Kosovës ashtu edhe atë të Shqipërisë, ku kjo fushë është shumë pak e prekur. Si ju lindi ideja për krijimin e saj, ishte nga një nevojë personale apo nga mungesa e një pajisje të tillë në treg?

Raesa Nikshiqi: Njerëzit me nevoja të veçanta janë ata të cilët kanë më së shumti nevojë për ndihmë, prandaj fokusi im kryesorë ishin ata. Duke menduar se kujt do të mund t’i ndihmoja më së shumti, arrita në përfundim që dëshiroj të bëj një projekt për personat memecë.

Siç e dimë personat e verbër marrin më së shumti kujdes në të gjithë botën në mënyra të ndryshme, pastaj janë njerëzit e shurdhër që fitojnë aparate dëgjimi, invalidët pjesë të ndryshme robotike të trupit e kështu me radhë… por….çfarë me njerëzit memecë?

A keni dëgjuar për ndonjë projekt që është krijuar për t’i ndihmuar atyre? A është e drejtë kjo?

Në botë ka përafërsisht 70 millionë njerëz memecë. Mendoni për këtë.

Dëshira për t’i ndihmuar këtij komuniteti më ka shtyrë që ta zhvilloj këtë projekt. Mendoj që ky projekt ka vlerë të madhe shoqërore.

BM: A ka ndonjë projekt të ngjashëm me tuajin në botë? Nëse po, çfarë sjell ndryshe projekti juaj?

Raesa Nikshiqi: Ka tentativa në botë për zgjedhjen e këtij problemi, po me sa kam dëgjuar dhe analizuar,  nuk kam parë dikë që ka arritur të përfundoj një projekt të tillë, duke përfshirë këtu edhe komercializimin e tij.

Projekti im besoj se do të arrijë në fazën ku do të komercializohet dhe do të jetë shumë i avancuar duke përfshirë këtu edhe shumë lloje gjuhësh, me më kryesoren gjuhën shqipe.

BM: Duke qenë një projekt social, çfarë të mirash do të sjellë për të gjithë komunitetin, të cilët kanë probleme me të folurin?

Raesa Nikshiqi: Kur personi memec shkon në dyqan, si do të komunikojë me shitësin? Ose kur një person memec dëshiron të gjej punë nuk mundet, sepse nuk mund të komunikoj me klientët apo me kolegët e tij.

Prandaj ky projekt e bënë të mundur kryerjen e rutinave ditore me lehtësi dhe jeta e tyre të filloj të bëhet më praktike dhe jo aq e vështirë.

BM: Faleminderit për intervistën! Ju urojmë shumë suksese!

Raesa Nikshiqi: Faleminderit ju për mundësinë.

https://www.youtube.com/watch?v=hFw0fGt6u-w&feature=share

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0