Formulë e re/ Buxhet sipas censit dhe performancës - Business Magazine Albania

Formulë e re/ Buxhet sipas censit dhe performancës

Formula e shpërndarjes së buxhetit për pushtetin vendor do të rishikohet duke nisur nga ky vit dhe do të finalizohet plotësisht në vitin 2026. Ministria e Financave thotë se ndryshimi i formulës do të nisë në tremujorin e fundit të këtij viti, me synim që të përdoren të dhënat e reja të censit të popullsisë, dhe mbi bazë të tyre do të bëhet edhe shpërndarja e buxhetit për vitin 2025, e në vijim.

Aktualisht grantet që shkojnë për bashkitë si transfertë e pakushtëzuar bazohen në treguesit e numrit të popullsisë, dendësisë së popullsisë dhe numrit të nxënësve dhe rregullohen më tej duke ndjekur një ekuacion financiar bazuar në kapacitetin fiskal të bashkisë për të rritur të ardhurat. Por transfertat bazohen edhe mbi funksionet e bashkisë për arsimin, vaditjen, administrimin pyjor, mbrojtjen nga zjarri apo rrugët rurale.

Për këtë viti transferta e pakushtëzuar që i është shpërndarë bashkive është 36.5 miliardë lekë, dhe brenda kësaj vlere është përfshirë edhe kosto për rritjen e pagave. Në Strategjinë për Menaxhimin e Financave publike thuhet se në vitin 2025 do të vlerësohet mundësia e rishikimit të formulës së granteve që jepen për bashkitë, në kuadër të reformës së decentralizimit, që bashkitë të bëhen më të pavarura financiarisht.
Lexo: Miliarderi zbulon klonin e tij me Al i cili ka aftësi të flasë në çdo gjuhë

Po brenda kësaj periudhe do të punohet të ngrihet një sistem grantesh i bazuar në performancën e bashkive. Sipas strategjisë ky sistem do të nisë të ngrihet në tremujorin e tretë të këtij viti, dhe do të testohet për dy vitet e ardhshme.  Sipas strategjisë, të gjitha këto ndryshime bëhen për të fuqizuar më shumë bashkitë, dhe të shkojnë drejt një pavarësie financiare brenda vitit 2030.

“Synimi për vitin 2030 është që bashkitë të kenë sisteme të fuqishme të MFP-së dhe burime financiare të përshtatshme përmes mekanizmave transparentë të ndarjes dhe transferimit të të ardhurave dhe kapaciteteve të mbledhjes së të ardhurave që u mundësojnë atyre të ofrojnë shërbime publike në përputhje me standardet e aplikueshme”, thuhet në Strategji.

Aktualisht pushteti vendor ka vështirësi në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, dhe në mbledhjen e taksave, kryesisht ato të pasurisë apo të fjetjes në hotele.  Gjatë vitit të kaluar 61 bashkitë e vendit mblodhën në total 31.6 miliardë lekë nga 27,6 miliardë lekë që mblodhën në vitin 2022.

Ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti të ardhurat e bashkive janë rritur me 39.3% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. në total sipas të dhënave të  Ministrisë së Financave nga janari në mars pushteti vendor ka arkëtuar 7 miliardë lekë, nga 5 miliardë lekë në vitin 2023. Sa i takon borxheve, në fund të vitit të kaluar detyrimet e prapambetura të pushtetit vendor zbritën në 4.8 miliardë lekë, nga 7.8 miliardë lekë që ishin në vitin 2022. Detyrimet më të mëdha pushteti vendor i ka për investimet të papaguara me 2.2 miliardë lekë. shqiptarja

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0