Covid, importet e barnave arrijnë rekord në tetor, rriten 42% - Business Magazine Albania

Covid, importet e barnave arrijnë rekord në tetor, rriten 42%

Sipas analizës së fakteve, bërë nga revista “Monitor”, importet e barnave shënuan rritje të ndjeshme në tetor, duke arritur një rekord historik, me përjashtim të një muaji në vitin 2014. Sipas të dhënave të INSTAT, importi i produkteve farmaceutike në tetor arriti në vlerën e 2.7 miliardë lekëve, ose 22 milionë euro. Kjo shifër është 42% më e lartë sesa mesatarja mujore e periudhës janar-shtator dhe 34% më e lartë sesa mesatarja mujore e 2019-s. Mjekët, përfaqësuesit e depove farmaceutike dhe farmacistët, të kontaktuar nga “Monitor”, thanë se arsyeja kryesore e kësaj rritjeje lidhet me situatën e krijuar nga pandemia e Covid-19, ku përhapja masive e virusit nga shtatori, i cili po vijon të kulmojë, ka nxitur përdorimin e më shumë barnave.

Kërkesa më e lartë ka qenë për antibiotikë, edhe për ata më të fortët, për të cilët mjekët kanë paralajmëruar shpesh se po përdoren pa kriter. Përfaqësuesit e depove farmaceutike thanë se ka kërkesë shumë të lartë edhe për vitaminën C, madje po përballen me vështirësi për furnizimin me këtë produkt, pasi në të gjithë botën është rritur përdorimi i saj. Krahas vitaminës C, ka kërkesë të lartë edhe për vitaminën D.

Kortizonikët, antikoagulantët janë barnat e tjera, për të cilat ka pasur një konsum të shtuar, të lidhura sërish me pandeminë. Mjekët dhe farmacistët pohojnë se kërkesa për barnat e tjera, kryesisht për të sëmurët kronikë ka qenë e qëndrueshme, ndërsa rritja e lartë e importeve të tetorit është e lidhur me Covid-19. Sipas shteteve, Italia është burimi kryesor nga vijnë barnat në vend, me 14% të totalit për muajin tetor. Importet nga ky shtet u rritën me 14%. Aktorët e tregut pohojnë se shtesa ka ardhur edhe nga vitaminat, që importohen kryesisht nga Italia.

Shteti i dytë, me rritjen më të fortë nga të gjithë, është Zvicra (11.7% e totalit). Importet nga ky shtet u rritën me 121% në tetor, në krahasim me mesataren mujore të periudhës janar-shtator. Nga ky vend vijnë kryesisht produktet për përdorim spitalor, të cilat janë dhe më të shtrenjta në vlerë. Turqia është shteti i tretë që furnizoi tregun shqiptar me barna (10% e totalit). Aktorët e tregut pohojnë se produktet nga Turqia kanë depërtuar në treg edhe për faktin se janë më të lira. Për 10-mujorin, importet e barnave në total janë rritur me vetëm 1.5%. Në mars- prill, pas karantinës, kompanitë farmaceutike nxituan të importonin, teksa situata ishte e pasigurt, duke krijuar edhe stoqe. Kjo çoi në rënien e importeve në muajt në vijim, duke u  rritur sërish më pas ndjeshëm në tetor, si rrjedhojë e shtimit të kërkesës pas rritjes së rasteve të Covid-19.

INSTAT

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0