Ka shumë rrugë të ndryshme drejt suksesit. Por nëse doni të jeni jashtëzakonisht të suksesshëm, “klas botëror”, siç e ka thënë Bill Gates, atëherë kuptoni se për cilën gjë jeni më i apasionuar dhe më pas fokusohuni plotësisht aty. Edhe nëse ndjekja e këtij fokusi do të thotë punë të ndryshme apo edhe profesione të ndryshme në periudha të ndryshme.
Për Steve Jobs, pasioni i tij i madh ishte ndërthurja e inovacionit teknologjik me një dizajn të bukur dhe të thjeshtë. Ai ndoqi atë pasion të vetëm nga Apple në NeXT te Pixar dhe përsëri në Apple. Për Elon Musk, pasioni është krijimi i një teknologjie të re, që zgjidh probleme ambicioze, qoftë kjo uljen e emetimeve të karbonit në Tesla ose kolonizimin e Marsit me SpaceX, apo edhe anashkalimin e trafikut legjendar të Los Anxhelos në kompaninë Boring.
Për DJ-in me famë botërore Steve Aoki, i cili është gjithashtu një muzikant, inxhinier regjistrimi, organizator eventesh, pasioni i tij është krijimi i një kulture rreth kërcimeve dhe muzikës indie. Ai përdori frazën “krijimin e një kulture” ose “ndërtimin e një kulture”, gjatë një interviste për Inc. Ja se si u përqëndrua në një pasion të vetëm Aoki dhe se si kjo mund të funksionojë edhe për ju.
1.Kuptoni se çfarë doni vërtet
Për Aokin, kjo ndodhi herët, kur ai po ndiqte kolegjin në Santa Barbara të Kalifornisë dhe ai me miqtë e tij filluan të ftonin grupe indie për të performuar në banesën e tyre dhe më pas ata flinin në dysheme. Aoki zbuloi një dashuri për mbështetjen dhe ndihmën në zhvillimin e këtyre bandave dhe krijimin e mundësive që ato të dëgjohen. Ai mundësoi koncerte të vogla për grupin, i ndihmoi ata të regjistrojnë muzikën e tyre dhe shumë shpejt krijuan një label record, Dim Mak.
“Ishte gjithçka për kulturën,” tha ai në intervistë. “Ishte thelbësore për mua, e bëja me shumë dëshirë dhe kjo thjesht forcoi biznesin. Ai forcoi kulturën, më e rëndësishmja, kulturën në të cilën bënte pjesë Dim Mak.”
2.Gjeni mënyra për të përfituar financiarisht nga pasioni
Dim Mak ishte një sukses i madh, por jo edhe një sukses financiar. Për të shmnagur borxhet dhe për të mbajtur record label-in, Aoki filloi të punojë DJ katër net në javë, duke rritur tarifat ndërsa popullariteti i tij u rrit. Të jesh DJ dhe të drejtosh një record label sigurisht që janë dy gjëra shumë të ndryshme, por që të dyja lindën nga pasioni i Aoki për krijimin e një kulture dhe një shtëpie për muzikën indie, që ai e donte shumë. Kishte sinergji midis dy punëve të tij, për shembull kur artistët e Dim Mak u shfaqën si yje të ftuar në koncertet e tij të DJ.
Lexoni: Twitter e lejon stafin të punojë përgjithmonë nga shtëpia
Ndonjëherë përpjekja juaj e parë për ta kthyer pasionin tuaj në një profesion mund të dështojë, ose të paktën mund të dështojë t’ju sigurojë një jetesë të mirë. Por siç tregon Aoki, zakonisht ka më shumë se një mënyrë për të shndërruar diçka që e doni në një karrierë shumë të suksesshme.
3.Kërkoni mënyra për t’u rritur vazhdimisht
Pasi të keni gjetur një mënyrë për t’u përqendruar në gjërat, që doni duke arritur kështu një karrierë të suksesshme, mos e konsideroni atë një punë të mbaruar. Ju gjithmonë do të duhet të vazhdoni të ndryshoni dhe rriteni.
Pas suksesit si DJ, hapi tjetër i Aoki ishte regjistrimi i albumeve të tij. “Unë gjithmonë dua ta sfidoj veten duke bërë diçka ndryshe nga sa bëj normalisht”, tha ai. “Nëse e bëni atë me sukses, do të evoluoni”. Nëse nuk arrini të evoluoni me sukses me kalimin e kohës, tha ai, “nuk je më një person që ngjall interes, nuk konsiderohesh më si dikush me ndikim, që mund të krijojë ose të ndihmojë në rritjen e një kulture”.
Rritja e një kulture, natyrisht, është pasioni i tij më i madh. Po pasioni juaj më i madh, cili është?
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.