Edlira Mali, pedagogia mentore e marketingut » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 10/08/2019

Edlira Mali, pedagogia mentore e marketingut

Share
nga Admin
Gus 10, 2019
Business Magazine Albania constitutes an online periodical publication of business related articles. It is the first of
lexo me teper >

Kur u prezantua në universitet 5 vite më parë, Edlira Mali, përmbysi tërësisht lëndën e marketingut Konceptim e Menaxhim Fushatash. Teoria nuk do t’i jepte kënaqësinë e nevojshme, e mbi të gjitha studentëve nuk do t’u jepte njohuritë dhe aftësitë e duhura për të qenë markerë të mirë, kreativë e mbresëlënës.

Sot pas pesë vitesh, falë reformimit tërësor të lëndës, nga teorike në praktike, Universiteti Bedër numëron një sërë fushatash të suksesshme marketingu me impakt të tejkaluar në çdo rast. Kjo lëndë në breza të ndryshëm, nxori marketerë e madje edhe sipërmarrës, pasi fushatat e nismat vijuan shpesh edhe pas përfundimit të lëndës mësimore.

Teori?! Po. Temat e para, të cilat të njohin me konceptin, larmishmërinë e fushatave. Më tej, lojtare në fushë është praktika, imagjinata e studentëve, dialogu, debati, bashkëpunimi dhe rezultati. Një nga fazat më të rëndësishme të lëndës së Edlira Malit, është ajo e përzgjedhjes së temës së fushatës nëpërmjet brainstorming. Kjo vjen pas propozimit të qindra temave nga studentët, diskutimit, argumentave, skartimit, kombinimit – i gjithë ky një proces shumë frutdhënës për të gjithë pasi u mëson rregullat bazë dhe praktikën e vendimmarrjes në ekip.

Artikulli u publikua më parë në faqen 40 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.

“Libri është i vetmi kopësht që mbillet për të tjerët”, është fushata e parë e ideuar në kuadrin e kësaj lënde tek Beder. Qëllimi fillestar ishte të pasurohej biblioteka e universitetit. Por, përfshirja dhe efekti ortek që pati nisma, bëri që biblioteka të mund të hapet edhe për komunitetin. Mbi 6500 libra u mblodhën në një fushatë, ndërsa ende sot nuk ndalet grumbullimi i tyre. Librat vinin jo vetëm nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga Kosova, Maqedonia, Italia, Amerika e Kanadaja. “Ishte interesante kur shikoje njerëz që vinin me valixhe ose me bagazhin e makinës plot me libra”,- thotë Edlira. Fushata u pasua nga mini fushata të tjera, ku studentët nga mbledhës librash u bënë dhurues librash për grupe të ndryshme në komunitet, si për fëmijët e ngujuar, fëmijët e familjeve në nevojë, për shkolla në zona të largëta, për bibliotekën e burgut të grave, shtëpinë e të moshuarve, etj.

Zhvillimi praktik i lëndës, nuk është rastësi. Edlira Mali, vjen nga një përvojë e pasur në fushën e marketingut dhe menaxhimit të fushatave. Si drejtuese e agjencive të marketingut dhe PR, pjesë e kompanive ndërkombëtare, apo edhe si drejtuese e departamenteve të shitjes dhe marketingut në disa kompani, Edlira vjen nga një sipërmarrje intensive në terren. Përvoja praktike është ajo që po shijojnë studentët e saj, një vlerë e shtuar për të rinjtë që janë ende në auditore. Një përvojë të tillë vetë Edlira e përjetoi gjatë studimeve në USA dhe sot po ua transmeton studentëve, me të gjithë panoramën që siguron ambienti real i punës.

Hendeku i madh mes auditoreve dhe tregut të punës është prej vitesh i dukshëm, pasi profesorët që vijnë nga profesionet e tyre dhe sipërmarrja private vijojnë të mbeten të pakët.

“Një fije floku për më shumë buzëqeshje” ishte fushata e dytë që i përket lëndës së zhvilluar gjatë vitit të dytë akademik. Një fushatë që kishte në fokus vajzat e vogla të diagnostikuara me sëmundjen e kancerit. Për to u mendua të bëhen paruke me mbledhjen e flokëve të dhuruara nga vajza të tjera. Sigurisht flokët plastikë, nuk do të ishin të shëndetshme për fëmijët e sëmurë.

Edhe këtë herë, fushata kaloi kufirin e qëllimit të saj. Nismës iu bashkuan edhe këngëtarë e artistë të tjerë që iu përgjigjën thirrjes së studentëve për të organizuar së bashku një koncert bamirësie dhe me të ardhurat e mbledhura u bë i mundur kurimi i disa fëmijëve të sëmurë. Një fushatë që dhuroi buzëqeshje për fëmijët e sëmurë, por edhe shumë emocione për mentoren e studentëve të Bedër, Edlirën.

