Heqja e TVSH-së 6% shqetëson përpunuesit e qumështit. Kompanitë po shqyrtojnë kontrata për blerje të qumështit në Europë - Business Magazine Albania

Heqja e TVSH-së 6% shqetëson përpunuesit e qumështit. Kompanitë po shqyrtojnë kontrata për blerje të qumështit në Europë

qumështit

Propozimet e paketës të re fiskale 2022 po detyrojnë përpunuesit e qumështit të nisin shqyrtimin e kontratave për blerjen e qumështit nga Gjermania dhe vendet e tjera të Europës.

Pak ditë më parë Ministria e Financave dhe Ekonomisë propozoi ndryshimet fiskale në ligjin për TVSH-në, akcizat dhe taksat kombëtare që prekin direkt prodhuesit vendas.

Heqja e TVSH-së të rimbursueshme nga 6% që është aktualisht, u prit me shqetësim nga përpunuesit e qumështit. Kryetari i Shoqatës të Përpunuesve të Qumështit, Luis Ndreka tha se nëse ndryshimet e propozuara miratohen, jo vetëm që do të rriten çmimet e produkteve të bulmetit 25%, por kompanitë do t’i drejtohen tregut europian për blerje të qumështit.

“Lëndët e para për fermerët janë rritur. Heqja e TVSH-së bën diferencë për sektorin dhe do të jemi të detyruar që këtë ngarkesë ta transferojmë te konsumatori. Rritja e çmimeve të paktën deri 25% pritet të ndikojë te rënia e kërkesës, pasi konsumatorët do t’u drejtohen produkteve të importit. Nuk dëshirojmë të rrisim çmimet dhe të ulet konsumi, por jemi të detyruar t’i ndryshojmë çmimet nëse propozimet miratohen, sepse duhet të mbijetojmë. Dhe me situatën e rritjes të çmimeve industria mund ta shtyjë disa muaj, derisa sa qumështi apo produktet e bulmetit të zëvendësohen me ato të importit dhe kryesisht të rajonit”.

Lexoni: Opozita kërkon uljen e TVSH-së në 6%. Tabaku: ndihmon shtresat në nevojë dhe rrit konsumin

Ai theksoi se, “do të detyrohemi të marrim qumësht nga importi. Aktualisht kompania “Lufra” është duke shqyrtuar kontratat për blerje të qumështit në Gjermani, Austri, Bullgari etj, ku çmimi pavarësisht rritjes të kostove nga transporti dhe detyrimeve doganore del më lirë sesa kostoja e qumështit të prodhuar nga fermeri shqiptar. Çmimi i qumështit nga fermat jashtë vendit aktualisht është 32 cent/litri, kurse tek ne është 45 cent/litri.

Rendimenti mesatar i qumështit të prodhuar për krerë është 18 deri në 22 litra. Ndërsa jashtë, një lopë prodhon 35-40 litra qumësht në ditë”, nënvizon z. Ndreka.

Edhe drejtuesi i Qendrës të Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi më herët kundërshtoi heqjen e TVSH-së 6% të rimbursuar, pasi rrit kostot e fermerëve. Në relacion qeveria parashikonte se skema e TVSH-së do të zëvendësohet me skema subvencionuese, por deri tani nuk ka skema të reja të prezantuara.

Para vitit 2018 TVSH-ja për blerjen e qumështit nga fermeri kreditohej 20% nga shteti. Me ndryshimet e 1 janarit 2019, skema e TVSH-së subvencionon vetëm 6% në blerje, por kjo konsiderohet e pamjaftueshme nga industrialistët, pasi u ka shtuar kostot. Industria po përballet ndërkohë edhe me rritjen e çmimeve të plastikës, karburantit në tregjet ndërkombëtare dhe të energjisë nga furnizuesit private.

/monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0