GALLERY70: NJË MODEL EKSPOZIMI QË NUK I PËRKET SË SHKUARËS » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 26/03/2020

GALLERY70: NJË MODEL EKSPOZIMI QË NUK I PËRKET SË SHKUARËS

Share
nga Admin
Mar 26, 2020
Business Magazine Albania constitutes an online periodical publication of business related articles. It is the first of
lexo me teper >

A po vdes formati klasik i galerisë: një hapësirë fizike me tulla dhe llac? Cilat janë formatet e galerive që sigurojnë qëndrueshmëri operacionale dhe hedhin themelet e angazhimit të imagjinatës ? Shumë galeri në botë në kategorinë e galerive të vogla dhe të mesme po mbyllen ndërkohë që mega galeritë po zgjerojnë hapësirat e tyre në planin kombëtar dhe atë ndërkombëtar.

Nga shitja e veprave të artit , te kërkimi, edukimi, të gjithë administratorët e galerive të artit po mendojnë për transformimin e galerive që drejtojnë. Hapur në 2017 me një vitrinë ekspozuese të jashtëzakonshme prej 8 metra gjatësi, në një pozicion qëndror në kyeqytetin shqiptar, Gallery70 shërben si një atraksion për admiruesit e artit, dhe është konceptuar që të lehtësojë aksesin në art për të gjithë publikun që jo domosdoshmërisht do të vizitonte një galeri arti.

Galeria vjen si formati i “window shop” dhe prezanton artin për audiencën 24 orë në ditë . Gallery70 shërben si frymëzim dhe sfidë për artistët dhe kuratorët që synojnë të prezantojnë istalacione specifike për hapësirën . Gallery70 organizon ekspozita individuale dhe në grup dhe është e angazhuar të eksperimentojë dhe të ushqejë skenën e artit me vepra të artistëve të afimuar apo artisteve të rinj , e fokusuar në artin e krijuar pas viteve 70.

Impakti i hapësirës në krijimin e veprave të artit, organizimi i eventeve të artit, dikutimeve mbi artin apo gjenerimi i audiencave të reja mbeten pjesë e preokupimeve kryesore për galerinë ndërkohë që flitet për mbijetesën e hapësirave të artit dhe përqasjen kreative në një mjedis gjithnjë e më shumë sfidues. Ne zhvilluam një intervistë me drejtuesit e Gallery70.

Si arrin Gallery70 të mbijetojë me një hapësirë fizike në qëndër të Tiranës? A ka një strategji për qëndrueshmërinë e saj?

Ne besojmë se hapësira ekspozuese për artin dhe artistët është një domosdoshmëri . Modeli tradicional i marrëdhënies galeri – artist, ku galeristi investon tek artisti në mënyrë afatgjatë, është në themel të formatit tonë.

Dhe në cdo bashkëbisedim apo bashkëpunim me artistët, kjoështë tema kryesore.

Galeria luan një rol vital në karierën e artistit. Po kështu luan një rol thelbësor e të pazëvendësueshëm në marrëdhënien me koleksionistët dhe krijimin e koleksioneve individuale apo korporative. Të kesh një hapësirë në qëndër të Tiranës, është një sfidë e jashtezakonshme dhe kjo kryesisht duke ju referuar faktorëve ekonomikë. Cmimet e pasurisë së paluajtshme në këtë zonë janë  shumë të larta . Kjo të vendos përballë dilemës :si mund të ekspozohet në menyrë tradicionale ndërkohë që duhet të përshtatesh me realitetet e reja dhe botën virtuale ?

Përzgjedhja e hapësirës së Gallery70 na jep një lloj fleksibiliteti . Është një model i ri biznesi që e shohim si trend në rritje në qytetet e rëndësishme të artit si Londër, Bazel, Berlin apo Hong Kong.

Ky model po funksionon mirë për ne. Në tre vite aktivitet janë organizuar 16 ekspozita , me artistë shqiptarë dhe të huaj, ekspozita individuale dhe në group. E shohim si një avantazh të jashtëzakonshëm të qënit një vitrinë e rëndësishme e artit që përcjell një shije të sofistikuar estetike te cdokush që kalon para galerisë. Për të shijuar artin, nuk është e thënë të jesh njohës apo admirues arti. Efekti i hapësirës fizike amplifikohet më pas në hapësirat tona virtuale në rrjetet sociale dhe web. Besojmë se kemi gjetur një model efikas midis kostove operacionale dhe krijimit të profilit të një strukture arti të qëndrueshme me ambicien për t’u përfaqësuar denjësisht dhe në tregun ndërkombëtar të artit.