Shpesh herë audienca, të cilës u drejtohen fushatat, janë vetë të rinjtë, bashkëmoshatarët e studentëve apo miqtë e tyre më të vegjël. Këtë target-grup kishte edhe fushata “Unë refuzoj të hesht. Bëje dhe ti. Voto!”. Fushatë që nëpërmjet aktiviteteve të organizuara synoi ndërgjegjësimin e të rinjtve që votonin për herë të parë që të merrnin pjesë aktive në votime duke shprehur mendimin e tyre nëpërmjet votës.

Lexo: Cili është motivimi kryesor i punonjësve për gati gjysëm shekulli

“Një shtëpi, një mburojë për trashëgiminë kulturore” ishte tema e fushatës pasuese.

Qëllimi ishte ndërgjegjësimi i organeve përkatëse për restaurimin e shtëpisë së At Gjergj Fishtës. Studentët ia arritën të bënin bashkë në një tryezë aktorë të ndryshëm si Ministrinë e Kulturës, pushtetin lokal, drejtoritë përkatëse, organizatat civile dhe biznesin lokal, duke diskutuar dhe përcaktuar plane veprimi rreth asaj që duhej bërë, gjë që në fakt duhej të ishte bërë me kohë.

Fushata pasuese u rikthye tek libri. Këtë herë jo për të mbledhur libra për universitetin, por për të çuar libra jashtë Shqipërisë për të mundësuar që fëmijët dhe të rinjtë nga Presheva të lexojnë libra në quhën amtare. E gjitha kjo mori shtysë nga propozimi i një studenti nga Presheva në universitetin Beder. “Qëllimi u arrit. Madje, universiteti përveç librave dhe mjeteve mësimore, dhuroi edhe bursa studimi për studentë nga Presheva”, tregon Edlira.

Fushata e këtij viti titullohet “Ruaj traditën, festo shqip”. Për të realizuar këtë, u zhvilluan aktivitete të ndryshme me një përfshirje shumë të gjerë jo vetëm profesionesh (artistë, krijues, përformues, studiues të folklorit), por edhe moshash (nga fëmijë deri të moshuar) dhe shtrirje gjeografike (nga veriu në jug të Shqipërisë), ku kryefjalë ishte pasuria kulturore e shqiptarit: kënga, vallja, kostumografia, por veçanërisht Lahuta.

Disa nga detajet dhe mësimet e marra gjatë këtyre sfidave

Tema me një mision dhe me gjurmë në shoqëri karakterizojnë lëndën e kthyer nga teorike në praktike. Në këtë lëndë, ku Edlira Mali hyn në skenë sa herë eshtë e nevojshmë për të lehtësuar mbarëvajtjen e punës, apo për t’i kaluar studentët në një valë më të gjerë mendimi, studentët praktikohen të menaxhojnë të gjitha aspektet e një fushate të mirëfilltë duke filluar nga ndarja e departamenteve, caktimi i detyrave, përcaktimi, ndjekja dhe realizimi i objektivave dhe planeve të punës, motivimi dhe kërkesa e llogarisë ndaj njëri-tjetrit, vendimmarrja, vlerësimi i punës, menaxhimi i vështirësive, etj. për të vijuar me marrëdhëniet me median, me publikun dhe grupet e tjera të komunitetit, sigurimin e fondeve të nevojshme, realizimin e aktiviteteve të ndryshme, marrëdhëniet me bashkëpunëtorët, donatorët, etj.

Nga e gjithë kjo “aventurë” e suksesshme universitare, nuk ka nevojë për shumë diskutime kur flitet për fushatën më emocionuese. Secila prej tyre ka vlerat e saj të padiskutueshme dhe veçantinë e saj, por nga pikpamja personale, ndihma për fëmijët e sëmurë, ishte ajo që ka lënë më shumë gjurmë tek studentët dhe mentorja e tyre. Më e vështira ishte ajo e restaurimit të shtëpisë së At Gjergj Fishtës duke qenë se kërkonte ndërgjegjësimin e autoriteteve të ndryshme ekzekutive.

“Fushatat kërkojnë më shumë impenjim sesa një lëndë teorike” – shprehet Edlira. Të  gjitha fushatat kanë nisur me buxhet zero dhe kanë tejkaluar qëllimin. Të nisësh një fushatë nga zeroja dhe të arrish përmasa të tilla, motivimi është baza. Si i motivoi ajo studentët? Në të gjitha mënyrat, përveç asaj financiare. Pikërisht kur entuziazmi i një fushate është në kulm, Edlira Mali i shtyn studentët të mendojnë për fazën tjetër të fushatës duke përdorur kështu adrenalinën dhe entuziazmin për të për vendosur mbi sfidën e radhës.

