“Homeroom Hub”, platforma e krijuar në Kosovë që synon tregun amerikan - Business Magazine Albania

“Homeroom Hub”, platforma e krijuar në Kosovë që synon tregun amerikan

“Homeroom Hub” është një platformë e re dixhitale që synon të ndihmojë procesin mësimor, kur zhvillohet në klasë, ose në distancë përmes internetit.

Ky është një nënprodukt i përshtatur për tregun amerikan i aplikacionit “e-shkollorit”, një koncept i zhvilluar në Kosovë nga inxhinieri i teknologjisë informative Dardan Mehmeti.

Mundësitë e mëdha që ofron ky aplikacion në një platformë të vetme dhe kostoja më e ulët krahasuar me shërbimet e ngjashme në SHBA, zgjuan interesimin e sipërmarrësve në shtetin e Teksasit.

Pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, sistemi i edukimit në Kosovë filloi të përdorë një platformë të re të mësimit nga distanca, të quajtur “e-shkollori”, një aplikacion që ofron infrastrukturën e nevojshme elektronike për dixhitalizimin në tërësi të procesit arsimor.

E-shkollori është krijuar më 2017 nga inxhinieri i teknologjisë informative, Dardan Mehmeti. Në atë periudhë ai ishte pjesë e administratës së një shkolle në Prishtinë, ku edhe kishte vërejtur domosdoshmërinë për krijimin e një aplikacioni të tillë.

“Duke qenë se unë vet kam punuar në një shkollë, nga viti 2011 e tutje, e kam parë si diçka shumë të nevojshme personalisht. Gjithmonë kam menduar se duhet të ekzistojë një sistem i tillë dhe dikur kam thënë po e zhvilloj vetë një sistem të tillë”, ka thënë ai për Zërin e Amerikës.

Pak vite pas krijimit të kësaj platforme dhe përdorimit të gjerë të saj në Kosovë, më 2021 zoti Mehmeti u vendos në Hjuston të Teksasit.

Në atë kohë, ai thotë se nuk kishte në plan që ta sillte “e-shkollorin” në Shtetet e Bashkuara.

“Mirëpo duke takuar njerëz, sidomos komunitetin shqiptaro-amerikan, u frymëzova që të filloj të angazhohem edhe për mundësinë e zbatimit të e-shkollorit këtu. Kemi parë se ne ofrojmë çfarë ofrojnë të gjithë të tjerët së bashku, në një platformë. Ky është novacioni ynë. Qasja se si ofrojmë shërbimin”, thotë ai.
Lexo: Bëhu një profesionist digjital në 4 muaj dhe puno nga kudo, me Learnio

Versioni amerikan i “e-shkollorit” quhet “Homeroom Hub”.

Numri i madh i shërbimeve të ofruara në një platformë të vetme dhe mundësia e përshtatjes së këtyre shërbimeve në varësi të kërkesave, shtyu sipërmarrësin amerikan Dr. Jerry Nash të bëhet pjesë e bordit të “Homeroom Hub”.

“Unë vij nga sektori i edukimit. Kam qenë mësues për një kohë. Do të doja që të kisha këtë program gjatë kohës kur isha mësues. Kam biseduar rreth kësaj me anëtarë bordi dhe zyrtarë të shkollave. Ata kanë programe të ngjashme, por nuk kanë një program si ky që sjell gjithçka në një vend. Ka mbi 15 programe të ndryshme që shkollat duhet të kenë për të zhvilluar mësimin. Kjo e lehtëson shumë procesin mësimor. Edhe për prindërit dhe administratën e shkollës do të jetë një mjet i mrekullueshëm”, thotë Nash për Zërin e Amerikës.

Ligjvënësi republikan në Teksas dhe ish-kryetari i komisionit për edukimin publik, njëherësh sipërmarrësi Dan Huberty thotë se po angazhohet që “Homeroom Hub” të zëvendësojë platformat e mangëta që u krijuan gjatë kohës kur pandemia goditi sistemet e edukimit në mbarë botën.

“Shumica e produkteve që u krijuan gjatë pandemisë u krijuan në urgjencë e sipër. Ne po përmirësojmë sistemin e vjetër duke ofruar një teknologji më të përparuar. Po bëjmë gjithçka që duhet që kjo të funksionojë dhe sjell përfitime për shkollat në një periudhë më afatgjate”, thotë zoti Huberty.

Shteti i Teksasit, i cili shpenzon mbi 600 milionë dollarë në vit për avancimin teknologjik të shkollave publike, përbëhet nga më shumë se një mijë distrikte shkollash, me mbi 5 milionë nxënës.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0