Aktualisht ka modele të shumta që po eksperimentohen: si hapësirat e përkohshme Pop Up, apo hapësira të menaxhuara nga vetë artistët . Si pozicionohet Gallery70 në këtë kontekst?

Modeli ynë është që “vitrinen” tonë të artit ta menaxhojmë në rradhë të parë si një hapësirë ekspozuese. Për Tiranën ne jemi hapësira e parë e artit që operojmë me këtë model – një hapësire ku arti shijohet 24 orë në ditë gjatë 7 ditëve të javës falë një vitrine të mrekullueshme 8 metra të gjatë që i mundëson publikut akses direkt te arti i ekspozuar. Eshte si art konceptual ku ekspozohet koncentrati , « eau de parfum » i artistit . E kemi quajtur 70 për nder të viteve 1970 kohë kur disqet muzikore ishin perlat argëtimit , dhe gradualisht albumet me 20 apo 22 këngë u tkurren në disqe me një ose dy këngë. Nuk u tkurr krijimtaria doli ne pah cilësia ( eau de parfum ) e artistit.

Arsyeja kryesore e ekzistencës së Gallery70 është të inkurajojë ekspozimin e artit dhe artistëve bashkëkohore duke i prezantuar vlerat e tyre në mënyrë estetike dhe profesionale, duke mundësuar përballjen me publikun që jo domosdoshmërisht zgjedh të shkojë në galeri për të zbuluar artin.Kjo bëhet e mundur sepse « vitrina » jonë na e lejon këtë opsion dhe kështu ne përmbushim dhe një funksion jashtëzakonisht të rëndësishëm edukues. Së pari, duke ekspozuar në këtë hapësirë , ne marrim mbi vete risqet për të krijuar një program artistik që respekton standartet tradicionale të ekspozimit në Galeri. Së dyti , duke përdorur një hapësire inovative, ne inkurajojmë artistët të eksperimentojnë, dhe të sfidojnë hapësirën. Së treti, krijimi i një programi të qëndrueshëm ekspozitash hap rrugën drejt panaireve ndërkombëtare të artit që funksionojnë mbi bazë të një jurie përzgjedhëse. Aksesi në këto panaire mundësohet pas një shqyrtimi të imtësishëm profesional të funksioneve ekspozuese, edukuese dhe cilesisë së artistëve të përfaqësuar. Këto janë platforma që kontribojnë në fuqizimin e artistëve në planin ndërkombëtar. Si një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit, Gallery70 është listuar në ARTSY duke krijuar kështu “vitrinën” e saj virtuale në tregun ndërkombëtar online  të artit . Dhe së fundmi,  pjesë e misionit tonë është dhe inkurajimi i krijimtarisë së artistëve të rinj. Programi OAS, një thirrje e përvitshme për artistë të rinj, do të jetë një burim vital për identifikimin dhe promovimin e artistëve të rinj, por dhe edukimin e tyre me një model të ri përfaqësimi përmes galerisë.

Na thoni dicka mbi arkitekturën specifike te Gallery70. Si mund të eksplorohet nga ana strategjike ?

Muret ballore krijojnë një hapësirë ekspozuese simetrike dhe lejojnë një distancë të mjaftueshme për vizitorët për të eksploruar veprat e ekspozuara si brënda galerisë ashtu dhe nga jashtë përmes vitrinës së xhamit. Avantazhi i katit zero është lartësia tre metra e gjysem që i jep frymemarrje hapësirës ku ekspozohet vepra. Kemi zgjedhur të lëmë një tavan industrial dhe na pëlqen të eksperimentojmë me ngjyrat e mureve duke i vënë ato në funksion të veprave të ekspozuara. Dyshemeja është e bardhe dhe reflketuese duke krijuar një lloj kontrasti dhe shkëputje nga ambienti i jashtëm. Galeria është e ndricuar gjatë 24 orëve dhe kjo e bën të duket magjike. Ka një kollonë betoni nga konstruksioni i godinës që është lënë qëllimisht në formën e saj origjinale ashtu sic janë dhe veprat që ekspozohen. Dera e galerisë është prej hekuri e konceptuar nga artisti Jon Kraja enkas për hapësirën e galerisë, është si një lloj “gate” që mundëson kalimin nga një hapësirë komerciale të Qëndrës në një hapësirë artistike. Ka qënë një projekt shumë frymëzues gjatë konceptimit dhe vazhdon të jetë i tillë sa herë planifikohet një ekspozite e re.

