Që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump nuk ka zhvilluar asnjë bisedë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen , pavarësisht faktit që Komisioni ka kompetencë ekskluzive për politikën tregtare të BE-së.
“Njëqind përqind” – kështu e vlerësoi Trump mundësinë e një marrëveshjeje tregtare mes SHBA-së dhe BE-së, dy nga ekonomitë më të mëdha në botë.
“Do të ketë një marrëveshje tregtare, 100%,” tha Trump teksa priti kryeministren italiane Giorgia Meloni në Uashington. “Ata duan shumë që të kemi një marrëveshje, dhe unë pres që do ta arrijmë. Por do të jetë një marrëveshje e drejtë.”
Për Bashkimin Evropian, marrëveshja është mënyra e vetme për të shmangur tarifat shkatërruese 20% të paralajmëruara nga Trump në fillim të muajit – të cilat aktualisht janë pezulluar për 90 ditë. Ndërkohë për SHBA-në, ajo shërben si armë për të qetësuar tregjet, për të siguruar investitorët dhe për të shënuar një fitore propagandistike.
Kjo periudhë 90-ditore shihet si një mundësi vendimtare – një “dritare shpëtimi” për vendet që duan të negociojnë drejtpërdrejt me presidentin amerikan. Por nëse marrëveshjet do jenë të ndërsjella apo vetëm në favor të SHBA-së, kjo ende mbetet e paqartë.
Vizita e Giorgia Melonit, e para nga një udhëheqës evropian pas shpalljes së tarifave “reciproke”, ishte pjesë e kësaj vale takimesh diplomatike. Një ditë më parë, Trump kishte pritur edhe një delegacion tregtar nga Japonia.
Lexo edhe: I pari shqiptar në Forbes 30 Under 30, Fabian Kamberi shkruan historinë
“Gjithkush është në listën time të prioriteteve,” tha Trump me vetëbesim. Edhe pse Meloni u përpoq të paraqitej si urë lidhëse mes dy anëve të Atlantikut, ajo pranoi kufizimet e saj: “Nuk mund të negocioj në emër të Bashkimit Evropian.”
Në praktikë, të gjitha shtetet anëtare të BE-së ndajnë të njëjtën politikë tregtare. Kjo do të thotë se vetëm Komisioni Evropian mund të negociojë për tarifat, ku personi kyç është vetë Ursula von der Leyen. E megjithatë, Trump nuk ka pasur asnjë kontakt me të që nga zgjedhjet.
Përplasje narrativash dhe heshtje politike
Trump ka shfaqur gjithmonë mosbesim ndaj BE-së, duke e cilësuar si një “forcë monopoliste” që, sipas tij, u krijua për të dëmtuar SHBA-në.
“Ju mendoni se Bashkimi Evropian është mik. Ata na zhvatin. Është për të ardhur keq,” deklaroi ai kur njoftoi tarifat.
Brukseli përpiqet ta zbusë këtë narrativë, duke theksuar se edhe pse BE ka suficit në mallra ndaj SHBA-së (€156.6 miliardë në 2023), ka deficit të madh në shërbime (€108.6 miliardë) – një bilanc më i ekuilibruar nga ç’pretendon Uashingtoni.
Pavarësisht rrezikut të një lufte tregtare të dytë, mungesa e komunikimit mes Trump dhe von der Leyen është bërë gjithnjë e më shqetësuese.
Komisioni Evropian ka tentuar të organizojë një takim që para inaugurimit të Trump në janar, por pa sukses. Marrëdhëniet janë përkeqësuar që pas deklaratave të Trump ndaj presidentit ukrainas Zelenskyy dhe pretendimeve mbi sovranitetin e Grenlandës.
Von der Leyen, e cila është shprehur shpesh si “mikeshë e madhe e Amerikës” dhe “atlantiste e bindur”, ka ashpërsuar ndjeshëm qëndrimin e saj: “Evropa është ende një projekt paqeje. Nuk kemi oligarkë që shkruajnë rregullat. Nuk pushtojmë fqinjët dhe nuk i ndëshkojmë,” u shpreh ajo për gazetën gjermane Zeit.
Bisedimet e fshehta dhe rreziku i tarifave në farmaceutikë
Në mungesë të një dialogu të drejtpërdrejtë, von der Leyen mbështetet te komisioneri Maroš Šefčovič, i cili ka zhvilluar disa takime me përfaqësuesit amerikanë Howard Lutnick dhe Jamieson Greer.
Megjithëse BE ka ofruar një marrëveshje “zero për zero” për mallrat industriale, Trump e ka refuzuar më parë.
Zyrtarët evropianë kanë frikë se Shtëpia e Bardhë mund të tërhiqet nga periudha 90-ditore pa paralajmërim. Një tjetër shqetësim janë tarifat e mundshme për sektorin farmaceutik – një goditje që mund të destabilizojë zinxhirët e furnizimit global.
Ndërkohë, në fushën e teknologjisë, BE frikësohet se SHBA synon të shkatërrojë kuadrin e rregullave digjitale si Akti për Shërbimet Digjitale (DSA) dhe Akti për Tregjet Digjitale (DMA). Komisioni ka hapur hetime ndaj gjigantëve si Meta, Google, X dhe Apple, të cilat mund të përfundojnë me gjoba të mëdha.
Lexo edhe: Mes dy zjarreve/ A do të arrijë Meloni të shmangë një luftë tregtare mes SHBA dhe BE?
Peter Navarro, këshilltari besnik i Trump, ka lidhur drejtpërdrejt tarifat tregtare me këto rregullime, duke i quajtur “luftë ligjore”.
Zyrtarë të BE-së paralajmërojnë se edhe nëse arrihet një marrëveshje teknike, ajo mund të rrëzohet në momentin që i shkon për miratim Trump-it dhe rrethit të tij të ngushtë. Edhe po të ndodhte një telefonatë apo takim mes Trump dhe von der Leyen, karakteri i paparashikueshëm i presidentit amerikan mbetet një pengesë serioze.
“Ne nuk kemi nxitim,” tha Trump gjatë takimit me Melonin – një deklaratë që bie ndesh me optimizmin “100%” që kishte shprehur më herët.
Kur u pyet për një takim me Von der Leyen, Trump tha vetëm se “kemi pasur shumë bisedime me vende të tjera”, pa përmendur fare shefen e Komisionit.Dhe për ta përmbyllur, deklaroi me krenari: “Tarifat po na bëjnë të pasur.”
Burimi: Euronews.com/ Përshtati: Businessmag.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.