Nga Alfred Sogja, Konsulent pranë Keiretsu Forum Southeast Europe (KFSEE) – U ktheva në Shqipëri para një viti me një përzierje sigurie dhe dyshimi. Siguri se Ballkani Perëndimor ka inovatorë që mund të konkurrojnë kudo. Dyshim nëse rajoni ynë do të arrinte ndonjëherë të krijonte atë “muskul” ndërkufitar që e bën investimin dhe rritjen e startup-eve diçka të zakonshme.
Më 18 shkurt në Beograd, në ICT Hub, pashë për herë të parë shenja reale që kjo po ndryshon. Keiretsu Forum Southeast Europe mblodhi rreth 90 aktorë të ekosistemit, investitorë, themelues startup-esh dhe ndërtues të ekosistemit nga e gjithë rajoni – për të testuar në praktikë një model bashkëpunimi rajonal.
Ngjarje të tilla nuk ndodhin rastësisht. Ato kërkojnë vite ndërtimi marrëdhëniesh, besim mes investitorëve dhe një angazhim serioz për të krijuar mekanizma që funksionojnë realisht. Në tetor, gjatë Western Balkans Convergence Forum në Tiranë, u diskutuan hapur disa nga problemet kryesore të ekosistemit: fragmentimi rajonal, paqëndrueshmëria e politikave dhe varësia nga grantet. Por gjithashtu u ngrit një angazhim për të kaluar nga analiza te veprimi.
Lexo edhe: Sam Altman falënderon programuesit për punën e tyre: “Koha juaj përfundoi!”
Takimi në Beograd ishte pikërisht testi i parë i këtij angazhimi. Drejtori Ekzekutiv i KFSEE, Ravik Mima, theksoi se roli i forumit është të krijojë proces dhe disiplinë në investim: të lidhë investitorët me startup-et dhe të sigurojë që hapat e radhës të ndiqen me serioz. Investimi nuk është automatik, por procesi duhet të jetë i strukturuar. Në këtë event u prezantuan pesë startup-e nga rajoni, që operojnë në fusha të ndryshme si EdTech, cybersecurity, AI, enterprise software dhe energji. Ato u përzgjodhën përmes një procesi filtrimi që vlerësonte modelin e biznesit, potencialin e shkallëzimit dhe gatishmërinë për investim.
Pas prezantimeve, investitorët kaluan në një sesion të mbyllur “Mind Sharing”, ku diskutuan interesin për secilin startup dhe hapat e mundshëm të investimit. Procesi i mëtejshëm – takime, analiza dhe vendimmarrje – strukturohet përmes platformës Dealum. Ajo që e bëri këtë moment të veçantë ishte mënyra se si u trajtua bashkëpunimi rajonal: jo si një ide abstrakte, por si një proces konkret me hapa të qartë. Megjithatë, pengesat mbeten reale. Investimet ndërkufitare në Ballkan përballen me sisteme tatimore të ndryshme, procedura bankare komplekse dhe barriera ligjore që e bëjnë procesin më të vështirë sesa duhet.
Por takimi në Beograd tregoi diçka të rëndësishme: kur investitorët, themeluesit dhe ndërtuesit e ekosistemit mblidhen me role të qarta dhe me një proces të strukturuar, bashkëpunimi rajonal mund të bëhet real. Tani vjen pjesa më e rëndësishme: hapat pas eventit, telefonatat, analizat dhe vendimet që do të përcaktojnë nëse këto takime do të kthehen në investime reale. Sepse ekosistemet nuk ndërtohen nga momentet e mëdha, por nga vazhdimësia e punës që vjen pas tyre.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto