Në Ditën Ndërkombëtare të Bletëve, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ka bërë të ditur se qeveria ka mbështetur financiarisht këtë sektor dhe se ai përbën një potencial në zhvillimin e qendrueshëm të ekonomisë rurale.
Sipas ministres së Bujqësisë, qeveria i ka mbështetur përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes, ku vetëm në vitin 2022 janë mbështetur rreth 2 681 bletarë në të gjithë vendin.
Sipas saj, deri më tani kanë aplikuar 3 899 për të përfituar mbështetje.
Ministrja e cilëson këtë sektor me fuqi të të jashtëzakonshme në zhvillimin e bujqësisë në tërësi, rritjen e ekonomisë rurale dhe gjenerimin e punësimit.
“Ju keni një fuqi dhe vlerë të jashtëzakonshme për konsumatorët, mjedisin dhe ekosistemin bujqësor dhe ekonomik te vendit. Ndaj dhe jeni vendosur në prioritetet e politikave në bujqësi, për t’ju mbështetur dhe fuqizuar edhe më tepër, për të promovuar bletarinë cilësore, instrumentat e skemave të cilësisë, emërtimet e origjinës, treguesit gjeografik, specialitetet tradicionale të garantuara dhe standardet e etiketimit duke i rritur kështu vlerën tregtare të prodhimeve të bletës”, shprehet ministrja Krifca, në një mesazh drejtuar bletarëve.
Krifca vuri në dukje se, para pak muajsh qeveria miratoi ligjin organik të bletarisë, shumë të rëndësishëm dhe të kërkuar prej kohësh nga mbrojtësit e bletës dhe prodhuesit e mjaltit në vendin tonë.
Një ligj, theksoi ministrja , “i ndërtuar në bashkëpunim të plotë me të gjitha shoqatat e bletarëve, në përputhje me praktikat më të mira të BE-së, për t’iu përgjigjur problematikave tuaja”.
“Ligji vendosi themelin dhe kuadrin e plotë për bletarinë në mjedis, bujqësi, ekonomi dhe krijimin e të ardhurave, duke rregulluar në mënyrë të plotë dhe shteruese të gjithë dinamikat e bletarisë në lidhje me marrëdhëniet me shërbimin veterinar dhe pushtetin vendor, territorin, shtegëtimet e kontrolluara dhe sigurinë e produkteve të bletës, por edhe mbrojtjen e zhvillimin në territor të një specieje të tillë jetike për polenizimin e kryqëzuar dhe biodiversitetin, pra për vijimësinë e jetës”, shtoi Krifca.
Përveç rregullimit të sektorit, mbrojtjes së bletës, mbështetjes së drejtpërdrejtë të bletarëve, Krifca shtoi se, “po mbështen edhe përpunuesit e nënprodukteve dhe startup-et që duan të ofrojnë produkte të diversifikuara të shërbimeve kurative, apikulturës, apo apiturizmit, në hapësirën rurale të magjishme shqiptare që mund ta mundësojë zhvillimin e kësaj nyjeje të rëndësishme ekonomike”.
“Ne jemi të bindur se mbështetja e këtij sektori, përtej efektit pozitiv që ka në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e performancës ekonomike, ka një efekt më të rëndësishëm dhe strategjik në performancën ekonomike të gjithë sektorit bujqësor të vendit”, u shpreh ajo.
Ministrja solli si shembull pozitiv regjistrimin e produkteve si specialitet tradicional i garantuar STG për ta çuar në një nivel tjetër promovimin dhe mbrojtjen e produkteve shqiptare të bletëve kudo në botë. Mbarështimi i bletëve po shndërrohet në tendencë në të gjithë vendin, si një biznes me përfitime të konsiderueshme që synon rritjen e eksporteve.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.