Një nga temat aktuale është ajo e kalimit nga zbulimi artit si objekt, në përjetimin e artit si eksperiencë. Çfarë mendon Gallery70 për artin dhe krijimin e ekspozitave ?

Që kur e zgjodhëm hapësirën për Gallery70, e kemi konsideruar jo vetëm një hapësirë ekspozuese por dhe një instalacion arti në vetvete. Që nga hapja e galerisë në 2017 , ne kemi kombinuar ekspozimin e pikturës, fotografisë dhe skulpturës, kemi eksperimentuar me formate të mëdha dhe të vogla, vepra arti në letër dhe në kanavacë, art abstrakt dhe figurativ. Si një galeri komerciale, ne fokusohemi te prezantimi i veprave individuale. Kështu që kombinimi midis së tërës dhe individuales bën që Gallery70 të ekzistojë njëkohësisht si instalacion dhe si hapësirë ekspozuese dhe kjo është dicka që artistët dhe kuratorët e pëlqejnë. Hapësira shërben si pikënisje për bashkëbisedimin artist – kurator dhe udhëheq procesin e krijimit të ekspozitës. Një nga artistët tanë e quajti si “Wunderkammer” dhe besojmë se ky përkufizim i përshatet Gallery70.

Cilat janë planet tuaja në 2020. Cilët do të jenë artistët dhe konceptet e këtij viti ?

E nisëm 2020 me një ekspozitë fotografike nga Ergys Zhabjaku, një koncept abstrakt ku universi është një akuarium , dhe jeta e vdekja gëlojnë brënda kësaj hapësire. Ishte nje koncept i mrekullueshëm që i përshatet bukur dhe ambientit të Galerisë . Ndërkohë që ishim gati për hapjen e ekspozitës së Jon Krajës, « Heroina » një kombinim midis skulpturës e pikturës, filloi kriza e Coronavirus dhe si shumë galeri në botë , e shtymë hapjen e ekspozitës në hapësirën fizike duke e zëvendësuar me një instalacion në galeri që u frymëzua nga situata që po kalojmë , dhe vazhduam programin online duke organizuar një ekspozitë të formatit « Online Exclusive» në Artsy me Jon Krajën, si dhe një retrospektive të tipit « Online viewing room » për secilin nga artistët tanë në Instagram. Shpresojmë që do i kthehemi normalitetit, dhe në qershor kemi në program një artist të ri polak Igor Moritz. Ekspozita e tij do të shërbejë dhe si pikënisje për programin tonë të artistëve të rinj OAS që sapo është njoftuar. Ky program është konceptuar për artistë nga 18- 30 vjec dhe fituesit do të kenë mundësinë të ekspozojnë në Gallery70 gjatë verës 2020 si dhe do të përfaqësohen në hapësirën tonë në ARTSY. Në vjeshtë , artisti gjerman Martin Stommel rikthehet në Tiranë për një ekspozitë të përbashkët me Orion Shimën. Do të jetë një ekspozitë shumë interesante të cilën po mendojmë ta organizojmë në bashkëpunim me një galeri tjetër në Tiranë. Ky bashkëpunim prezanton gjithashtu një risi për tregun e brishtë të artit në Shqipëri. Më pas në nëntor 2020, do të kemi një tjetër artiste gjermane, Anna Borowy që vjen si pjesë e programit të shkëmbimit të artistëve që po ndërtojmë me Galerinë Janine Beanë Berlin. Ky program parashikon që punë të artistëve të Gallery70 të ekspozohen në Berlin gjatë vitit 2021.

Galeria është ngritur nga Lauresha Basha dhe Jon Kraja.

 

 

Subscribe në kanalin tonë në YouTube


Evente