Finalja “Conference League” / 3 mijë euro për një natë në Tiranë. Reagon Autoriteti Konkurrencës dhe kryetari Veliaj - Business Magazine Albania

Finalja “Conference League” / 3 mijë euro për një natë në Tiranë. Reagon Autoriteti Konkurrencës dhe kryetari Veliaj

Finalja e Conference League, që do zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, ka ardhur me rritje stratosferike çmimesh në disa hotele dhe banesa në kryeqytet. Një vëzhgim në platformat më të mëdha në fushën e prenotimeve të shërbimeve turistike si Booking dhe AirBNB tregon se një natë qëndrimi në hotelet në Tiranë në datën 25 Maj, ditën e ndeshjes variojnë nga 37 000 lekë e deri mbi 230 000 lekë, çmime stratosferike që në periudhë tjetër të vitit kushtojnë për të njëjtat struktura shumëfish më pak se në këtë ditë.

I njëjti, hotel diku pranë liqenit të Tiranës që më 25 maj ka çmimin 149 mijë lekë, në një kohë normale të vitit llogarit një çmim prej 4 800 lekë për një natë qëndrimi.

Edhe në AirBNB, ku çdo individ mund të hedhë me qira apartamentin e tij, çmimet rezultojnë stratosferike. Kjo veçanërisht për njësitë që janë pozicionuar pranë stadiumit Air Albania ku do të luhet ndeshja, pasi nga vëzhgimi, çmimi i tyre arrin edhe deri në 3 600 euro vetëm për datën 25 maj.

Pas shqetësimeve të ngritura lidhur me rritjen e menjëhershme të çmimeve nga hoteleritë apo struktura të tjera akomoduese që rezultojnë ndjeshëm më të larta se krahasuar me periudha të tjera të vitit, Autoriteti i Konkurrencës ka reaguar duke vendosur tregun nën hetim.

Autoriteti u bëri thirrje ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e fjetjes që të mos abuzojnë duke anuluar rezervimet e hershme për t’i rishitur ato në minutën e fundit me çmime shumëfish më të larta. Për subjektet që kapen në shkelje në fund të hetimit, pra kanë rritur çmimin në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar Autoriteti paralajmëroi ndëshkimin e tyre me gjoba deri në 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës.

Ndërkohë, për këto cmime ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj:

“Dëgjova një të fundit kur thanë se “të gjithë ata që merren me hotele në Shqipëri janë spekulantë, shiko sa kanë vajtur çmimet për ndeshjen”. Por, e dini çfarë? Çmimet për një ndeshje të tillë do të shkonin po kaq kudo ku ajo të luhej. Pra, të njëjtët njerëz që para pak ditësh përhapnin panik se finalja do të luhej në një shtet tjetër dhe i gëzoheshin këtij “dështimi” të Shqipërisë, sot vajtojnë për çmimet në hotelet tona. Por, çmimet nuk i rrisin hotelet sepse në momentin kur ti futesh në aplikacione si Booking, Expedia apo Edreams, çmimi ndryshon në bazë të një algoritmi. Vërtet biletat e avionit fillojnë me 19 euro nëse e rezervoni të parët, por shkojnë 100 euro e deri në 300 euro nëse e lini për në orën e fundit”.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0