Guvernatori Sejko në konferencën “Normalja e re, sfidat dhe oportunitetet” në UET - Business Magazine Albania

Guvernatori Sejko në konferencën “Normalja e re, sfidat dhe oportunitetet” në UET

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në konferencën “Normalja e re, sfidat dhe oportunitetet” të organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës. Në këtë konferencë merrnin pjesë profesorë, përfaqësues të botës akademike dhe studentë.

Në fjalën e mbajtur, Guvernatori Sejko u ndal në ndikimin e pandemisë COVID-19 në ekonominë shqiptare dhe masat e marra për minimizimin e efekteve të saj. Më tej, u fokusua në diskutimin akademik mbi “normalen e re”, dhe në përfundim nënvizoi rolin që ka fleksibiliteti institucional për ndryshim, si instrument për adoptimin e praktikave më të mira në politikëbërje.

Lidhur me ndikimin e pandemisë në ekonominë shqiptare, Guvernatori u shpreh se rritja e pasigurisë dhe kufizimi i detyruar i lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, rezultoi në një kontraktim të ekonomisë gjatë vitit 2020. Përtej kësaj, pandemia u shoqërua me probleme ekonomike në nivel makro dhe mikro, por njëkohësisht testoi qëndrueshmërinë e fondamenteve të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare.

Guvernatori theksoi se në përgjigje të kësaj situate, reagimi i autoriteteve publike në vend ishte i shpejtë dhe i paprecedentë. Banka e Shqipërisë ndërhyri me një paketë masash monetare e financiare. Këto masa synonin jo vetëm kufizimin e ndikimit afatshkurtër të pandemisë, por dhe ruajtjen e kapaciteteve prodhuese dhe të stabilitetit ekonomik e financiar të vendit – dy parakushte të domosdoshme këto për rritjen e shpejtë, të qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Në vijim, Guvernatori Sejko u shpreh se e rëndësishme mbetet të nënvizohet fakti se masat stimuluese të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë u bashkërenduan me një stimul të shtuar fiskal.

Sipas Sekjos, politikat stimuluese të ndërmarra kanë ndihmuar në zvogëlimin e rrezikut në afat të shkurtër, por nuk mund të adresojnë ndryshime strukturore, si rrjedhojë një “normale e re” pritet të udhëheqë nevojën për adaptim të sektorit privat dhe një rikonceptim të paradigmave të qeverisjes institucionale.

Lexo: Sejko: BSH optimiste. Nuk ka nevojë për stimuj të tjerë financiarë

Në lidhje me fleksibilitetin institucional për adoptimin me “normalen e re”, Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë ka treguar se është një institucion që adaptohet dhe ndryshon me hapin e kohës. Ai shtoi se, në mënyrë që të adoptohen eksperiencat më të mira ndërkombëtare që i rezistojnë kohës, ka qenë gjithnjë i rëndësishëm evoluimi gradual e i mirëmenduar. Guvernatori shtoi se këto tipare zhvillimi ofrojnë garancitë e duhura për përballjen me sfidat e “normales së re”.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0