Lexo: 2 shembuj motivimi që në shkollën fillore

Edlira tregon se gjatë fushatës studentët gjithashtu vlerësojnë njëri-tjetrin. “Studentëve u dërgohet një formular me disa pika, ku japin vlerësimin dhe komentet për kolegët, të cilat në mënyrë anonime u shpërndahen kolegëve. Ata edhe mund të mos i mirëpresin komentet, por kuptojnë çfarë nuk shkon me ta dhe punojnë për t’u përmirësuar aty ku nevojitet. Një moment i dytë ndërhyrjeje nga mentorja-profesore është momenti i Peshkaqenit. Kjo është një strategji të cilën Edlira nuk e ndau me ne por na siguroi që përdorimi i saj gjithmonë ka qenë gjithmonë efektiv.

Fushata për folklorin “Ruaj traditën, festo shqip” ishte e fundit. Edlira kujton se pas realizimit të disa  aktiviteve, studentët po mendonin të tërhiqeshin nga eventi i fundit.

Por ajo, pikërisht në këtë moment fut katalizatorët e saj. Fton dikë nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve dhe Teatri Kombëtar i Opera dhe Baletit për t’u takuar me studentët. Bashkëbisedimi dhe bashkëpunimi me ta e rrit motivimin, nxitjen dhe nis adrenalina. Në fund, koncerti u zhvillua në sallën e Universitetit të Arteve, duke siguruar edhe mbylljen e plotë të fushatës. Me personazhe si Irma Libohova, Irini Qirjako, Lirie Rasha, Petrit Lulo, Sabahete Vishnja, Vera Laçi, Vojsava Alia, Anxhela Hamati, grupe polifonike e grupe kërcimi nga qytete të ndryshme, instrumentistë e lahutarë, koncerti zgjati mbi tre orë dhe interesi ishte i jashtëzakonshëm.

Për këtë fushatë, Mentorja bashkw me grupin e studentwve mori nga Bedër çmimin për marrjen e përgjegjësive sociale në dobi të shoqërisë duke mbajtur gjallë vlerat popullore kombëtare.

Një organizim i tillë i lëndës/kursit, bën që orët e angazhimit të jenë më tepër se ato të parashikuara në kurrikul.

Gjithçka është e mundur, vetëm duhet të gjesh çëlësin e duhur për të hapur derën. Ky është një leksion tjetër që studentët e Bedër kanë mësuar gjatë një tjetër ndërmarrje/fushatë. Ata vetë shprehen që një nga mësimet që marrin me vete është që fjala “Nuk” duhet të përdoret vetëm në shprehjen “Nuk ka asgjë të pamundshme” dhe të jesh i sigurtë që rezultati do të jetë gjithnjë befasues.

Edlira na tregon një rast gjatë fushatës së parë, ku u mblodhën mbi 6500 libra, fillimisht radio Club FM nuk pranoi ta promovonte nismën e tyre, edhe pse studentët shprehën interes për të qenë të pranishëm në emisionin e mëngjesit. Studentët e trajnuar për të mos pranuar JO-në si përgjigje, nuk u dorëzuan. U përqendruan në gjetjen e zgjidhjes se si do të hynin në zemrën e radios Club FM? Dhe zgjidhja u gjet! Ata bënë një minifushatë dhe mblodhën 500 libra për fëmijë si dhe organizuan një panair ushqimesh të përgatitura nga vetë ata, me të ardhurat e të cilit blenë lodra, e iu bashkuan maratonës së Club FM për t’u dhuruar lodra, veshje e libra fëmijëve në nevojë. Radio jo vetëm që i priti, por promovimi i fushatës u bë disa herë më i fortë.

Përveçse kanë mësuar gjëra të reja, Edlira tregon se, “Çdo fushatë është një shkollë më vete për të gjithë ne. Veçanërisht për mua. Në fushatën e fundit, për shembull, mësuam shumë dhe pasuruam njohuritë mbi folklorin. E kuptova që dija shumë pak”. Studentët kanë zbuluar talente brenda vetes së tyre. “Çdo fushatë ka patur surprizat e veta në drejtim të zbulimit të aftësive – kemi zbuluar designer, fotografë, kemi realizuar vetë spote televizive, kemi zbuluar negociues të mirë, folës shumë të aftë në publik, ideues, gazetarë fantastikë, etj.”

Edlira Mali, prej 7 vitesh është mentore vullnetare në programin Junior Achievement of Albania. Ajo angazhohet pranë klasave XI dhe XII, pranë shkollës Don Bosko në lëndët Etika në Biznes dhe Shoqëritë e Nxënësve.

Artikulli u publikua më parë në faqen 40 të numrit 21 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.