Erka Çaro, eksperte në fushën e lëvizjeve migratore mendon se vendit i duhet të punojë për të mbajtur të rinjtë profesionistë. Por, duket i pashmangshëm kalimi si vend tranzitor, pritës.
Emigracioni shqiptar është i vazhdueshëm dhe nuk lidhet vetëm me periudha krizash. Çfarë mund ta ndryshojë këtë tendencë?
Në fakt, emigracioni shqiptar është lidhur gjithmonë me periudha krizash, duke filluar që para viteve ‘90. Nëse shohim në vazhdimësi, periudhat e krizave janë shoqëruar dhe me lëvizje të shtuara të popullsisë si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Në ‘91-‘93 kemi pasur numër të lartë të larguarish, kryesisht drejt Italisë dhe Greqisë, lëvizje të lidhura me ndryshimet e sistemit politik dhe ekonomik të vendit. Më pas, në vitin ‘98 ka pasur një tjetër rritje të kurbës së largimeve, kjo e lidhur me krizën politike dhe ekonomike si pasojë e dështimit të skemave piramidale dhe tensioneve të brendshme të vitit 1997. Vitet 2000 kanë qenë vite me trend të relaksuar të lëvizjeve të popullsisë. Më shumë se largime të reja kishte bashkime familjare, lëvizje të brendshme. Në vitet 2013 e më tej pati një ridimensionim të lëvizjeve migratore, kryesisht e lidhur me krizën ekonomike e më pas me krizën e refugjatëve në Europë. Vendi u përball me disa flukse të mbivendosura migrimi, si largime, rikthime të emigrantëve shqiptarë, kryesisht nga Greqia dhe ardhje të azilkërkuesve sirianë apo së fundi dhe afganë.
Artikulli u publikua më parë në faqen 52 të numrit 28 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 28 të saj.
Është e vërtetë që ka ndryshuar cilësia dhe trendi migrator në kuptimin që tashmë nuk migron më kryesisht shtresa e varfër e popullsisë, por kryesisht ajo e mesme, të rinj të mirëshkolluar dhe profesionistë të kërkuar në tregun e punës. Kjo lidhet, jo vetëm me trendet brenda vendit, por dhe me nevojat e kërkesat e tregjeve ndërkombëtare, të cilat krijojnë hapësira ligjore për të tërhequr grupe të caktuar migrantësh, për t’ju përgjigjur nevojave të tyre ekonomike dhe demografike. Kjo është një tendencë në rritje, që tërheq kryesisht të rinj në profesione të caktuara, si IT, mjekësi apo infermieri, mekanikë, etj.
Vështirë të flasësh për trendet në të ardhmen, pasi ka një numër të konsiderueshëm aktorësh dhe faktorësh që gërshetohen.
Varet nga:
- politikat migratore të vendeve pritëse,
- masat dhe strategjitë e vendeve të origjinës për të mbajtur të rinjtë e talentuar dhe profesionistë në vend apo dhe për të tërhequr drejt vendit të rinjtë që janë larguar përkohësisht.
Unë mendoj që Shqipëria gradualisht po kthehet në një vend tranzitor dhe ka shenja që do të kthehet në një të ardhme, jo të largët, edhe në një vend pritës të emigrantëve nga vende të tjera. Këtë trend e kemi parë të materializohet në shumë raste dhe vende. Shqipëria nuk ka arsye të mos ndjekë të njëjtin trend. Ardhja e emigrantëve të vendeve të tjera shpresojmë të balancojë dhe adresojë deri diku humbjen e kapitalit human.
Shumë ekspertë konfirmojnë se pas pandemisë emigrimi do të jetë edhe më i lartë. A i qëndroni edhe ju këtij mendimi. Çfarë politikash të menjëhershme mund të ndërmarrim për të mbajtur të rinjtë dhe popullsinë e formuar në vend?
Me zhvillimet e fundit gjeopolitike, nuk mendoj që do të ketë një trend ndjeshëm të lartë të largimeve të popullsisë. Duket se ka një tendencë antiglobaliste, të përforcimit të kufijve dhe ruajtje të status quo.
Lexo: Emigracioni, kurba që nuk ulet
Trendet migratore në Shqipëri do jenë dhe në varësi të politikave demografike dhe ekonomike të vendeve të destinacionit. Megjithatë, nuk mund ta mohojmë që ka një krizë të kapitalit human dhe një nevojë gjithnjë e në rritje të sektorit privat për profesionistë, sidomos në disa fusha.
Është pikërisht sektori privat ai që mund të ndikojë pozitivisht në ulje të trendeve migratore të të rinjve, duke krijuar kushte më të mira pune, ofruar paga më të larta, perspektivë dhe motivim.
Që tani shihet një tendencë e rritjes së konsiderueshme të pagave në fushën e turizmit, IT, por edhe në fusha të tjera. Vetëm duke krijuar një treg të konkurueshëm me tregjet europiane dhe më tej do mund të mbajmë apo tërheqim forcë të re punëtore. Kjo sigurisht duhet të shoqërohet me politikat e duhura fiskale dhe lehtësuese nga shteti.
Artikulli u publikua më parë në faqen 52 të numrit 28 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë digjitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 28 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.